Shtrenjtimi i rrymës: Rizvanolli i kërkon llogari ZRrE-së tre ditë para vendimit

Zyra e Rregullatorit të Energjisë, të premten më 11 prill pritet të marrë vendim për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike prej 15 për qind.E tre ditë para këtij vendimi, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka pritur në takim konsultues përfaqësuesit e ZRrE-së.
Në këtë takim u diskutua rreth procesit të shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025.
Siç thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë, Rizvanolli “ritheksoi komentet e dërguara me shkrim tek ZRrE, përfshirë: (i) që konsumatorët më konsum nën 800 kilovat për orë në muaj të mos preken nga rritja, që do të thotë që rreth 60% e familjeve të mos preken fare, dhe (ii) për të tjerët, pra rreth 35% që preken vetëm gjatë disa muajve të dimrit dhe 5% që e kalojë këtë konsum rregullisht, rritja të jetë sa më e ulët që është e mundur pa rrezikuar furnizimin, dhe të ketë edhe breze shtesë të konsumit mbi 800 kilovat për orë, ashtu që të mbrohen veçanërisht familjet që konsumojnë më pak”.
Në komunikatë tutje thuhet se ministrja në detyrë i kërkoi informata shtesë mbi disa prej faktorëve që kanë çuar tek rritja e kostos së furnizimit, si p.sh., çmimi i kapaciteteve të transmisionit, dhe kërkoi që këto çështje të trajtohen ne detaje nga ZRrE dhe nëse konstatohet që disa nga kostot kanë qenë të evitueshme, ato të mos barten tek konsumatorët por mbahen përgjegjës operatorët.