ARKATANA

Shqiptarët në Luginë duan të drejta të garantuara

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Shqiptarët në Luginën e Preshevës kërkojnë të drejta të barabarta me serbët e Kosovës, por opinionet sesi të arrihet kjo ndryshojnë.Gjatë një demonstrate paqësore javën e shkuar, grupi i shqiptarëve u kërkoi autoriteteve serbe t’u japin të drejta të garantuara e jo të përdorin standarde të dyfishta.

Lugina e Preshevës në Serbinë Jugore është qendra e shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

“Mbështesim qëndrimin tonë mbi të drejtat që u janë garantuar serbëve të Kosovës. Kërkojmë të njëjtat të drejta”, tha për SETimes, Ramiz Latifi, kryetar i këshillit komunal të Preshevës.

Latifi tha se në qoftë se të drejtat e tyre nuk janë garantuara, politikanët e Preshevës do të ndryshojnë qëndrimin e tyre. Udhëheqësit politikë shqiptarë në Luginë u kanë dërguar kërkesa autoriteteve serbe për zgjidhje mbështetur në dialog, mjete paqësore e bashkëpunim me autoritetet e Beogradit.

Një ndryshim në reagimin e tyre politik mund të shkojë nga më pak bashkëpunim me autoritetet e Beogradit, në kërkimin që një forcë ndërkombëtare të vendosej në Luginë.

Anëtarët shqiptarë të këshillave komunalë në Luginën e Preshevës, Preshevë, Medvegje e Bujanovc hartuan një dokument në mars, duke i kërkuar Beogradit të gjejë zgjidhje për çështje si siguria, çështjet ekonomike, përdorimi i gjuhës dhe simboleve dhe decentralizimi i gjykatave.

Ata kërkuan gjithashtu që mbështetur në modelin e Kosovës së veriut, të ngrihej një shoqatë e komunave shqiptare në Serbi.

Jonuz Musliu, kryetar i Lëvizjes së Përparimit Demokratik, tha se qytetarët e Preshevës po kërkojnë zgjidhje të problemeve të shqiptarëve në këtë zonë që më 2001. Ai tha se marrëveshja e Konçuljit, që i dha fund konfliktit midis Ushtrisë Çlirimtare për Preshevën, Medvegjen e Bujanovcin, nuk është zbatuar.

“Zëri i shqiptarëve në Luginë nuk është mbajtur parasysh. Në qoftë se shqiptarëve nuk u jepen të drejtat e tyre, gjendja do të radikalizohet”, tha Musliu për SETimes.

GRANDEMALL

Shumica e shqiptarëve në Luginën e Preshevës duan që të drejtat e tyre të respektohen e garantohen, por jo gjithkush është dakord se radikalizimi është mënyra për ta arritur këtë.

Besnik Sadiku, një mësues në Preshevë, tha se shqiptarët kanë kohë që mbështesin një zgjidhje politike paqësore. Sipas tij, çështja e të drejtave për shqiptarët në luginë duhet të ishte pjesë e bisedimeve midis Prishtinës e Beogradit.

Shkumbin Rexhepi, dentist në Preshevë, thotë se gjithçka duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut.

“Në qoftë se faktori ynë politik do të jetë i bashkuar, kjo do të jetë më e lehtë”, tha Rexhepi.

Dren Doli, studiues për Grupin e Kosovës për Studime Politike e Ligjore në Prishtinë, tha se Serbia duhet të fusë mekanizma të mbrojtjes së lidhur me pakicën shqiptare në Luginën e Preshevës dhe grupe të tjera etnike që jetojnë në Serbi.

“Nëpërmjet këtij veprimi, Serbia ofron prova të mjaftueshme se është e përgatitur të ndryshojë dhe është e gatshme të fusë vlerat e BE-së”, tha Doli. “Natyrisht, lidhur me këtë, Kosova jep një shembull të vlefshëm për sa i përket mbrojtjes kushtetuese të të drejtave të pakicave etnike dhe anëtarëve të tyre”.

Doli shton se është thelbësore që Prishtina t’i bëjë presion qeverisë serbe për të shtrirë të drejtat e duhura dhe garancitë kushtetuese për shqiptarët që jetojnë në Serbi.

“Kjo mund të arrihet nëpërmjet mjeteve diplomatike. Natyrisht, për shkak të rëndësisë që ka mbrojtja e pakicave etnike, kur krahasohet me shansin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosova mund të këmbëngulë që çdo ecje më tej e Serbisë ndaj BE-së të shoqërohet me garancitë kushtetuese për pakicën etnike shqiptare që jeton në Luginën e Preshevës”, thekson Doli. /Telegrafi/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.