ARKATANA

Shteti model

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Edhe pse jo gjithmonë në qendër të vëmendjes, disa shtete të tjera më periferike ia kanë dalë që të arrijnë suksese, pikërisht në kohën kur të tjerët përjetojnë krizën.

Njëri prej tyre është Brazili, një histori suksesi që vjen si rezultat i luftës reale kundër korrupsionit dhe varfërisë, që ka sjellë si pasojë shtimin e lirive, mirëqenies dhe barazisë mes shtresave të ndryshme, duke fituar kështu edhe respektin e vendeve të tjera në botë.

Shoferi i autobusit, Luiz Bezera, për vite e vite të tëra, ndërsa shkonte nga puna në shtëpi, në lagjen e tij periferike Cantagalo, mendonte: Si do t’ia dalim edhe këtë natë unë, gruaja dhe vajzat e mia. Po përse vallë? Kjo, sepse lagjja e tij në periferi të një qyteti të madh, sikundër edhe qindra lagje të tjera të tilla në të gjithë vendin, ka qenë për shumë kohë një kosh i madh plehrash, ku mbizotëronte frika, prostitucioni, varfëria, droga dhe mungesa e sigurisë. Por në shumë raste, ky realitet sot, ka nisur që të ndryshojë.

Tashmë jeta e këtij shoferi ka ndryshuar dhe është në ndryshim të vazhdueshëm. Ai ka një shtëpi, edhe pse të vogël, më të pastër dhe më të rregullt dhe ankthi i vazhdueshëm po nis të zëvendësohet me ëndrrat. Ai thotë se për herë të parë, njerëzit e zakonshëm e të varfër të popullit po marrin pjesë dhe përfitime nga bumi ekonomik që po përjeton Brazili dhe për herë të parë në zemrat e tyre po lind shpresa.

Tashmë në moshën 67-vjeçare, Bezera ka dalë në pension nga puna e shoferit të autobusëve dhe është zgjedhur nga bashkëqytetarët e tij në krye të një shoqate civile. Kjo shoqatë, së bashku me qeverinë lokale dhe policinë, është përgjegjëse për 20 mijë banorët e zonës. Tani problemi për të dhe të tjerët që kanë marrë përsipër drejtimin e zonës është organizimi i punës për mbledhjen e plehrave dhe mbajtjen pastër të qytezës.

Plehrat duhet të mblidhen e të çohen gjetkë dhe jo të digjen e të shkatërrojnë ambientin si dikur. Për më tepër edhe krimet e dhunshme sa vijnë e po bien në këtë vend, sepse njerëzit më në fund mund të gjejnë punë dhe mund të fillojnë të planifikojnë një të ardhme ndryshe. Shpesh në të shkuarën grupet që qeverisnin lokalisht vendin duhej që të bënin pakte me mafien dhe grupet e gangsterëve, sepse ndryshe qëndrimi i tyre do të ishte i pamundur.

Policia ka qenë për shumë kohë indiferente dhe nuk zgjidhte asnjë punë. Gjithçka ishte zhytur në kaos dhe secili duhet t’i dilte zot vetes, sepse askush tjetër nuk mbante përgjegjësi për këtë.

Gjithsesi lagjja nuk mund të krahasohet me të kaluarën. Në qendrën e saj janë çelur edhe lokale të reja, madje ka edhe një kinema, si dhe janë hapur shumë biznese të vogla që kanë filluar të kenë fitim dhe klientë, për shkak të rritjes së mirëqenies së njerëzve.

E njëjta gjë dhe i njëjti përshkrim vlen edhe për Rion e madh dhe të zhurmshëm. Nëse një gazetar do të kishte shkuar për të bërë një reportazh në këtë vend, disa vjet më parë, do të ishte përqendruar vetëm te krimi, kaosi, droga dhe pasiguria që përjetojnë të gjithë banorët e tij. Një vend ku turistët paralajmërohen që të shmangin pjesën më të madhe të zonave të qytetit dhe ku nëse të ndodh gjë, policia nuk të del për zot, sepse të thotë: Të paralajmërova.

Fundamenti

Ndryshimet marramendëse janë pjesë e një mendësia ndryshe në qeverisje, edhe pse nuk mund të mohosh edhe ndikimin që ka në këtë drejtim organizimi i dy ngjarjeve të mëdha botërore, ai i botërorit të futbollit të vitit 2014 dhe i Olimpiadës. Brazili gjithmonë është konsideruar një vend me një potencial shumë të madh, por i paragjykuar dhe i lënë mënjanë, për shkak të problemeve shumë të mëdha me të cilat i është dashur që të përballet. Kjo, sepse në këtë vend qeveritë kanë qenë kaotike.

Sot ky vend, një ndër më të mëdhenjtë e Amerikës së Jugut, është pjesë e asaj lige vendesh në zhvillim të jashtëzakonshëm që njihet tani si BRIC, pra që përbëhet nga Brazili, Rusia, India dhe Kina. Këto vende janë grupuar bashkë, sepse konsiderohen rajone që po përjetojnë një rritje shumë të madhe ekonomike dhe që kanë një potencial ekonomik edhe më të madh, veçanërisht Kina dhe Brazili. Dhe ndërkohë, ky i fundit ndodhet në rrugën e shndërrimit në një fuqi të vërtetë me përmasa globale.

Vendi thuajse ia ka dalë mbanë që të balancojë buxhetin, të pakësojë ndjeshë

m borxhin e brendshëm e të jashtëm dhe të ketë një shtim të jashtëzakonshëm të vendeve të punës, pra një ulje të papunësisë. Pavarësisht se është një vend që sa po është shkëputur nga një situatë e vështirë, Brazili ndihmon edhe të tjerët në ndihma financiare dhe rezervat e tij në dollarë janë mbi 350 miliardë, duke e bërë kështu një vend potencial për të ndihmuar dhe madje shpëtuar edhe Bashkimin Europian. Posi ia ka dalë administrata e këtij vendi që ta bëjë një gjë të tillë, të arrijë kaq shumë në një kohë shumë të shkurtër? Brazili është 22 herë më i madh se Gjermania dhe ka 192 milionë banorë. Është një vend që ende vazhdon të mbajë mbi supe barrën e së shkuarës, barrën e një historie që është treguar jo e mëshirshme me vendin dhe popullin e tij.

Popullsia e Brazilit nuk është aspak homogjene dhe vendi nuk ka pasur traditë demokracie. Në fakt, në pjesën më të madhe të historisë, Brazili është trajtuar si një peng, si një garanci nga fuqitë e huaja. Pushtuesit portugezë ishin shumë brutalë në trajtimin që i bënë popullsisë vendase dhe ata e shfrytëzuan keqas Brazilin për gjithçka, duke e lënë, njëherazi, në varfëri, injorancë, krim përgjatë shekujve, duke filluar nga shekulli 16-të deri në shekullin e 19-të. Në vitet 90-ta, Brazili dhe ekonomia e tij prekën fundit. Krimi dhe dhuna arritën kulmin në qytetet kryesore të vendit dhe ankthi e gjendja e popullatës arriti edhe ajo në nivele maksimale.

Jeta në këtë vend ishte një ferr i vërtetë dhe për turistët një rrezik i madh. Në këtë kohë, individi që u shfaq dhe doli në pah me qëllim për të ndryshuar situatën ishte një social-demokrat i moderuar, Fernando Henrique Cardoso, që aktualisht është 81 vjeç. Në vitin 1993, në atë kohë ai ishte ministër i Financave dhe bëri bashkë mendjet më të ndritura të kombit. Krijoi një monedhë të re, realin modern, arriti që të ristrukturonte borxhin e jashtëm dhe hoqi barrierat doganore.

Disa industri të mbrojtura deri në atë kohë, nuk arritën që të mbijetonin ndaj këtyre ndryshimeve drastike, por mënyra e re solli edhe një besim të ri dhe konsumi nisi që të rritej e si pasojë edhe rritja ekonomike. Mënyra e qeverisjes së Cardosos ishte e tillë që mund të përmblidhej madje edhe në një udhëzues për “qeverisjen e mirë” dhe në fakt që nga ajo kohë edhe Banka Botërore, pra në vitin 1996, nisi që të publikonte udhëzuesin e “indikatorëve botërorë të qeverisjes”. Cardoso emëroi teknokratë në qeveri, në vend të politikanëve që ishin edhe miq të tij dhe e hapi vendin ndaj të gjitha mundësive, duke krijuar lidhje ekonomike ndërkombëtare dhe u shpërblye për përpjekjen e tij, kur Brazili e zgjodhi President në vitin 1994 dhe e rizgjodhi edhe 4 vjet më pas.

(Der Spiegel)