RCCOLA

Shqiptarët ‘pushtuan’ Botërorin

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

2014-a e bëri një shqiptar kampion të botës në futboll. Shkodran Mustafi u bë kampion me Gjermaninë, duke triumfuar në ‘Brazil 2014’. Ndërkohë, Admir Mehmedi u bë shqiptari i parë që shënoi në një botëror, kurse Granit Xhaka shënuesi i parë nga Kosova.

Plot shtatë futbollistë shqiptarë ishin pjesëmarrës të “Brazil 2014”, duke dalë faqebardhë nga ky kompeticion. Zvicra ishte e ‘mbipopulluar’ me shqiptarë. Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Admir Mehmedi, është pesëshja që e përfaqësoi vendin Helvetik, ndërsa Shkodran Mustafi luajti për Gjermaninë e Adnan Januzaj për Belgjikën. Edhe pse Kosova e Shqipëria nuk morën pjesë në këtë eveniment, kjo shtatëshe i përfaqësoi denjësisht shqiptarët në Brazil.
Mustafi, kampion i botës

Shkodran Mustafi nuk e kishte menduar as në ëndërr se një ditë do të shpallej kampion i botës. Mirëpo, qendërmbrojtësit shqiptar realizimin e kësaj ëndrre ia mundësoi Gjermania, të cilën e përfaqësoi në Botëror. Ai ia pa hairin lëndimit të Marco Reus, për ta marrë ftesën për “Brazil 2014”, ndërsa debutoi në këtë kompeticion po ashtu falë paaftësisë për të luajtur nga ana e Mats Hummels. Mustafi u bë shqiptari i parë në histori që e fiton medaljen e artë në një Kampionat Botëror, pasi në vitin 1998, Ardian Kozniku e kishte fituar të bronztën me Kroacinë.

Mehmedi, golashënuesi i parë shqiptar

Admir Mehmedi u bë futbollisti i parë shqiptar që shënon gol në një Kampionat Botëror. Sulmuesi shqiptar nga Maqedonia e gjeti golin në ndeshje me Ekuadorin, në fitoren e Helvetikëve, 2:1 në fazën e grupeve. Ai u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë dhe e barazoi rezultatin, ndërsa në fund ekipi i Ottmar Hitzfeldit shënoi fitore.

Hidromorava

Xhaka, golashënuesi i parë kosovar

Nëse Mehmedi u bë futbollisti i parë shqiptar që shënon gol në një Kampionat Botëror, Granit Xhaka po ashtu e shënoi emrin e tij në historinë e popullit tonë. Në fakt, futbollisti prishtinas u bë lojtari i parë kosovar që shënon në Botëror. Mesfushori i Borussia Monchengladbachut shënoi në humbjen 2:5 nga Franca në fazën e grupeve, ndërsa një gol tjetër për Helvetikët në këtë duel e kishte shënuar paraprakishte Blerim Xhemaili, nga gjuajtja e lirë.

Shaqiri, “Hat-Tricku” i parë shqiptar

Xherdan Shaqiri ishte heroi i Zvicrës në Botërorin e Brazilit. Mesfushori kosovar e ndihmoi ekipin e Hitzfeldit të kalonte në të tetën e finales së këtij evenimenti. Në fakt, futbollisti i Bayern Munichut ia doli t’i mahnisë të gjithë, duke realizuar “Hat-Trick” ndaj Hondurasit, në duelin e fundit të fazës së grupeve, në fitoren 3:0, duke u bërë shqiptari i parë që shënon tregolësh në kompeticionin më të rëndësishëm në botë të futbollit.