Uji Dea

Shteti i ‘mantelzinjve’

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Alban Selimi – Shëndeti është pasuria më e madhe që kemi. Kurse mjeku është ai që ne ia besojmë gjënë më të shenjtë – shëndetin dhe trupin tonë. Ndonjëherë edhe më shumë se kaq, jetën tonë!

Ndonëse shumë mjekë kryejnë punë të mëdha, janë disa nga ta që nuk e kanë ndjesinë e besimit që dikush u ofron. Së paku, kjo u dëshmua gjatë muajit tetor, që lamë pas, ku lajmet për shëndetësinë kryesisht ishin të zeza.

Rasti i gruas nga Lipjani, e cila ka përjetuar ankth të vërtetë gjatë lindjes së bebes në Klinikën e Gjinekologjisë kur ishte lënë në anestezion, pasi mjekët ishin zhdukur diku, ka treguar për papërgjegjësinë jo vetëm të stafit të gjinekologjisë në raport me një nënë të re. Nëna e re, stafit të gjinekologjisë nuk u kishte besuar vetëm shëndetin e saj, por edhe të bebes që e sillte në jetë.

Gruaja kishte mbetur mbi dy orë në sallë të operacionit me anestezion spinal, duke pritur mjekët e ‘zhdukur’, derisa në Klinikë atë të diel të fillimit të tetorit, ishte detyruar të shkonte drejtoresha e gjinekologjisë Myrvete Paçarada, që pacientes t’i kryhej operacioni.

Por, as pas një muaji, nuk është ndërmarrë asnjë masë ndaj mjekëve që lanë pacienten në sallë, duke rrezikuar atë dhe frytin e saj. Satisfaksion për menaxhmentin e gjinekologjisë është fakti që bebja dhe nëna kanë shpëtuar, kurse me rastin po merret Komisioni Etik dhe Profesional. Ky komision, për një muaj nuk ka përfunduar këtë rast, ndonëse ka shumë argumente për atë që ka ndodhur. Varësisht zotimeve se ky rast do të zgjidhet drejt dhe shpejt, mjekët punojnë aty dhe asnjë masë nuk është ndërmarrë ndaj tyre. Inspektorati i Shëndetësisë, si institucion shtetëror për të hetuar shkeljet e të drejtave të pacientëve, asnjëherë nuk ka raportuar se çka ka ndërmarrë për këtë rast. Fjala e shtetit ka munguar karshi rrezikimit të jetës së nënës dhe fëmijës.

Hidromorava

E vetmja lëvizje minimale pas këtij skandali, është bërë në Klinikën e Gjinekologjisë. Drejtoresha ka prishur ‘tandemet e miqve’, duke mos i lënë që të kujdestarojnë bashkë. Por, kjo nuk besohet që do të sjellë ndonjë ndryshim të madh në kualitetin e shërbimeve, duke pasur parasysh se në Klinikë të gjithë e njohin njëri-tjetrin.

Një rast po aq tronditës ishte ai i mesit të tetorit, kur u zbulua se në barkun e një pacienteje të re, ishte lënë një skalper, pas një operacioni që vajza kishte bërë në Klinikën Gjermane Gjinekologjike. Atje, e reja kishte shkuar pas një trajtimi afatgjatë në repartin e Hematologjisë të Klinikës Interne. Dhe, ikja nga spitalet publike, nuk i kishte sjellë të mirat e pritura vajzës së re. Ajo do të duhej kthyer sërish në klinikat shtetërore, për t’u rioperuar, për ta larguar skalperin që në barkun e saj e dyshohet se e kishte harruar pas operacionit mjeku titullgjatë Dr.sci. Naim Shabani, gjinekolog-onkolog, patolog-citolog. Ky i fundit u arrestua, mirëpo besimi u zbeh. Vajza sërish do të duhej operuar, duke iu nënshtruar edhe një herë traumës së anestezionit dhe briskut.

Në Inspektoratin Shëndetësor, pas më shumë se dy javë që mjeku ishte arrestuar, nuk kishin ide se çka ka ndodhur me rastin. E doktori, vazhdon të reklamojë Klinikën Gjermane, madje duke përdorur edhe fotografitë e ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani. E në këtë katrahurë rastesh që nuk ka vullnet shtetëror të zgjidhen, ministri Agani nuk ka munguar nëpër fushata. Ndonëse raportet e fundit spitalore, flasin se Ministria e Shëndetësisë nuk po arrin më të përmbushë as listën vitale, të ‘tkurrur’ nga Lista Esenciale. U tha se spitalet nuk kanë ilaçe as për ilaç. E pacientët, po blejnë gjithçka, edhe kapelat e mjekëve për operacion edhe kalaçet, edhe ilaçet më të thjeshta. Skamja e madhe ka bërë që qytetarët shpesh t’iu besojnë të pabesëve gjënë më të shtrenjtë që kanë. Jo me fajin e tyre, por me faj të shtetit të ‘mantelzinjve’.

(Autori është Redaktor në gazetën Tribuna)