Eko Higjiena

Shqiptarët e Luginës të harruar nga politika aktuale e Shqipërisë dhe Kosovës

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Kosova Lindore ka mbetur pasdore edhe nga Tirana edhe nga Prishtina. Askush nga dy kryeqytetet shqiptare nuk interesohet për ne ka thënë Sejdulla Kadriu.

Të martën përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje u takuan me përfaqësuesit e shoqatës “Vatra” nga Gjilani, shoqatë kjo e shqiptarëve të shpërngulur nga Lugina e Preshevës.

Të pranishëm në këtë takim ishin Sejdullah Kadriu, kryetar i shoqatës, si dhe anëtarët e kryesisë, Avni Veliu, Gani Shaqiri, Kushtrim Kadriu dhe Enver Haziri. Ata u pritën në zyrën Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga deputeti Glauk Konjufca, Sekretari për marrëdhënie me jashtë, Xhelal Sveçla.
Në takim u diskutua për problemet me të cilat ballafaqohen çdo ditë shqiptarët e Luginës së Preshevës, si dhe për negociatat politike që pritet të fillojnë mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e veriut të Kosovës.

“Është fatkeqësi e madhe që populli shqiptar atje, ballafaqohet çdo ditë me regjimin shtypës të Beogradit, pa u përkrahur nga Tirana zyrtare e as nga Prishtina zyrtare. Shqiptarët e Luginës janë të harruar nga politika aktuale e Shqipërisë dhe Kosovës”, u shpreh Glauk Konjufca.

Fidanishtja

Konjufca ndër të tjera shtoi se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të unifikohen dhe të kërkojnë llogari nga pushtetarët në Kosovë dhe në Shqipëri për shkak se problemi i Luginës nuk është problem vetëm i banorëve të asaj pjese por është problem i gjithë kombit shqiptar. “Të drejtat e pakicave në Kosovë duhet të jenë të barazvlefshme me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Shqiptarëve të Luginës edhe më herët i është premtuar se do të flitet për ta nëpër negociata me Serbinë, por gjithmonë është manipuluar me këtë çështje, e kurrë nuk është folur për ta. Duhet angazhim serioz institucional i Tiranës dhe i Prishtinës, në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.

Kryetari i shoqatës “Vatra”, Sejdullah Kadriu, u shpreh se me Serbinë nuk duhet të bisedohet pa kushte, e njëra nga kushtet kryesore duhet të jetë çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. “Kosova Lindore ka mbetur pasdore edhe nga Tirana edhe nga Prishtina. Askush nga dy kryeqytetet shqiptare nuk interesohet për ne. Ne kërkojmë që Tirana dhe Prishtina të investojnë më shumë në atë pjesë, në mënyrë, që të mos lëshohen trevat për shkak të hegjemonisë së Beogradit, pasi që siç e dini edhe ju Medvegja tani ka mbetur me vetëm 600 shqiptarë, e gjashtë fshatra të Malësisë së Bujanocit janë boshatisur komplet”, u shpreh Kadriu.

Anëtari i kryesisë së kësaj shoqate, Avni Veliu, theksoi se me marrëveshjen për lëvizje të lirë në negociatat e Brukselit, shqiptarëve të Luginës së Preshevës u është ngulur thika në shpinë, dhe se qeveritarët e Kosovës duhet të përgjigjen për këto veprime që po i bëjnë në dëm të shqiptarëve.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është kundër bisedimeve pa kushte me Serbinë, për shkak se këto bisedime gjithmonë kanë qenë dhe do të jenë në dëm të gjithë kombit shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës./rajonipress/