Shtrenjtimi i rrymës i papërballueshëm për konsumatorët

Shtrenjtimi i energjisë elektrike do ta vështirësojë edhe më tej jetën e familjeve që jetojnë në kushte të rënda ekonomike e sociale. Kështu që në këtë gjendje që ndodhet kjo shtresë e popullatës dhe me të ardhura të ulëta personale dhe rritje të çmimeve të artikujve elementarë, një kosto e rrymës më e lartë është një diskriminim ndaj kësaj popullate.
Madje me ngritjen e çmimi të energjisë elektrike do të ngritën edhe produktet finale të cilat janë të ndërlidhura me energjinë. Çdo ngritje e çmimit të energjisë elektrike do të ketë ndikim në standardin e ulët të qytetarëve të Kosovës të cilëve, po u ofrohet perspektivë e varfërisë.
Megjithëse, qytetarëve të Kosovës tashmë nga tetori do t’u shkojnë faturat e reja të energjisë elektrike me çmim shumë më të lartë, duke llogaritur këtu edhe sezonin dimëror, ku KEDS-i aplikon tarifa tjera. KEDS-i qysh në prill të këtij viti pati paralajmëruar për rritjen e tarifave, por kjo nuk ndodhi atë muaj. Por, kësaj radhe në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), thonë se vonesa e aplikimit të tyre ka ndodhur për shkak të sqarimeve shtesë nga të licencuarit, transmeton Kosovalive.
Mirëpo, KEDS-i nuk hoqi dorë prej kërkesës për çmim të ngritur të energjisë elektrike. Madje ia arriti qëllimit, ku ZRRE-ja aprovoj vendimin për shtrenjtim të rrymës për 4.57%. Pas kësaj KEDS-i sërish u mobilizua me tërë forcat e saj dhe aktivizoj kërkesën e dytë për ngritje të çmimit të rrymës. Kjo kërkesë u arsyetua me faktin e shpërthimit në Termocentralin “Kosova A”. Sipas zyrtarëve të KEK-ut, dëmet e shkaktuara kanë ndikuar në zvogëlimin e prodhimit të energjisë elektrike sipas balancës për 446 GWh me vlerë rreth 12 milionë euro dhe dëmet në njësitë A4, A5, elektrolizës dhe objekteve përcjellëse rreth 7 milionë euro.