UBT

Shteti borxhli i bizneseve

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nuk janë vetëm bizneset borxhlinj të Administratës Tatimore të Kosovës(ATK). Edhe kjo e fundit vlerësohet se mban miliona euro para të bizneseve në arkën e vet, e cila gjë po e rrezikon likuiditetin e ndërmarrjeve.

Bëhet fjalë për vonesat në kthimin e Tatimit për Vlerën e Shtuar(TVSH) të bizneseve, ndonëse sipas Ligjit, çdo kërkesë e tillë e tatimpaguesit duhet të realizohet brenda 60 ditëve, mirëpo në shumë raste vonesat janë edhe më të mëdha.

Sipas Ligjit mbi TVSH-në, personi i tatueshëm mund të kërkojë rimbursimin (kthimin) e tatimit të paguar më tepër nëse: Personi i tatueshëm e bart shumën e tatimit të paguar më tepër për një periudhë të pandërprerë prej gjashtë muajve dhe shuma e tatimit të paguar më tepër i tejkalon pesëmijë euro, etj.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës(OEK), thotë për “Zërin” se bizneset e ndryshme në vazhdimësi ankohen në vonesat për kthim të TVSH-së nga Administrata Tatimore e Kosovës(ATK).

Sipas tij, në këtë drejtim bëhen edhe anime, ku bizneseve të caktuara u kthehet TVSH-ja në afat rekord, ndërsa për të tjerat ndodhin vonesa.

“Ka edhe anime nga ATK në përmbushjen e kërkesave të bizneseve për kthim të TVSH-së”, shprehet Gërxhaliu, duke shtuar se vonesat e tilla i godasin në veçanti bizneset prodhuese tek të cilat ulet likuiditeti, me ç’rast ato detyrohen të futen në kredi të ndryshme bankare(overdraft), që zakonisht janë të shtrenjta.

Kreu i OEK-ut sqaron se së fundi kanë pasur një ankesë nga një afarist nga Shqipëria, i cili ka investuar në Kosovë në ndërtimin e një fabrike për prodhimin e ushqimit të kafshëve.

Hidromorava

Si pasojë e vonesave në kthimin e TVSH-së nga ATK-ja, sipas tij, fabrika është mbyllur, me ç’rast 90 punëtorë kosovarë kanë humbur vendet e tyre të punës dhe njëkohësisht në mungesë të prodhimit vendor është rritur importi i ushqimit të kafshëve nga Serbia ka shënuar rritje.

Në anën tjetër, Sakip Imeri, zyrtar i lartë në Administratën Tatimore të Kosovës(ATK), thotë se në shumicën e rasteve rimbursimi i TVSH-së bëhet brenda afatit ligjor prej 60 ditëve, mirëpo, sipas tij, ndodhë që të ketë edhe vonesa më të mëdha në këtë drejtim.

“Vonesat ndodhin tek rastet më të komplikuara, ku kërkohet verifikim i dokumentacionit, i cili nuk kompletohet nga tatimpaguesit”, shprehet Imeri. Ai megjithatë nuk përjashton neglizhencën në kthimin e TVSH-së, ndonëse është duke u punuar që të eliminohen këto pengesa.

ATK mbrapa Doganës

Edhe në raportin e buxhetit të Kosovës për periudhën janar-gusht 2012, të përgatitur nga Ministria e Financave, shihen vonesa në këtë drejtim tek ATK-ja.

Progresi ndaj planit tek kthimet nga ATK-ja gjatë kësaj periudhe kohore është vetëm 61 për qind, ndërsa tek institucioni përgjegjës për grumbullimin e të hyrave kufitare, Doganat, kthimet arrijnë në 79 për qind.(zeri)