Shqiptarët bashkohen në diasporë

Tiranë – Shqipëria dhe Kosova do të angazhohen së bashku për ngritjen e qendrave kulturore në ato vende ku ka numër më të madh të diasporës shqiptare.

Kjo u deklarua pas një takimi në Tiranë midis ministrit të Diasporës së Kosovës, Ibrahim Makolli, dhe ministrit të Kulturës së Shqipërisë, Aldo Bumçi.

Ministri Bumçi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp falënderoi ministrin Makolli për këtë nismë të ndërmarrë nga pala e Kosovës. Patjetër që nuk do të ngelet nismë e njëanshme, tha ministri. Shqipëria dhe Kosova do të dalin me një inisiativë të përbashkët, do të krijojnë mekanizmat e duhura për promovimin e kulturës dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Kemi komunitet të madh jashtë vendit, janë rreth 3 milionë shqiptarë, shtoi Z. Bumçi, komunitet që duhet të ruajë lidhjet me njëri-tjetrin dhe pikërisht në këtë kuadër po e ndërmarrim këtë iniciativë të përbashkët me Republikën e Kosovës.

Ndërsa ministri Makolli tha se kemi të bëjmë me një pasuri kombëtare të përbashkët e cila duhet të ruhet. “Edhe pse jemi dy shtete të ndarë me kufij, diaspora jonë ka qenë gjithmonë e bashkuar. Tashmë Republika e Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen e parë me Republikën e Turqisë, dhe kjo për një arsye të veçantë, pasi në Turqi kemi më shumë shqiptare të emigruar se në çdo shtet tjetër. Besojmë se kjo qendër do të jetë funksionale para 28 nëntorit”, tha ai. Të dy ministrat u shprehën të gatshëm për bashkërendimin e përpjekjeve për ngritjen e qendrave kulturore të përbashkëta edhe në Zvicër dhe SHBA.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS