Shqiptarët e Luginës bllokojnë rrugën Bujanoc–Gjilan

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, kanë protestuar për më shumë se një orë në fshatin Konçul të Bujanocit, duke bllokuar rrugën magjistrale Bujanoc – Gjilan, në shenjë pakënaqësie për dhunën sistematike shtetërore serbe që, siç është thënë, po aplikohet ndaj shqiptarëve të këtushëm.
Dhjetëra qytetarë të Konçulit sot kanë protestuar duke bllokuar rrugën magjistrale Bujanoc-Gjilan për rreth gjysmë ore.
Protesta filloi në orën 12.00, me ç’rast banorët e këtij fshati kërkuan liri të lëvizjes dhe shfrytëzimit të pronave të tyre në këtë fshatë kufitar të komunës së Bujanocit.
“Jo rastësisht sot kemi bllokuar rrugën Bujanoc-Gjilan. Këta na detyruan ta bllokojmë rrugën. Historikisht kjo pjesë e donë paqen, por ushtria dhe xhandarmëria me njësitet speciale nuk na lënë të qetë”, u shpreh kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu, njëherit ish shef politik i UÇPMB-së.
“Përmes kësaj proteste i dërgojmë një mesazh të qartë Qeverisë në Beograd, jashtë Ushtria e Serbisë nga tokat tona, jashtë njësive speciale”, tha para të tubuarve Musliu, raporton Titulli.
Protesta e sotme u mbajt pasi që pjesëtarët e Ushtrisë së Serbisë nuk kishin lejuar banorët e Konçulit në shfrytëzimin e pronës private të tyre gjatë kullotjes së bagëtive.
Fshati Konçul gjendet në vijën kufitare me Kosovën, nëpërmjet të cilit kalon edhe magjistralja Bujanoc – Gjilan./Telegrafi/