RCCOLA

Shqiptarët e Maqedonisë “duan” luftë edhe në Iran

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Mbi 3000 tetovarë dhe 6000 kumanovarë aktualisht po punojnë në Irak dhe Afganistan. Kjo është shifra jo-zyrtare e shqiptarëve të Maqedonisë që nxjerrin bukën në zonat e krizës.

Sipas kërkimit të Qendrës për analiza ekonomike, 90 për qind e tyre nuk duan përsëri të punojnë në këto shtete, por shpresojnë t’u realizohet një nga tri opsionet e mundshme se si mbeten jashtë vendit:

Opsioni i parë është: pasi shumica kanë viza për SHBA të shkojnë të punojnë atje; i dyti të punojnë në zonat ku ka më pak përleshje ushtarake; derisa i treti është që të shkojnë në Iran, e atje të punojnë si logjistikë e ushtrisë së SHBA-ve dhe NATO-s.

Nëse nuk gjejnë punë të re pas vitit 2013-2014 kur përfundojnë misionet e NATO-s në Irak dhe Afganistan, atëherë Kumanovës dhe Tetovës i kërcënohet goditje e madhe ekonomike që do të lë pa punë shumë persona, pasi atje do të ndërpriten punimet në ndërtimtari dhe në veprimtaritë shërbyese, raporton Alsat M.

Qendra për Analiza Ekonomike rekomandojnë që këta punëtorë mjetet e fituara t’i investojnë në biznese. Opsioni i parë është që t’i japin në fonde investuese, ku profesionistë do t’ua investojnë mjetet për një normë solide të interesit, derisa opsioni i dytë është që komunat aktivisht të përfshihen në motivimin e këtyre qytetarëve.

RCCOLA

“Një plasman më pak i rrezikshëm i këtyre mjeteve është që përmes partneritetit publik dhe privat ku investuesi privat investon në kryerjen e disa shërbimeve publike, me çka komuna iu garanton një nivel të caktuar të të hyrave, do të kisha dhënë ndonjë fitim real objektiv dhe ulje të rrezikut të tregut nga falimentimi i këtyre firmave”, tha Hristian Ristoski nga Qendra për analiza ekonomike.

Rreth 35 për qind e atyre që punojnë në Irak dhe Afganistan për çdo vit në vend dërgojnë prej 10 deri 25 mijë euro, një përqindje të njëjtë dërgojnë prej 25 deri 50 mijë euro, derisa 30 për qind e të tjerëve dërgojnë ose më pak ose më shumë.

Vitin e kaluar të hyrat nga këto transfere janë rritur. Ndërkohë duhet theksuar se të hyrat e përgjithshme nga të gjithë mërgimtarët dhe punëtorët që punojnë jashtë vendit arrijnë në 1,5 miliardë euro në vit. Kjo është 20 për qind e Prodhimit Bruto Vendor dhe është për pesë herë më shumë se investimet e huaja të drejtpërdrejta të vitit të kaluar që ishin vetëm 300 milion euro.

Personat që punojnë në Irak dhe Afganistan më shumë mjetet i harxhojnë për mbijetesën e familjeve të tyre, për ndërtimin e shtëpive, për blerjen e banesave dhe hapësirës afariste si dhe për makina luksoze. Një pjesë e mjeteve i vendosin edhe në banka, derisa sipas Ristoskit, për hapjen e bizneseve të vogla dhe zhvillimin e bujqësisë thuajse aspak nuk janë të angazhuar. /Telegrafi/