UBT

“Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje“, pasqyrim realist i një kohe dinamike

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

„Ky libër, kjo kronikë pamore për shqiptarët në Zvicër, nuk synon të ofrojë një analizë për komunitetin tonë në Zvicër, por të shërbejë, para së gjithash, si pasqyrë e jetës dhe punës së shqiptarëve këtu“.

Në Bernë u promovua libri me titull „Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje“, i autorit Rexhep Rifati, dedikuar arritjeve të shqiptarëve në fusha të ndryshme në Zvicër.

Në moderim të Nazmi Jakurtit, të pranishmit në prezantimin e librit të gazetarit Rexhepi vlerësuan tematikën që autori ka marrë për shtjellim, si dhe arritjet e shqiptarëve në Zvicër.

Në këtë përurim kanë marrë pjesë personalitete zvicerane e shqiptare, që janë pjesë e këtij libri me 501 faqe dhe 1001 foto.

Në mesin e të pranishmëve në promovim ishte Christine Mühleman nga Zyra e Shtypit e Parlamentit Federal, Susanne Auer, mike e shqiptarëve dhe analistja Schneller, humaniste dhe po ashtu mike e komunitetit shqiptar në Zvicër.

“Kush nuk e njeh Rexhep Rifatin, gazetarin dhe fotografin e dashur, i cili është pjesë e pandashme e festave, e kuvendeve, e takimeve dhe e aktiviteteve të shumta kulturore e sportive shqiptare në Zvicër?”

Me këtë pyetje e fillon tekstin recensenti i librit të Rexhep Rifatit “Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje“ albanologu Basil Schader, i cili e vlerëson autorin si enciklopedi të gjallë të mërgatës shqiptare në Zvicër dhe rretheve të lidhura me të.

„Ky libër, kjo kronikë pamore për shqiptarët në Zvicër“, siç shprehet recensenti, nuk synon të ofrojë një analizë për komunitetin tonë në Zvicër, por të shërbejë, para së gjithash, si pasqyrë e jetës dhe punës së shqiptarëve këtu“, thekson Schader, fjalët e të cilit i sjell në promovim lektori i librit, Xhevdet Kallaba.

Libri i Rexhep Rifatit „Shqiptarët në Zvicër -1001 pamje“ është një monografi e mirëfilltë kushtuar shqiptarëve të Zvicrës, kësaj dege të shkëputur nga trungu gjatë disa dhjetëvjeçarëve të fundit, shkëputje që është bërë valë-valë dhe që ka marrë hov të paparë, sidomos para e gjatë luftës së fundit në truallin shqiptar të Kosovës“, këto janë fjalët që sjell nga Amerika njëri nga recensentët i librit, Hajro Hajra.

„Duke qenë edhe vetë pjesë e ndarë e këtij trungu për afro 17 vjet, gazetari Rexhep Rifati, me një jetë të tërë përvoje në gazetari, më mirë se kushdo tjetër e di si frymon mërgata shqiptare në Zvicër“, thotë Hajra.

Nuk janë vetëm shqiptarët objekt trajtimi i këtij libri. Personalitete të shumta zvicerane, të cilët në një mënyrë a tjetër lidhen me shqiptarët, zënë një vend jo pa peshë në këtë libër të Rexhep Rifatit, thotë Hajra.

Libri përfshin ngjarje e personazhe që rrokin një periudhë pak më të gjatë se një dekadë e gjysmë, pra gjithë atë periudhë kohore sa autori ka jetuar edhe vetë me këto ngjarje, me këta njerëz që janë pjesë e këtij libri.

„Këto janë dëshmi e mbajtjes gjallë të frymës kombëtare shqiptare, e ruajtjes së identitetit, posaçërisht të brezit më të ri, që shumë shpejt do të asimilohej, po të mos ishte angazhimi i gjithë këtij lumi veprimtarësh atdhedashës e kombdashës, të cilët, siç shihet edhe në libër, kanë bërë të pamundurën për ta ruajtur qenien kombëtare“, thotë mes tjerash recensenti Hajro Hajra.

KKVITI

Për redaktorin e librit, Blerim Shabani, nuk ka qenë dhe e thjeshtë të punohet në një libër, siç e quan ai, kaq të veçantë, çfarë është libri “Diaspora shqiptare të Zvicrës – 1001 pamje”, i autorit Rexhep Rifati.

Libri është një përmbledhje e artikujve të shkruar brenda një harku kohor prej rreth 15 vjetësh, por në thelb është më shumë se kaq.

„Kolegu im i nderuar, Rexhep Rifati, gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë pa diskutim kronisti më besnik dhe sigurisht më i pranishëm në jetën shoqërore të diasporës në Zvicër se ne të gjithë të tjerët të marrë së bashku“, tha Shabani.

“Vështirë të gjendet ndonjë personalitet, ndonjë themelatë shqiptare në Zvicër, e çfarëdo natyre qoftë, e cila sado pak ka lënë gjurmë në jetën e komunitetit tonë, e që nuk ka gjetur vend në librin “Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje”, tha Shabani.

Informatat që sjell libri “Diaspora shqiptare të Zvicrës – 1001 pamje” do të jenë të patejkalueshme për cilindo që do të marrë përsipër të shkruajë për shqiptarët e Zvicrës në kapërcyellin nga shekulli 20 në shekullin 21. Epokë dinamike kjo që përthekohet mjaft bukur brenda këtij libri, tha në këtë promovim redaktori Shabani.

Promovimin e librit e ka përshëndetur edhe ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj.

„Ky libër nuk është i zakonshëm, por hyn në radhën e librave të mëdhenj që janë pasqyrë reale e kontributit dhe zhvillimit të mërgatës sonë në Zvicër“, ka thënë në një letër ambasadori kosovar, Naim Malaj.

Librin e gazetarit Rexhep Rifati e ka vlerësuar edhe Shukrije Ramadani nga Ministria e Diasporës.

„Rexhep Rifati më është gjetur edhe në momente të lumtura dhe të hidhura të familjes sime“, tha Shukrije Ramadani.

Programi në promovim është përcjellë edhe me disa pika muzikore nga Rrezarta Beqiri, të ekzekutuara në lyrën antike.

Duke falënderuar publikun e pranishëm, autori i librit, Rexhep Rifati, ka shprehur kënaqësinë që ka arritur në këtë moshë të sjellë në dritë një libër monografik të shqiptarëve në Zvicër.

„Sa më tepër kam punuar në libër, aq më shumë kam vërejtur mangësi, pasi nga dita në ditë kishte arritje të tjera të shqiptarëve“, tha autori i librit.

Përgatitjen teknike të librit e ka bërë Skënder Hajdari, ndërsa botues është “Instituti Albanologjik- Albanisches Institut” St. Gallen. Libri është shtypur në “Prograf” në Prishtinë. Promovimi i librit “Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje”, do të bëhet edhe në qytete të tjera të Zvicrës./Sevdail Tahiri/albinfo/