RCCOLA

Shteti që të dhunon

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – ​Vasfije Krasniqi-Goodman nuk kërkon mëshirë, por drejtësi. Drejtësi nga shteti që tash 20 vjet thuajse nuk ka bërë asgjë për të dhe 20 mijë të tjera si ajo. Drejtësi nga shteti, presidenti i të cilit pranon të ulet në tavolinë dhe të nënshkruajë marrëveshje me njeriun që ishte pjesë e regjimit që ia shkatërroi jetën asaj dhe të tjerave si ajo. Dekorata më e mirë për Vasfije Krasniqin është vënia në vend e drejtësisë. Ajo nuk e meriton të dhunohet për së dyti.

Vasfije Krasniqi-Goodman u dekorua të enjten nga presidenti Hashim Thaçi me medaljen për guxim e trimëri por, më shumë se për të tilla nderime, ajo ka nevojë për drejtësi. Ajo, bashkë me 20 mijë të tjera gra janë viktima të luftës, por janë edhe viktima të shtetit të tyre, të shoqërisë së cilës i përkasin.

Rasti i Vasfijes është vetëm një ndër njëzet mijë që presin drejtësi – jo lëmoshë, jo mëshirë. Presin drejtësi nga shteti, në institucionet e të cilit ka punuar më se një dekadë e gjysmë një ndër të dyshuarit për dhunimin e vajzës atëherë 16 vjeçare, e cila para pak ditësh na përplasi për fytyrë të gjithëve rrëfimin e saj rrëqethës, rrëfimin që është sinonim i krimit të atyre që dhunuan, vranë e ikën nga këtu dhe sinonim i turpit të neve që mbetëm të gjejmë drejtësinë për viktimat.
Vasfije Krasniqi, me guximin e një gruaje që tragjedinë e vet e vuri në funksion të gjetjes së drejtësisë për të dhe të tjerat si ajo, tregoi se sa të dobët vazhdojmë të jemi teksa, si shoqëri e shtet, nuk ia kemi dalë ende të sjellim para drejtësisë asnjërin nga ata që janë autorë të krimeve monstruoze.

Fundamenti

Ajo nuk kërkon mëshirë, por drejtësi. Drejtësi nga shteti që thuajse nuk ka bërë asgjë për të dhe 20 mijë të tjera si ajo. Drejtësi nga shteti, presidenti i të cilit pranon të ulet në tavolinë dhe të nënshkruajë marrëveshje me njeriun që ishte pjesë e regjimit që ia shkatërroi jetën asaj dhe të tjerave si ajo. Dekorata më e mirë për Vasfije Krasniqin është vënia në vend e drejtësisë. Ajo nuk e meriton të dhunohet për së dyti.
* * *
Hashim Thaçi, ai që e dekoroi Vasfijen të enjten, ka pranuar pa kurrfarë kushtesh të ulet në tavolinë, të negociojë dhe të arrijë marrëveshje me njeriun, i cili ishte pjesë e regjimit kriminal që shkaktoi tragjedi të mëdha në Kosovë e rajon. Presidenti, i cili të enjten tha se burrat e Kosovës ndihen të turpëruar që nuk kanë bërë më tepër për këto raste, e ka pasur mundësinë që, pikërisht rastin e 20 mijë grave të dhunuara në luftë, ta paraqesë në bisedimet e Brukselit. Presidenti e ka pasur rastin që, përpara se të bisedojë me Aleksandër Vuçiqin për rregullimin e brendshëm të Kosovës dhe, më pas, ndarjen e saj, të diskutojë me të për mijëra të vrarë e të zhdukur, si dhe qindra milionë dëme të shkaktuara pikërisht nga shteti, që tash Vuçiq e udhëheq. Por, këtë nuk e ka bërë.

Presidenti e ka pasur rastin që të vendosë kushte në bisedimet me Serbinë, por është dorëzuar pa kushte, thua se Serbia nuk është përgjegjëse për krimet e kryera. Në këtë mënyrë, të dyshuarit për dhunimin e Vasfije Krasniqit dhe 20 mijë Vasfijave të tjera vazhdojnë të jetojnë të lirë, pa frikë se mund të ndëshkohen nga drejtësia. Ndonjërit nga ta, madje, shteti i Kosovës i gjen punë në insitucione dhe e paguan për një dekadë e gjysmë.
A ka turp më të madh se, 20 vjet pas luftës, të mos bëhet asgjë për këto gra të cilat, veç krimit, mbi shpinë bartin edhe damkën e nënçmimit nga shoqëria e shteti, që nuk iu ofron as ndihmë, as drejtësi?
* * *
Vasfije Krasniqi-Goodman të enjten u dekorua me medaljen presidenciale “Qytetar i Merituar i Republikës së Kosovës”. Medaljen ia dha presidenti Hashim Thaçi, i cili tash sa muaj ua dhunon trurin çdo ditë qytetarëve të republikës me idetë e tij të rrezikshme e aventuriere.
Ajo është qytetare e merituar e vendit të saj edhe pa e marrë këtë copë letër. Por, të tillë nuk janë ata që për të dhe të tjerat si ajo kujtohen vonë, shumë vonë, aq vonë sa çdo veprim që ndërmarrin duket si dhunim për së dyti.

Ajo është qytetare e merituar e këtij shteti, por shteti, institucionet, njerëzit në krye të tyre nuk kanë bërë asgjë për të. Përkundrazi, e kanë fyer duke mos e pasur prioritet drejtësinë për të dhe të tjerat si ajo, por interesat e veta dhe të të tjerave si vetja.
Për pak javë, Thaçi do ta takojë Vuçiqin sërish – jo për t’ia kujtuar krimin mbi Vasfije Krasniqin, jo për t’i kërkuar drejtësi për të kaluarën, por për t’i ofruar që bashkërisht të vendosin për të ardhmen e Kosovës. Të shtetit që nuk nderon, por dhunon.