FIDANISHTJA

Shtetet e vogla dhe sfidat e sigurisë

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Nga Bekim Thaqi – Siguria në botën moderne, por edhe me herët gjatë historisë, ka qenë një preokupim i shteteve në përgjithësi, por veçanërisht shtetet e vogla kanë qenë ato që është dashur të kenë kujdes në krijimin e kushteve të sigurisë për qytetarët e vet, por edhe mbrojtjen dhe mos-rrezikimin e shtetit nga armiqtë.

Parimi i forcës dhe i ”peshkut të madh që ha peshkun e vogël” ka luajtur një rol të madh në trajtimin që shtetet e vogla i kanë bërë analizimit te kushteve, rrethanave dhe sfidave para të cilave janë përballë gjatë rrjedhave historike.

Shtetet e vogla, janë përballur gjithmonë me agresione nga fqinjët, por edhe nga apetitet e ndryshme të shteteve të mëdha, të cilat për nevoja të tyre gjeostrategjike kanë destabilizuar apo sfiduar sigurinë e këtyre shteteve, dhe nuk është e rastësishme qe shtizat gjithmonë thyhen në apo pranë shteteve të vogla dhe të dobëta.

Nëse shteti është i vogël dhe i dobët ekonomikisht, dhe po ashtu edhe politikisht jo-stabil do ta ketë mjaft të vështirë të ruaj një lloj suvereniteti të cilin e ka si shtet, pasi në masë të madhe është i varur nga shtetet tjera dhe bile i “shantazhuar”, sa herë që e lyp nevoja për hir të interesave të shteteve tjera. Në këtë mënyrë shtetet e vogla tentojnë të investojnë dhe forcojnë organet e sigurisë, dhe në të njëjtën kohë që të kenë një mirëqenie stabile ekonomike, dhe ta ruajnë atë. Politikat miqësore të shteteve të vogla shpeshherë janë të rëndësishme, mirëpo nuk janë kruciale pasi që kur ka interesa të caktuara gjeostrategjike, atëherë shtetet e vogla janë të parat që e mbajnë barrën e sulmeve nga palët kundërshtare.

Investimet në ushtri dhe polici, por edhe në sektorin e inteligjencës shpeshherë janë treguar mjaft të suksesshme në ruajtjen e një balanci të forcës për shtetet e vogla, mirëpo, nëse nuk kanë qenë të mbështetura nga politikat për zhvillim ekonomik aq sa duhet, atëherë nuk kanë mundur të mbajnë gjithë barrën e sigurisë. Kjo sepse tashmë modernizimet që kanë ndodhur në teknologjitë ushtarako-policore kërkojnë investime të vazhdueshme, dhe shtetet e vogla po e kanë gjithnjë e me të vështirë të përballen me këtë.

Eco Higjiena

Shtetet e vogla, mënyrën më të mirë dhe shpeshherë edhe të vetme për të dalë nga kjo situatë, po e shohin në anëtarësimin në blloqe të ndryshme ushtarake dhe aleanca ekonomiko ushtarake. Kjo pasi vet anëtarësimi ka kushte të caktuara për pranim, mirëpo edhe garanton suverenitetin dhe moscenimin e kufijve, pasiqë ta zëmë parimi i NATO-s është se nëse cenohet cilido shtet anëtar i saj, atëherë përgjigja ndaj kësaj sfide do të jetë e përbashkët, dhe për momentin kjo konsiderohet si politika dhe garancia me e mirë e sigurisë veçanërisht për shtetet e vogla.

Rasti i shtetit izraelit, është një shembull shumë i mirë i politikave të mira të sigurisë, ku një shtet i vogël me territor dhe me popullatë, mirëpo me një aleancë të ngushtë me shtetin amerikan ka arrite që të jetë një shtet i fuqishëm jo vetëm në rajon por edhe në botë.

Ekzistojnë edhe disa teori tjera si p.sh ajo ku shtetet e vogla duhet të mbajnë një lloj politike të pavarur dhe ta kenë mire me të gjithë por deri tani kjo është treguar jo edhe aq e sigurtë, pasi interesat gjeostrategjike dhe politike ndërrojnë shpejt dhe me vete këtë, këto shtete janë më në rrezik për sigurinë e tyre pasi nuk kanë asnjë shtet apo bllok ushtarak të fuqishëm pas vetes./rajonipress/

Autori Bekim Thaqi është analist i sigurisë