Shteti paralajmëron masa ndaj keqpërdoruesve të votës

Gjilan – Institucionet e shtetit, prokuroria, gjyqësori dhe policia kanë paralajmëruar masa të rrepta ndaj keqpërdoruesve eventualë të votës së lirë në zgjedhjet e 3 nëntorit, në një debat të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Laura Pula, koordinatore nacionale për zgjedhje, ka thënë se ky është paralajmërim për të gjithë ata që mendojnë të abuzojnë me votën e lirë, duke nënvizuar se më 2010 pati mbi 1500 persona të akuzuar për manipulime në zgjedhje, që kryesisht ishin komisionarë. Drejtësisë nuk do t`i shpëtojë askush, ka thënë ajo, raporton rajonipress.
Jetish Maloku, kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka thënë se nuk do të lejohet asnjë lloj manipulimi me procesin zgjedhor. “Prokuroria do t`i godas të gjithë kryesit e veprave penale që cenojnë lirinë e votimit, para, gjatë dhe pas votimit, të gjithë ata që përdorin dhunë, kërcënojnë, votojnë disa herë për vete dhe të tjerët, që mashtrojnë, premtojnë, ndërmjetësojnë, zbulojnë fshehtësinë e votimit, asgjësojnë apo falsifikojnë dokumentet e votimit dhe të tjera, pa marrë parasysh nëse është person fizik, apo person zyrtar, të cilit i është besuar detyra gjatë zgjedhjeve”.
Kurse Zyhdi Haziri, kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan, ka thënë se ditën e votimit do të ketë gjyqtarë kujdestarë dhe se rastet e zgjedhjeve do të trajtohen me përparësi. Në rastet kur vërtetohet cenimi i votës së lirë, dënimi është prej 1-3 vjet burgim.
Haziri ka thënë se është duke u bërë edhe verifikimi i komisionarëve, për të parë nëse ndonjëri prej tyre ka qenë i dënuar ose është nën akuzë për keqpërdorim në zgjedhjet e kaluara.
Elmina Mahmuti, komandante rajonale e Policisë së Kosovës, ka thënë se policia është e përgatitur për ditën e zgjedhjeve dhe se i ka planet e saj për reagim. Policia do t’i mbulojë 117 pika në shtatë komunat e rajonit të Gjilanit, ku do të angazhohen 22 hetues rajonalë më të mirët dhe që janë trajnuar për këtë çështje.
Sokol Haziri nga AAK-ja, ka thënë se procesi zgjedhor duhet të ruhet, ngase ndryshe dëmtohet interesi i shtetit të Kosovës. “Nuk duhet të lejohet që interesi i shtetit të Kosovës të dëmtohet për interesa të individëve”, ka thënë Haziri.
Ismajl Kurteshi, kandidat për kryetar komune nga “Vetëvendosje”, ka thënë se prokuroria duhet të hetojë edhe në rastet kur po shtrohen darka e dreka për të blerë vota dhe kur po shfrytëzohen automjetet zyrtare për fushatë, kur mësimdhënësit po ftohen në tubime elektorale, kur po joshen nxënësit dhe fëmijët në çerdhe. Ky është një defekt i madh nga zgjedhjet e kaluara që nuk po riparohet.
Kurse Labinota Demi – Murtezi, kandidate e PD-së për kryetar të Gjilanit, ka thënë se kjo nismë dëshmon pjekuri nga institucionet e shtetit. Ajo ka thënë se PD-ja si parti konkurrente janë të vetëdijshëm dhe se personat që do t’i ruajnë votat do të jenë të ndershëm dhe se do të jenë transparentë.
Këtij debati i kanë kontribuuar me pyetje edhe pjesëmarrës tjerë. Por, jo të gjitha subjektet politike si dhe kandidatët e tyre për kryetarë komune i kanë dëgjuar këto paralajmërime, pasi që nuk kanë marrë pjesë në tryezën e Institutit Kosovar për Drejtësi, të cilën e ka udhëhequr Betim Musliu./rajonipress/