Shqiptarët në Serbi kërkojnë trajtim sikur të serbëve në Kosovë

Preshevë – Sot në Preshevë mbahet mbledhja e këshilltarëve komunalë shqiptarë nga komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Sipas informatave që i transmeton B92, shqiptarët do t’i bëjnë kërkesë Serbisë që sipas modelit të veriut të Kosovës, në Serbi të formohet bashkësia e komunave shqiptare.
Kjo kërkesë do të bëhet nga 74 këshilltarë komunalë shqiptarë të këtyre tri komunave në Luginën e Preshevës.
Agjencia serbe B92 raporton se kryetari i komunës së Preshevës dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve Ragmi Mustafa, nuk ka dashur të tregojë pse do të mblidhen këshilltarë komunalë
“Ne në mbledhje do të ofrojmë një dokument që do të jetë platformë jona në marrëveshjet e ardhshme ndërmjet Beogradit dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka thënë shkurt Mustafa.
Ngjashëm është përgjigjur edhe Skender Destani, lider i Unionit Demokratik të Preshevës duke theksuar se me këtë dokument shqiptarët to t’i përgjigjen ofertës së Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve që ua ka dorëzuar Trupi Koordinues për këto tri komuna.
Më 25 shkurt në zyrën e OSBE-së në Bujanoc ka filluar dialogu i Beogradit me liderët të partive politike shqiptare në Luginë.
Pala shqiptare me këtë rast u ka dorëzuar subjekteve ndërkombëtare një letër me tetë kërkesa.