Shtatëdhjetë kujtime për “Pavdekësinë… ” e Ali Podrimjes

Prishtinë – Smajl Smaka nuk e ka pasur ndërmend që të flasë në përurimin e librit “Pavdekësia e poetit”, për të cilin ai vetë ka mbledhur shkrimet e 70 personaliteteve të shquara shqiptare dhe të huaj, të shkruar për poetin emblematik, Ali Podrimja.
Ani pse me këtë ai ka kryer një amanet. Por miqtë e kanë lutur që në mesditën e së hënës, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare, ai t’i thotë dy-tri fjalë. E miku i tij, shkrimtari Ibrahim Kadriu, nga publiku ia ka kujtuar se do të ishte me interes të ndante me të tjerët rrëfimin për ballinën e librit. Smaka nuk ka ngurruar ta bënte këtë.
Ishte maji i vitit të kaluar dhe ata po ktheheshin nga qyteti i Bajram Currit, nga një manifestim poetik që po mbahej atje.
“Aliu pa në malet e Shkëlzenit emrin ALI të formuar nga bora e pashkrirë dhe doli në foto para saj. Fotografinë e bëri Xhemil Bytyçi, e Aliu tha se ajo do t’i shërbente për njërin nga librat e tij të ardhshëm. Por kjo mbeti për njërin nga librat për të”, ka thënë Smaka. Ky libër homazh për poetin më të përkthyer shqiptar është promovuar të hënën. Shtatëdhjetë shkrime, që flasin për personalitetin, jetën dhe veprën e Podrimjes, nuk janë mbledhur pa shkas. Poeti vdiq pak para se të mbushte 70 vjet.
Para se të flisnin panelistët, ka qenë Besiana Mehmeti ajo që ka kënduar pa përcjellje muzikore vargjet e njërës prej poezive më të njohura të Podrimjes, “Unë, biri yt, Kosovë”. Kjo i ka lënë vend fjalimit të Agim Gjakovës, njërit nga redaktorët e librit. Librin e Smakës ai e ka quajtur të veçantë. Libri që është mbështetur mbi kujtimet për poetin, sipas Gjakovës, ka emërues të përbashkët faktin se Podrimja është ndër poetët më të mëdhenj shqiptarë.
“Nuk mund të flitet për përmbajtjen e tij, sepse janë 70 autorë me pikëpamje, mendime, ndjenja, përshkrime, shpirtra të ndryshëm, të cilët e kanë njohur dhe kanë bashkëjetuar, bashkëpunuar e bashkudhëtuar me poetin. Por ky është një libër i veçantë, për t’i bërë homazh njërit nga poetët më të mëdhenj, për të mos thënë më i madhi”, ka thënë Gjakova.
Aleksander Zoto, Hans Joachim Lanksh, Kostas Valetas, Jevrem Berkovic, Jan Mihal Stuhi, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Gjelosh Gjoka, Vehap Shita, Besim Bokshi e Visar Zhiti, janë vetëm disa nga emrat e atyre që kanë shkruar për poetin Podrimja, enkas për botimin e “Pavdekësia e poetit”.
Shkrimtari e gazetari Ramiz Kelmendi, mik i poetit Ali Podrimja, fjalën e tij e ka përthekuar nën titullin “Pavdekësia e mikut”.
“Pa Aliun do të ishim shumë të varfër”, ka thënë Kelmendi, teksa ka pasur fjalë edhe për librin.
“Libri i zgjedhur me shije, dashuri e përkushtim i Smajl Smakajt, me titull fort të qëlluar dhe po aq të merituar, është para së gjithash një përkujdesje për mikun, mbase më të afërt të kohëve të fundit të jetës së tij”, ka thënë Kelmendi. “Njerëzit e mëdhenj, miqtë e mëdhenj, nderohen me vepra të mëdha”, ka shtuar ai.
Poetja Ilire Zajmi – që bëri udhëtimin e fundit me Podrimjen në korrik të vitit të kaluar për në Lodeve të Francës, për në festivalin e poezisë “Zërat e Mesdheut”, ku edhe gjeti vdekjen poeti – ka folur më shumë se veç për kujtimet e fundit për poetin.
“’Pavdekësia e poetit’ është njëra nga librat shembull ku shkrimtarët, miq, kolegë e studiues të veprës së Podrimjes hodhën në letër vlerësimet, përshtypjet dhe kujtimet e takimeve për poetin e pavdekshëm”, ka thënë Zajmi.
Akademik Rexhep Ferri, që poetin e njeh që nga bankat e shkollës së Normales në Gjakovë, ka bindjen se për poezinë e Podrimjes do të flitet më mirë sesa sot, nga gjeneratat e ardhshme. E kur ka folur për veprën e tij, akademik Ferri ka thënë se poezia e Ali Podrimjes ka një muzikalitet gjuhësor dhe një modelim të veçantë.
“Për poezinë sakrifikoi çdo gjë. E mbronte nga poetët e rrejshëm, nga tallavaja folklorike”, ka thënë akademik Ferri. “Ai ishte fatkeq, dhe a kërkonte fat më të madh e di vetëm poezia që e ka shkruar ai”, ka shtuar më tej Ferri.
Dom Lush Gjergji ka thënë se në botimin përkujtimor të Smajl Smakës po i plotësohet dëshira dhe kërkesa e Ali Podrimjes, si dhe premtimi që i kishte dhënë Smaka mikut të tij. Për Podrimjen dom Gjergji ka thënë se ka tejkaluar kohën dhe hapësirën në të cilën ka jetuar.
“Ali Podrimja, tani i liruar nga koha dhe hapësira, kronisti artistik i ngjarjeve tona në 50 vjetët e fundit, zëri poetik i Kosovës martire, jeton dhe shijon amshimin”, ka thënë Gjergji. (koha)