Hidromorava

Shtetësia, të parët do të përfitojnë shqiptarët e Preshevës

/ 3 minuta lexim

Tiranë – Qeveria shqiptare po bëhet gati që të zgjidhë sa më shpejt çështjen e shtetësisë për bashkëkombësit e vet që jetojnë në troje, përjashtuar Republikën e Kosovës. Burime pranë qeverisë shqiptare i bënë të ditur “Presheva Jonë” se shqiptarët e Luginës do të jenë të parët që do të përfitojnë nga kjo.

Përveç qytetarëve, banorë të komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, shtetësi do të marrin të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi, por edhe të gjithë pjesëtarët e diasporës që banojnë në Europë, SHBA e Kanada. Kushti i vetëm për këta qytetarë është që vendi ku banojnë te ketë marrëveshje për të lëvizur pa viza në hapësirën Shengen.

Më pas si të dalë akti ligjor, kushdo që dëshiron të marrë shtetësinë shqiptare mund të aplikojë formularët që do të shpërndahen në përfaqësitë diplomatike shqiptare, por edhe në zyrat e gjendjes civile në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë e më pas do të marrin shtetësinë sipas ligjit.

RCCOLA

Kryeministri Berisha deklaroi pak ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se “bazuar në ligjin nr. 8389, datë 5.8.1998, i ndryshuar, për shtetësinë, neni 9 pika 7, për interesa kombëtare, shtetësia shqiptare do t’u jepet sipas dëshirës së tyre, me aplikim, të gjithë qytetarëve me origjinë ose kombësi shqiptare, me dokumente të rregullta në vendet e zonës Shengen, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjetra me lëvizje të lirë pa viza në zonën Shengen.

Për qytetarët shqiptarë me banim në Kosovë, kjo çështje duhet të zgjidhet mbi bazën e marrëveshjes me qeverinë e Kosovës dhe ky proces nuk mund të cenojë apo ndërhyjë në procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës me Bashkimin Europian. Duke qenë se Shqipëria është para zgjedhjeve dhe listat dhe infrastruktura zgjedhore për vitin 2013 tashmë janë të përfunduara, e drejta e votës për këta qytetarë do të hyjë në fuqi pas amendimit konsensual të Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e tjera, pas qershorit 2013”. Në fakt, ligji për shtetësinë favorizon dhënien e citizenshipit edhe pa plotësuar kushtin e rezidencës 5 vjeçare. Pika 7 e nenit 9 të ligjit për shtetësinë, e përcakton qartë këtë kur thotë: “Të huajit, që ka mbushur moshën 18 vjeç, mund t’i jepet shtetësia shqiptare me natyralizim edhe në qoftë se nuk plotëson kushtet e këtij ligji”.Me marrjen e shtetësisë shqiptare, bashkëkombësit përkatësisht ata të Luginës së Preshevës, të cilët jetojnë ende nën një regjim që i shkel të drejtat kombëtare, mund të shkollohen apo të përfitojnë të gjitha shërbimet që i jep shteti shqiptar. Në fakt, ka gjasa që kjo të acarojë Beogradin, por Tirana zyrtare duket të mbrohet fort, pasi Serbia ka bërë të njëjtën gjë me diasporën e saj. Madje ka banorë të Shqipërisë, që e quajnë veten “pakicë serbe” që janë të pajisura me pasoshët e Republikës së Serbisë, siç ndodh edhe me shumë shtetas të republikës së Kosovës që janë me kombësi serbe apo dhe pakica të tjera, edhe pse i përkasin një shteti sovran njofton preshevajone.