KKVITI

Shqiptarët me banim në Bruksel festuan Përvjetorin e 102 të Pavarësisë

/ 7 minuta lexim
Hidromorava

Nga Eden Babani, Fotomontazhi Asllan Krasniqi – Emigracioni shqiptar i Brukselit është ndër më të vjetrit në Europën Perëndimore. Ai e ka zanafillën në vitet ’50 të shekullit të kaluar, qysh në dhjetëvjeçarin e parë të vendosjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri. Ishin vitet kur familje të tëra nacionaliste shqiptare, kryesisht nga trevat e Veriut, lanë vendlindjen, braktisën shtëpi e katandi, që t’i shpëtonin draprit komunist. Pas një odiseje të vërtetë nëpër Jugosllavi, Itali, Austri etj, ato u vendosën pjesërisht në Belgjikë dhe pjesërisht në Francë ose kapërcyen Atlantikun, për të arritur brigjet e tij perëndimore, SHBA-në dhe në Kanadanë.

Shumë pjesëtarë të atyre familjeve fisnike dhe me tradita patriotike ishin antikomunistë që patën luftuar me armë në dorë kundër forcave ashtu të quajtura partizane, por të drejtuara prej Shefqet Peçit, Ramiz Alisë etj., shitur me kohë te Beogradi, bashkë me udhëheqësin e tyre bastard, Enver Hoxhën. Më herët, nën trysninë e të dërguarve të Titos, udhëheqësit komunistë kishin mbjellë farën e urrejtjes ideologjike dhe kishin shpallur luftën civile. Me dyndjen drejt Veriut, tashmë ato synonin të mbillnin terror në popullatën atdhetare të atyre trevave, me qëllim që të dobësonin rezistencën patriotike në Kosovë dhe t’i hapnin rrugë pushtimit të saj nga Jugosllavia.

Që të bindemi për cilësinë e rrënjëve që hodhi emigracioni i hershëm shqiptar në Belgjikë, mjaft të sjellim në kujtesë emra atdhetarësh si Kolonel Muharrem Bajraktari, oficer i lartë i Mbretërisë, ose rrethin e tij familjar, farefisnor e miqësor, njohur denbabaden për atdhetarizëm si: Bashajt (Beqajt), Likajt, Litajt, Gjanajt e Lumës; ose Muratajt e Shishtavecit dhe, Islamajt e Malësisë së Tropojës. Mjaft të kujtojmë se një tjetër oficer i lartë i Mbretërisë, Gjeneral Prenk Pervizi, pas një endjeje nëntëmbëdhjetëvjeçare si emigrant në Greqi e Itali, u vendos gjithashtu në Belgjikë, ku jetoi derisa mbylli sytë, më 1977.

Nuk është e rastit që Enver Hoxha dërgoi më pas në Bruksel punonjës të Sigurimit, me qëllim përçarjen e emigracionit shqiptar të Belgjikës, të cilin e shihte si kundërshtar potencial për të ardhmen e klikës së tij. Nuk është e rastit, gjithashtu, që regjimi komunist angazhoi asohere njërin ndër shkrimtarët shqiptarë më në zë të kohës, Nasho Jorgaqin, të shkruante romanin famëkeq “Mërgata e Qyqeve”, me anën e të cilit mburrte e u thurte lavde spiunëve dhe pabesive të Sigurimit, ndërsa rrekej të përbaltte deri në shpërfytyrim atdhetarizmin dhe virtytet e atdhetarëve që e kishin shkruar historinë me bëmat dhe me gjakun e tyre fisnik.

Në këtë kontekst, unë mendoj se nuk është i rastit as ribotimi kohët e fundit i romanit të Jorgaqit në SHBA. Siç vërtetuan ngjarjet e këtyre ditëve që posa lamë pas, e majta shqiptare në pushtet e ka nxitur ribotimin e romani për qëllime propagandistike, në funksion të rehabilitimit të figurës së Enver Hoxhës. Pa asnjë vlerë artistike, por plot banalitete historike të tipit komunist, ribotimi i romanit i ka shërbyer Edi Ramës si “parathënie” e ngjarjeve të ditëve të fundit, me qëllim që të errësonte Festën Kombëtare të Shqiptarëve, në dobi të 29 nëntorit jugosllav.

Jam i bindur se, së paku, në emigracionin shqiptar të këtushëm, nuk ia ka arritur qëllimit.
Nuk kam informacion, ndaj edhe nuk flas dot për grumbullim të ndonjë grushti të kufizuar enveristësh të thekur, me rastin e 29 nëntorit, të ashtuquajturit 70-vjetor i çlirimit, të cilin me aq pompë u munduan t’ua shesin shqiptarëve Rama e Meta. Sepse edhe këtu mund të gjesh të tilla mbeturina nostalgjikësh e trushpëlarësh të regjimit komunist, çka do të thotë se nuk përjashtohet ndonjë “festim” i tillë në ndonjë lokal privat. Ama, edhe nëse ka ndodhur, s’ka bërë bujë, ka mbetur në surdinë.

KKVITI

Përkundrazi, Dita e Pavarësisë, 28 Nëntori i gjithë shqiptarëve, u festua ashtu siç e meritonte. Mjaft të përmend manifestimin në Sheshin Vanhuffel, përpara ndërtesës së Komunës së Koekelbergut – La Maison communale de Koekelberg – ose dy koncerte: njëri me këngëtarin shqiptar Alban Skënderaj, në Never-Over-Heembeek, në Komunën Bruksel-qytet (Bruxelles-vile), dhe tjetri me këngëtarë nga Shqipëria e nga Kosova, në Komunën Anderleht.

Me rastin e “Ditës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë” është njoftuar nga ana e Ambasadës së Shqipërisë edhe pritja e sotme (e hënë 1 dhjetor 2014), në Pallatin e Akademive (Palais des Académies), në Bruksel.

Por, pa dyshim, manifestimi në Sheshin Vanhuffel të Koekelbergut ishte më i spikaturi dhe më domethënësi. Organizuar me nismën e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues “Vatra” dhe personalisht të zotit Amet Gjanaj – i pari shqiptar i zgjedhur deputet në Parlamentin e Brukselit (Parlement de la Région Bruxelles-Capitale), më 25 maj të këtij viti – manifestimi mblodhi qindra bashkatdhetarë me banim në Bruksel. Manifestimi pati mbështetjen e plotë të vetë Kryetarit të Komunës, zotit Filip Pivin (Philippe Pivin), i cili ishte i pranishëm dhe ndoqi për së afërmi veprimtaritë e organizuara, me atë rast. Të pranishme ishin, gjithashtu, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, zonja Suela Janina, dhe Konsullesha, zonja Suzana Sulollari.

Nuk mund të ri pa përshëndetur edhe praninë e mjekut Zhoze (Joseph), në tubimin festiv të bashkatdhetarëve. Lindur në Kongo, mu në zemër të Afrikës, Zhoze-ja u rrit e u burrërua në Vlorën e Flamurit. Kurse sot, edhe se banor i Brukselit, e ndien veten shqiptar të vërtetë, madje lab të thekur Vlore. Nën ritmin e këngëve dhe të valleve shqiptare që mbushën Sheshin Vanuffel dhe vazhduan për orë të tëra, ai hidhej gëzueshëm. S’më shqitet nga mendja edhe se si vlonjati-kongolez brohoriste e përplaste shuplakat për bashkimin e trojeve shqiptare, mes flamujve shqiptarë dhe përbri flamurit me imazhin e Shqipërisë Etnike e të Ismail Qemalit, i cili sot ka marrë dhenë e valëvitet kudo ku ka bashkatdhetarë që e ndiejnë veten shqiptarë dhe që u rrjedh nëpër rremba bash gjaku shqiptar.

Nacionalist shqiptar, nga Kongoja!…

Ka më bukur për të shprehur ëndrrën tonë shekullore të bashkimit kombëtar? Dhe të mos harrojmë: 28 Nëntorin e sivjetshëm, ëndrra jonë pati fatin të gjallonte bash në Kryeqytetin e Europës së Bashkuar, bash në Sheshin Vanhuffel, atje ku ngrihet Statuja e Takimit, përmes së cilës – siç shihet edhe në montazhin fotografik të mikut tim Asllan Krasniqi – vepra e skulptores belge Annie Jungers, ngërthen dhe shpalos në mënyrë mbresëlënëse temën e bashkimit…/rajonipress/