Shqiptarët më së paku e agjërojnë Ramazanin

Agjërimi është njëri nga pesë kushtet bazë të fesë islame, mirëpo vendet e Ballkanit më së paku në botë e respektojnë muajin e shenjtë të Ramazanit. Kështu raporton agjencia turke e lajmeve Anadolia, e cila i referohet rezultateve të fundit të Institutit “Pew” lidhur me agjërimin.
Sipas këtij instituti, Shqipëria si vendi gati me më shumë mysliman në Ballkan, më së paku e agjëron muajin e Ramazanit.
Në Shqipëri, vetëm 44 për qind e besimtarëve myslimanë agjërojnë Ramazanin. Në Bosnjë-Hercegovinë agjërojnë 75 për qind e myslimanëve, në Kosovë 76 për qind dhe në Maqedoni rreth 80 për qind e myslimanëve, raporton INA.
Gjithashtu, në vendet tjera të botës, ku popullsia myslimane është me shumicë, ata që agjërojnë më së paku janë myslimanët e Kazakistanit me 30 për qind, pastaj radhitet Azerbajxhani me 43 për qind, Uzbekistani me 50 për qind, Kirgizisë me 53 për qind dhe Kongo me 69 për qind.
Nga ana tjetër, numri më i madh i atyre që agjërojnë janë në Tajlandë, ku pothuaj se e tërë popullata agjëron, si dhe në Kamerun, Indonezi dhe Malajzi. Pastaj radhitet Maroko me 98 për qind e Çadi e Senegali me 97 për qind.
Gjithashtu, në shtetet tjera si Afganistan agjërojnë rreth 96 për qind e popullsisë, ndërsa në Egjipt e Turqi është 95 për qind e popullatës që agjërojnë.
Sipas hulumtimit të institutit Pew, 77 për qind e amerikanëve myslimanë janë deklaruar se agjërimi gjatë Ramazanit është shumë i rëndësishëm si pjesë e jetës shoqërore dhe fetare.
Rezultatet e hulumtimeve të Pew që janë bërë në 38.000 persona të fesë islame në 39 shtete tregojnë se 93 për qind e myslimanëve agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit.
Duke i shikuar në bazë të kontinenteve, numri më i madh i myslimanëve në botë që agjërojnë janë në Azinë juglindore, ku 99 për qind e popullatës myslimane agjëron në Ramazan. Pastaj vjen Azia jugore me 96 për qind, Lindja e afërt dhe Afrika Veriore me 93 për qind.
Gjithashtu është Afrika e Saharës me 91 për qind, Evropa dhe Evropa Jugore me 62 për qind ndërsa në vendin e fundit gjendet Azia Qendrore me 58 për qind.