Fundamenti

Shteti godet investitorët

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Enis Veliu – Një kompani austriake, e cila ka investuar në modernizimin e ndërmarrjes për pastrimin e qytetit në Gjilan, është duke shqyrtuar mundësitë e fundit për t’u larguar nga vendi ynë.

Problemet e shumta artificiale të shfaqura sidomos gjatë vitit të fundit janë bërë të papërballueshme për investitorët austriakë, të cilët biznesin e tyre pos Kosovës e ushtrojnë edhe në Maltë dhe Slloveni.

Të joshur nga fuqia e lirë punëtore, infrastruktura e mirë ligjore dhe rrugore, investitorët austriakë investuan një pjesë të kapitalit të tyre në shtetin tonë. Por, të lodhur nga presionet e punëtorëve, të cilët kohë pas kohe po bojkotojnë punën, duke organizuar greva dhe duke bllokuar automjetet e kompanisë, por edhe presionet nga partnerët e tyre (Kuvendi Komunal), i cili është pronar i 49% të aksioneve në kompaninë e pastrimit “EcoHigjiena”, nga pronarët po konsiderohen si arsye të mjaftueshme për ta braktisur Republikën tonë.

Këta të fundit po përdorin mjetet e fundit që problemet e tyre t’i zgjidhin në mes të punëtorëve të komunës, por nëse dështon përpjekja e fundit, ata kanë paralajmëruar se për problemet e tyre do t’i drejtohen Gjykatës së Arbitrazhit.

Neglizhenca institucionale dhe moszbatimi i kontratave të nënshkruara thuajse është bërë modë në shtetin tonë.

Shumica e atyre që i nënshkruajnë ato (kontrata) gëzojnë privilegje, por edhe përgjegjësi njëkohësisht. Të parat gjithmonë i shfrytëzojnë vetë, e për të fundit pasojat i bart shteti.

Para pak kohësh Gjykata e Arbitrazhit ka marrë vendim që Republika e Kosovës t’i kompensojnë shtypshkronjës austriake 5 milionë euro për shkëputje të kontratës për shtypje të pasaportave.

Shuma që shteti duhet të kompensojë si pasojë e papërgjegjësisë së zyrtarëve është e barabartë me 16.666 paga mesatare në Kosovë. Me këto mjete shteti së paku kishte mundur të hapë për një vit 1388 vende pune të cilët do ta merrnin një pagë, sa është ajo mesatare në vendin tonë.

FIDANISHTJA

Por, nuk është rasti vetëm kjo kur institucioni nuk zbaton kontratën e nënshkruar. Rasti i “Z Mobile” ku një gjykatë e arbitrazhit e obligon Telekomin e Kosovës që t’i paguajë operatorit virtual “Z Mobile” më shumë se 30 milionë euro për mospërmbushje të kontratës është një goditje e rëndë për shtetin, por edhe për vetë kompaninë.

Kontrata e nënshkruar duhet të zbatohet ashtu siç është, nëse ajo nuk është në favor të institucionit atëherë duhet të ndëshkohen personat që e kanë nënshkruar atë, por çuditërisht këta triumfojnë edhe karshi sistemi të drejtësisë, kur fitojnë betejën në gjykata edhe atëherë kur veprimi i tyre ka dëmtuar rëndë ndërmarrjen, por edhe interesat e shtetit.

Si pasojë e neglizhencës, shantazheve të ndryshme, shteti gjithnjë e më shumë po goditet nga investitorët e huaj të cilët po ia kthejnë shpinën vendin tonë.

Rreth 100 milionë euro ka rënë vlera e investimeve të huaja gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2016, në raport me vitin paraprak. Investimet e huaja në vendin tonë në vazhdimësi po pësojnë trend negativ, pavarësisht premtimeve për mbrojtje dhe trajtim sa më të mirë institucional të biznesmenëve të huaj, të cilët një pjesë të kapitalit të tyre dëshirojnë ta investojnë në vendin tonë.

Duke u bazuar në të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2016 investimet e huaja në vendin tonë kanë arritur në 203 milionë euro në 301.4 milionë euro sa kanë qenë në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Duke u bazuar në të dhëna të BQK-së shihet se gjatë muajit tetor të vitit që lamë pas investimet e huaja në Kosovë kanë arritur vlerën në 21 milionë euro, derisa në muajin shtator ato kanë qenë 36.5 milionë euro. Në muajin gusht investimet e huaja kanë qenë 24.8 milionë euro, derisa në muajin korrik kanë qenë 36.2 milionë euro. Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna të BQK-së shihet se në muajin qershor nga Kosova janë tërhequr 5.5 milionë euro investime të huaja, derisa në muajin prill janë investuar 19 milionë euro. Në muajin mars në Kosovë nga investitorët e huaj janë investuar 26.1 milionë euro, në muajin shkurt 23.6 milionë euro dhe në muajin janar në Kosovë janë investuar 5.9 milionë euro.

E rënia e investimeve të huaja pa dyshim se do të reflektohet direkt në ekonominë e vendit, kur kihet parasysh fakti se shteti gjithnjë e më pak ka mundësi për investime për shkak të rritjes së vazhdueshme të borxhit.

Institucionet e vendit duhet të krijojnë lehtësira në praktikë, e jo veç në letër për investitorët e huaj të cilët një pjesë të kapitalit të tyre e investojnë në shtetin tonë.

Por, çuditërisht te na në vazhdimësi po ndodh e kundërta, investitorët e huaj po përballem me presione të shumta, e ku disa ende pa u vendosur këtu kanë ikur në Maqedoni, apo edhe në vende tjera të rajonit.