Shtohen investimet gjermane në Kosovë

Gjermania është donatori i dytë më i madh në Kosovë. Qysh prej përfundimit të luftës, ajo ka investuar në Kosovë 230 milionë euro në sektorë të ndryshëm ekonomik dhe shoqëror.

Rajonit të Pejës në perëndim të Kosovës, shtrirja gjeografike rrëzë Bjeshkëve të Nemura i ka mundësuar furnizimin e vazhdueshëm me ujë nga burimet natyrore.

Nevojiteshin vetëm investime për sistemimin e ujit nëpër gypa, që furnizimi i popullatës me ujë të pijshëm të sigurohej njëherë e përgjithmonë. Këtë u përpoq ta bëjë qeveria gjermane, e cila vetëm prej vitit 2007 në rregullimin e rrjetit të ujësjellësit në rajonin e Pejës ka investuar rreth 4 milionë euro. Sipas Agron Tiganit, drejtor i kompanisë rajonale për ujë dhe kanalizim “Hidrodrini” në Pejë, ky investim ka ndihmuar në shërbimin me ujë të pijshëm për 185 000 banorë dhe në shërbime të ujërave të zeza për 60 000 banorë të komunës së Pejës, Istogut, Klinës dhe Junikut.

Mirëpo, megjithë investimet t tilla kapitale, ende ka qytetarë të cilët ankohen për mungesën e ujit të pijshëm dhe reduktime drastike.

“Ne jemi të informuar mirë për investimet gjermane në rajonin e Pejës, Por ne ende nuk e kemi të qartë përse gjithë kjo mungesë uji, kur në lagjen time, megjithëse banoj në katin e tretë, kemi vetëm 6 orë ujë, nga 12 deri në 6 të mëngjesit, ndërsa në orët e tjera nuk ka. Pra, një jetë tërësisht e çrregulluar”, thotë Nezir Balaj, me banim në një lagje të Pejës.

Kjo ndodh për shume arsye dhe ky problem pritet të zgjidhet nga investime të tjera, shpjegon Tigani.

“Mungesa e reshjeve, keqpërdorimi i ujit nga popullata, kyçje ilegale dhe shfrytëzimi i ujit të pijshëm për ujitje, janë disa nga arsyet. Ndërkohë, kemi ndërmarrë aksione me policinë për 30-40 shkyçje brenda muajit. Pagesa nuk bëhet me kohë. Gjatë vitit të kaluar shkalla e arkëtimit ka qenë 63-64 për qind, edhe pse kompania “Hidrodrini” e ka tarifën më të ulët në Kosovë, me vetëm 0.27 cent për një metër kub ujë. Ndërsa, falë qeverisë gjermane Rrafshi i Dukagjinit e ka të hartuar fizibilitetin për trajtimin e ujërave të zeza, për çfarë presim edhe ndarjen e donacioneve për rrjetin e kanalizimit si dhe për trajtimin e ujërave të zeza, i cili nuk është bërë ndonjëherë dhe ujërat e zeza derdhen në lumenj”.

Ende në Kosovë ka mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët

Qeveria e Gjermanisë është donator i rëndësishëm për Kosovën, i cili që nga përfundimi i luftës ka ofruar mbështetje në sektorë të shumtë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, thotë Menderes Ibra, këshilltar i ministrit për ekonomi dhe financa në qeverinë e Kosovës.

“ Zotimet e përgjithshme të qeverisë Gjermane për bashkëpunim me Kosovën për këto 12 vite deri në takimin e shtatorit janë rreth 230 milionë euro. Projekte të shumta janë zhvilluar dhe po zhvillohen me përkrahjen e Gjermanisë, për të cilat qeveria është shumë mirënjohëse dhe falënderuese“, thotë këshilltari Ibra.

28.3 milionë euro shtesë për sektorë të ndryshëm

Në konsultimet e përvitshme ndërqeveritare për bashkëpunim politik zhvillimor në mes të Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë -të pestat me radhë që nga pavarësimi i Kosovës me 2008 – Gjermania si donatori i dytë më i madh pas SHBA-ve, premtoi mbështetje të mëtutjeshme për Kosovën.

“Me qëllim të implementimit të reformave të nevojshme në kuadër të procesit të përafrimit të Kosovës me BE-në, gjatë këtyre konsultimeve janë zotuar mjete në vlerë prej 28,3 milionë eurove, të cilat i shërbejnë implementimit të projekteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, në fushën e energjetikës dhe ujërave, si dhe të arsimit të ulët”,njoftoi Ambasada Gjermane në Prishtinë me anë të një komunikate.

Sipas Ibrajt, qeveria gjermane deri me tani ka kontribuar në fushën e ekonomisë, financave, energjisë, bujqësisë dhe zhvillimit rural, sektorin e ujërave, të arsimit dhe edukimit, rritjen e punësimit, në ngritjen e kapaciteteve si dhë në projekte të shoqërinë civile.

“Ndërsa, shuma prej 28.3 milionë eurosh është planifikuar që të orientohet në: infrastrukturë – 18 milion euro; në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe promovimin e punësimit -7.2 milion euro; në arsim -2.5 milion euro si dhe 0.6 milionë euro në zhvillimin demokratik, shoqëri civile dhe në administratë publike”.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).