FIDANISHTJA

Shteti i paradokseve

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Enis Veliu – Rrëfimi i ish- ushtarit të UÇK-së, Kujtim Dërvishaj, është njëra prej shumë storieve të dhimbshme që e shënoi përvjetorin e gjashtë të Pavarësisë së Kosovës.

I lodhur nga gjendja e rëndë ekonomike, ish- invalidi i luftës së UÇK-së edhe më tutje së bashku me gruan dhe katër fëmijët e tij jeton vetëm me 65 euro në muaj, të cilat ai i merr në emër të asistencës sociale nga Ministra e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Nëse bëjmë një përllogaritje të thjeshtë, del se familja 6 anëtarëshe brenda një ditë ka në dispozicion vetëm 2 euro e 10 centë, apo nga 36 centë për kokë banori, e me këto mjete aktualisht mund ta blesh vetëm një bukë e cila peshon më pak se 350 gram.

Gjendja e rëndë ekonomike gjithnjë e më shumë po del në pah në vendin tonë.

Politikanët gjithnjë e më shumë po pasurohen. Këta kanë ndërtuar pallate luksoze, ngasin vetura të shtrenjta, e bëjnë jetë mbretërore. E fëmijët e tyre sillen si trashëgimtarë të fronit mbretëror. Kur këta sulmojnë, apo e akuzojnë dikë, viktima akuzohet nga shteti për raportim të rastit.

Nuk ka kaluar shumë kohë, kur fëmijët e shefit të grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci grushtuan policin në detyrë. Rasti kaloi në heshtje, edhe pse shumë prova mbetën në vendin e ngjarje. Madje edhe videoincizimi nga një pikë e karburanteve që ishte afër vendit të ngjarjes.

E në anën tjetër qytetarët që jetojnë me paga, gjithnjë e më shumë po varfërohen. Bizneset e dyshimta e të pista po lulëzojnë, e ato të pastra po mbyllen çdo ditë e më shumë.

Pak paradoksale, por e vërtetë. Politikanët kanë marrë rolin e biznesmenit, e disa nga biznesmenët janë bërë mburojë e tyre. Zakonisht kur ndërrohen qeveritë, ndërrohen edhe raportet. Këta ( politikanët) vazhdojnë me avazin e vjetër me partnerë të rinj, e ata që pësuan fillojnë me akuza, deri sa të kenë fuqi. Dikur ndalen dhe qajnë hallin në vetvete. Nuk janë të vogla rastet kur kanë përfunduar si qiraxhinj në ndonjë nga lagjet periferike të kryeqytetit.

Eco Higjiena

Garnitura aktuale politike (pozita dhe opozita) janë shndërruar në ujqër të tërbuar. Të gjithë janë vënë në gjah pas plaçkitjes. Pozita po tenton ta vazhdojë avazin. E opozita gjithnjë e më shumë po mundohet të rikthehet aty ku ishte.

Dorën në zëmër, ëmbël iu ka mbetur. Më kujtohet rasti i ish- ministrit të Punëve të Jashtme Skender Hyseni, ku një verë me para të taksapaguesve të Kosovës e pagoi 600 euro, aq sa asistenca sociale vjetore që merr ish- invalidi i UÇK-së Kujtim Dërvishaj, nga fshati Kastriot i Skenderajt. E turpshme, por fatkeqësisht e vërtetë.

Përreth një dekadë 45 ish- ushtarë të UÇK-së i kanë dhënë fund jetës së tyre në mënyrën më të keqe të mundshme.

Disa me litar në fyt, e disa me plumb në kokë. Të gjithë kishin hallin e njëjtë që sot e ka Dërvishaj, por edhe shumë e shumë bashkëluftëtar të tij që u harruan nga shokët. Dikur ishin të barabartë në front. Por, shumë të dallueshëm në liri.

Shteti po plaçkitet e po sundohet nga një numër i vogël njerëzish. Këtu qeveritarët dhe familjet e tyre bëjnë jetë evropiane. Ndërkaq qytetarët vazhdojnë të jetojnë sikurse në shtete të pazhvilluara afrikane.

Gjashtë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, ministri shkon në punë me veturë 60 mijë euro. E në anën tjetër më shumë se 160 mijë qytetarë që e votuan atë, jetojnë në varfëri të skajshme.

Në këtë shtet, qentë e ministrave ushqehen me mish viçi, e veteranët e luftës me bukë që i mbledhin nëpër kontejnerë të mbeturinave.