Fundamenti

Shtohen sipërfaqet e mbjella pranverore

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Fermerët në vendin tonë, nga viti në vit po arrijnë që t’i shtojnë sipërfaqet e mbjella me kultura pranverore. Sivjet, në bazë të të dhënave të dërguara nga 33 komuna, me këto kultura janë mbjellë rreth 11 mijë hektarë, apo 2035 hektarë më shumë se vitin e kaluar.

Në shtimin e sipërfaqeve me këto të mbjella, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, kanë ndikuar edhe subvencionet, të cilat kjo ministri ka filluar t’i jap tash e dy vjet për këto mbjellje.

Drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregtisë, Isuf Cikaqi, tregon se tashmë është faza e mbjelljes së shumë kulturave pranverore, dhe fermerët sipas tij veç kanë filluar mbjelljen e tyre, të cilat pritet të përfundojnë kah gjysma e muajit maj.

“Sipërfaqet me këto të mbjella janë shtuar nga viti në vit. Po ashtu edhe sivjet në bazë të të dhënave të marra nga komunat, shihet se ka një tendencë të shtimit të sipërfaqeve me kultura pranverore. Njëra nga arsyet, që po ndikon në shtimin e këtyre sipërfaqeve është edhe mbështetja e fermerëve përmes subvencioneve, ku edhe sivjet do t’i mbështesim fermerët me nga 100 euro për hektarë në mbjelljen e misrit, lulediellit dhe kolzës. Po ashtu, sivjet ministria do të ofrojë mbështetje përmes granteve edhe për kultivuesit e perimeve”, thotë drejtori Cikaqi.

Në bazë të informacioneve që kanë marrë nga terreni, ai tregon se edhe tregu vendor është i furnizuar relativisht mirë me agroinpute bujqësore, të cilave iu është bërë edhe kontrolli i cilësisë nga inspektorët fitosanitarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.

UBT

E ata që merren me kultivimin e misrit, thonë se tashmë veç e kanë përfunduar mbjelljen.

Izet Brahimi, kultivues i kësaj kulture, njëherësh edhe përfitues i subvencioneve të ministrisë gjatë vitit të kaluar, tregon se gjatë këtij viti i ka shtuar sipërfaqet e mbjella me misër. “Vitin e kaluar kam pasur të mbjellë rreth 8 hektarë me misër, e sivjet kam mbjellë rreth 15 hektarë me këtë kulturë. Mbështetja të cilën po na jep Ministria e Bujqësisë, po na ndihmon shumë që ne t’i shtojmë sipërfaqet e mbjella me misër dhe me kultura tjera”, thotë ai.

Fermeri Brahimi, i cili merret edhe me blegtori, tregon se kjo veprimtari po tregohet e leverdishme për të, pasi ai në këtë mënyrë po e siguron edhe ushqimin për 16 lopë qumështore. Krahas kësaj, ai tregon një sasi të madhe të misrit, po arrin ta shes edhe në tregun vendor.

Ndërsa, në bazë të të dhënave të marra nga drejtoritë komunale, sivjet me kulturën e misrit do të mbillen 67266 hektarë, me elb pranveror 1762 hektarë, me tërshërë 9060 hektarë, me bimë foragjere 7270 hektarë, me bimë industriale 765 hektarë, me perime 15420 hektarë, me patate 7440 hektarë, si dhe me fasule monokulturë 472.5 hektarë.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar, përmes subvencioneve, Ministria e Bujqësisë ka mbështetur 2209 kultivues të misrit me rreth gjysmë milionë euro dhe 29 kultivues të lulediellit me rreth 73 mijë euro. /Telegrafi/