Shqiptarët vërshojnë Serinë A
Sezoni i ri në Serie A do të fillojë të shtunën dhe si kurrë më parë, pjesë e njërës prej tri ligave më të forta në botë do të jenë plot tetë futbollistë shqiptarë.
Kësaj radhe ekipet e disa prej tyre pritet të luftojnë për pjesën e epërme të tabelës dhe për kupat evropiane, e jo për mbijetesë, siç jemi mësuar t’i shohim vazhdimisht.
Sezoni i ri në Serie A do të nisë sonte me ndeshjen ndërmjet Fiorentinës dhe Udineses. Si asnjëherë më parë, pjesë e njërës prej tri ligave më të forta në botë do të jenë plot tetë futbollistë shqiptarë si: Lorik Cana, Erjon Bogdani, Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Përparim Hetemaj, Samir Ujkani, Migjen Basha dhe Agon Mehmeti.
Për dallim nga seç jemi mësuar t’i shohim vazhdimisht në të kaluarën, duke luftuar për mbijetesë, kësaj radhe, ekipet e disa prej tyre pritet të luftojnë për pjesën e epërme të tabelës në kampionatin italian të futbollit dhe për kupat evropiane.
Migjen Basha
Migjen Basha do ta shijojë për herë të parë elitën e futbollit italian. Edhe pse e pati një mundësi të tillë një vit më parë, me Atalantan, futbollisti nga Theranda preferoi të qëndronte në Serie B, ku i ishte bashkuar Torinos, për të bërë përvojë. Tash, futbollisti me pasaportë zvicerane ndihet i gatshëm për sprovat që do ta presin në Serie A, me ekipet dukshëm më të forta se ato të ligës së dytë. Me ekipin Granata, mesfushori kosovar, i cili shpejt mund t’i bashkohet Kombëtares shqiptare, pas rregullimit të dokumenteve, do të mundohet ta kalojë një sezon të qetë, pa rrezik për t’u rikthyer në Serie B.
Lorik Cana
Përkundër spekulimeve të vazhdueshme për një largim të mundshëm, Lorik Cana vendosi t’i mbetet besnik Lazios, së paku edhe për një sezon. Mesfushori kosovar, i cili vitin e kaluar ishte transferuar në Itali pas një eksperience të shkurtër në Galatasaray, e kaloi një edicion ku e përshkuan lëndime dhe bankina të shpeshta. Mirëpo, përfaqësuesi shqiptar nuk dorëzohet kurrë. Ai beson se ky do të jetë viti i tij dhe se Biancocelesti do ta shohin Canën e vërtetë. Sigurisht, këtë e shpresojnë të gjithë shqiptarët që i ka ish futbollisti i PSG-së, Olympique Marseilles, Sunderlandit dhe Galatasarayt, të cilët i ka gjakovari prapa.
Valon Behrami e Blerim Xhemajli
Si rrallëherë më parë, këtë sezon do të paraqiten dy futbollistë në një skuadër. Kjo do të ndodh në Napoli, ku Valon Behrami iu bashkua këtë verë Blerim Xhemajlit. Mesfushori kosovar i kushtoi ekipit napolitan rreth 8 milionë euro. Ai u bë menjëherë lojtar i rëndësishëm dhe i dashur në San Paolo, prandaj sezonin e ri do ta nis si titullar. Punët pak më vështirë i ka mesfushori shqiptar nga Maqedonia. Edhe pse bëri mbi 30 ndeshje sezonin e kaluar, Xhemajli duhet të djersitet shumë për ta bërë një vend në formacionin bazë të ekipit të Walter Mazzarrit. Ai mund t’i gëzohet largimit të Walter Garganos, që shkoi në Inter, për të pasur më shumë hapësira këtë sezon. Të dy futbollistët besojnë se Napoli do ta ketë një sezon të suksesshëm, pse jo ta fitojë edhe ndonjë trofe, pas Kupës së Italisë, të cilën e rrëmbeu sezonin që shkoi.
Samir Ujkani e Agon Mehmeti
Njëjtë siç ndodhi në Napoli, edhe Palermo ka bërë vend për dy futbollistë shqiptarë. Agon Mehmeti iu bashkua ekipit sicilian gjatë janarit të këtij viti nga Malmo e Suedisë, kurse portieri Samir Ujkani u rikthye pas huazimit trevjeçar në Novara, ku e bëri përvojën. Për dallim nga portieri kosovar, i cili sivjet konsiderohet si titullar në portën e ekipit Rosanero, pas lëvdatave dhe sigurisë që e ka marrë nga presidenti Maurizio Zamparini, sulmuesi kosovar e ka të pasigurt qëndrimin në Renzo Barbera. Për 21 vjeçarin, përfaqësues i ekipit U-21 të Suedisë, flitet se mund të huazohet në ditët e fundit të afatit kalimtar tek Novara, në Serie B, ku do të mund të luante më tepër, në krahasim me ekipin aktual, ku nuk ka hapësira të mjaftueshme.
Erjon Bogdani
Për Erjon Bogdanin, ky mund të jetë sezoni i fundit në elitën e futbollit italian. Sulmuesi shtatlartë është futbollisti shqiptar që ka luajtur më së gjati në dekadat e fundit në futbollin italian. Ai luan në Itali, ndërmjet Serie A dhe B qe 12 vjet, që nga viti 2000, kur ishte transferuar në Reggina. 35 vjeçari u rikthye vjet në Siena, pas një eksperiencë në Cesena. Ai mund të jetë një alternativë e mirë për ekipin bardh e zi, të cilin, me përvojën që ka, synon ta ndihmojë pa rënë nga liga, duke realizuar gola.
Përparim Hetemaj
Që kur u transferua në Itali, Përparim Hetemaj e gjeti rehatinë. Mesfushori kosovar po luan me sukses në elitën e futbollit italian, me ekipin e Chievos, ku është bërë lojtar i rëndësishëm. Ai u ka rënë në sy edhe ekipeve më të mëdha si Lazio, e cila do të mundohet ta bëjë të vetin deri në orët e fundit të afatit kalimtar të verës. Sidoqoftë, përfaqësuesi finlandez është i përqendruar tek ekipi nga Verona, me të cilin synon që ta mbyll sezonin në pjesën e epërme të tabelës.