Shteti si produkt shoqëror
Nga Raif Ramabaja – Shteti është produkti më i komplikuar i një shoqërie dhe vegla më e fortë për prosperitetin e qëndrueshëm të një kombi. E liderët tanë mendojmë se “shteti janë vetë ata”.
Sipas të gjitha gjasave shteti i së drejtës, funksional dhe ekonomikisht i zhvilluar duhet të jetë produkt i një shoqërie bashkëkohore e demokratike. Ata që prezantojnë sistemin e vlerave përmes opsioneve politike nuk kanë arritur që të krijojnë një shtet funksional, i së drejtës, me arsim dhe shëndetësi të avancuar dhe ekonomi të qëndrueshme.
Disa të tjerë thonë se shteti është organizatë e cila ka monopolin e pushtetit në bashkësinë e caktuar shoqërore, paraqitet si fuqi mbi popullin për ruajtjen e rregullimit shoqëror.
“Shteti është një monopol i përdorimit legjitim të dhunës” ( Max Weber – filozof Gjerman).
Por, dy teoritë më të përfolura në hapësirat tona janë :
Shteti është aparat i detyrimit. Ai i detyron qytetarët që t’i paguajnë obligimet ligjore siq janë : pagesa e borxheve, tatimeve, respektimi i pronës private etj.
Shteti i plotëson parimet e kontratës shoqërore në mes çdo individi dhe shteti. Edhe filozofi francez Zhan Zhak Ruso (Jean Jacques Rousseao) cekë se shteti duhet të mbrojë dhe sigurojë të drejtat natyrore të çdo personi ( e drejta në jetë,në liri dhe pasuri).
Kjo ide mbi rolin e shtetit me kontratën shoqërore është përqafuar që moti në të gjitha demokracitë perëndimore.
Dua të ceki se është një radhë e gjatë e rrethanave tragjike në të cilën kombi ynë gjatë historisë ka kaluar dhe është ballafaquar. Kjo është vetëm pjesërisht si pasojë e pagjeturisë strategjike. Shkaku kryesor qëndron në faktin se ne ende nuk kemi fuqi të brendshme dhe konceptuale që të prodhojmë produktin kualitativ të quajtur shtet.
Nuk e kemi të qartë se a po krijojmë shoqëri ku paguhet krijimi i vlerës së re apo shoqëri shpenzuese në të cilën sistematikisht varfërohemi në suaza të gjata. Tani po kontestohemi mes veti për shumë çështje vend e pa vend ( madje edhe rastet tragjike dhe rastet tjera ) po keqpërdorën për interesa të ngushta personale dhe partiake.
Ky farë patriotizmi primitiv-folklorik,bajraktarizmi dhe interesat e ngushta personale, na kanë sjellë në gjendje që edhe 17 vite pas çlirimit mos ta kemi një sistem të qartë të vlerave dhe shtet funksional.
Çka na nevojitet për krijimin e një shteti normal?
Normalisht se kjo kërkon aplikimin e parimit themelor të ndarjes së pushteteve në pushtet ligjvënës,ekzekutiv dhe gjygjësor. Edhe sot ne assesi nuk e pranojmë këtë parim, sepse çdo pushtet i yni deri me tani anon të jetë e vetmja, të simbolizohet ne një njeri. Nuk po kërkohet lideri publik-shtetëror, por lideri nacional.
Do të thotë se të gjitha sintetizohen ne një njeri, e shpenzim i këtij personalizimi të pushtetit të madh është humbja e procedurave institucionale.
Një lider edhe mund të ketë shumë kualitete, por nuk mundët të zëvendësojë sistemin. Kthehemi në retrospektivë dhe shikojmë vetëm ngjarjet në Kuvendin e Kosovës, sidomos në vitin 2016 dhe këto të fundit në 2017. Më tepër është derdhur lot krokodili qoftë edhe për rastet tragjike dhe me siklet, është bërë show – spektakël me diskutimet tona patetike, për të bërë luftë të ulët politike. Kjo është më tepër se poshtërsi njerëzore. Atëherë, çfarë është roli i kuvendit në rrethana të tilla, të papërgjegjësisë totale ndaj qytetarëve që kanë votuar këta deputet, ( e prapë kanë fytyrë të kërkojnë rritjen e pagave, të cilat as 50 % deri me tani të tanishmet,(e që nuk janë të vogla) nuk i kanë arsyetuar.
Kuvendi si burim kryesor i sovranitetit të vendit në realitet duhet me qenë themel i miratimit të ligjeve, me të cilët i jep autorizime ekzekutivit dhe gjygjësorit. Ai kishte me qenë qendër e pushtetit, e jo ekzekutivi i cili shpesh delë mbi kuvendin dhe gjygjëtarët i ka shndërruar në aparat të vetin. Për këtë grumbullohen dhe parashkruhen lëndët dhe për këtë çdo pushtet i ka gjygjëtarët e vetë dhe të burgosurit e vetë.
Po përfolët se politikanët e pozitës dhe opozitës përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve, por kjo nuk po duket. Deputetët janë të kurdisurit e partive politike, nuk kanë as lidhje direkte as indirekte me qytetarët, nuk kanë as kurrfarë përgjegjësie, siç është dëshmuar deri me tani.
Të ndërtojmë sistemin e vlerave shoqërore
Në qoftë se e bëjmë ndarjen e pushteteve ( e ai është i kapur edhe nga pozita edhe nga opozita), fitojmë platformën mbi të cilën duhet ndërtuar institucionet. Vetëm përmes zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, reformave të thela në arsim, shëndetësi dhe drejtësi, ku deri me tani kemi bërë gabime kardinale ( edhe krime), mundemi me krijua sistemin e vlerave shoqërore.
Testi –PISA në arsim nuk ka zbuluar as gjë të re. Kjo është një çështje që nuk kemi dashtë ta pranojmë, por edhe zogjtë e malit e kanë ditur, bile shumë më herët.
Por, a na nevojitet edhe një test – “PISA” për ekonomi, për drejtësi, për shëndetësi e që ne s’paku ta pranojmë gjendjen aktuale.
E pamë se çka ndodhi vitin e kaluar me ish rektorin e UP. Prof. dr. Ramadan Zejnullahun, i cili fillojë të ndryshojë pozitivisht gjendjen në UP, mezi që e shpëtoi kokën nga ata që brenda natës kryen fakultetin dhe doktoruan. Universitetet dhe shkollat duhet ta kenë autonomin e vetë të plotë, por duhet t’i dinë edhe vijat e kuqe. Prapa vijave të kuqe duhet të qëndrojë shteti, i cili duhet të kontrolloj zhvillimet degraduese për arsimin dhe shtetin, qoftë pra edhe në universitet.
A janë klikat -grupet e ndryshme kriminale të interesit sot më të forta se sa shteti ? po del qe po.
“Me lojtarë të tillë, ne si shtet nuk po mundemi të kualifikohemi as në Ligen Ballkanike e lerë më në UEFA” – ( Evropë ). S’paku këtë e kemi dëshmuar në 17- vitet e fundit, sepse njerëzit me diploma të dyshimta të padijshëm dhe të korruptuar deri në fyt kanë zënë vendet kyçe në politikë. Për këtë, Kosova është vendi më i pazhvilluar në Evropë, e qytetarët e Kosovës të vetmit në Evropë sot janë të getoizuar dhe nuk kanë as liberalizim të vizave.
Në anën tjetër për çdo vit po rritet numri i të diplomuarve të dobët, e po zvogëlohet numri i ekspertëve të mirëfilltë të cilët fatin e tyre e kërkojnë në shumicën e rasteve jashtë vendit./rajonipress/


