Hidromorava

Shqiptarë me bollëk në Bundesligë

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Bundesliga fillon të premten dhe si asnjëherë më parë, pjesë e njërës prej ligave më të forta në botë do të jenë shtatë futbollistë shqiptarë.

Kësaj radhe ekipet e disa prej tyre pritet të luftojnë për titull e jo për mbijetesë, siç jemi mësuar t’i shohim vazhdimisht.

Sezoni i ri në Bundesligë do të nisë sonte me ndeshjen ndërmjet kampionit aktual Borussia Dortmundit dhe Werder Brementit. Si asnjëherë më parë, pjesë e njërës prej ligave më të forta në botë do të jenë shtatë futbollistë shqiptarë si: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Ardian Nikçi, Mërgim Mavraj, Ilir Azemi, Ferhan Hasani dhe Beg Ferati.

Kësaj radhe ekipet e disa prej tyre pritet të luftojnë për titull e jo për mbijetesë siç kanë bërë ekipet ku janë aktivizuar shqiptarët në të kaluarën.

Xherdan Shaqiri

Futbollisti aktualisht më i talentuar shqiptar, Xherdan Shaqiri nga skuadra zvicerane Basel kompletoi transferimin te gjiganti gjerman Bayern Munich. Këta të fundit i dhuruan ekipit zviceran 12 milionë euro për ta bërë të vetin njërin nga futbollistët më të kërkuar në Evropë.

Gjatë fazës përgatitore, kosovari me pasaportë zvicerane shkëlqeu me ekipin nga ‘Allianz Arena’ duke luajtur vazhdimisht në formacionin bazë. Por, në ndeshjen e Superkupës kundër Dortmundit, Shaqiri luajti vetëm 7 minutat e fundit.

Gjilanasi ende nuk dihet se a do të jetë titullar në ndeshjen hapëse të sezonit të ri kundër Greuther Furthit. Sido që të jetë, 20 vjeçari i ka bërë me dije trajnerit Jupp Heynckes se në Bayern ka ardhur për të luajtur.

Granit Xhaka

Borussia Monchengladbach shpenzoi 8.5 milionë euro për ta transferuar Granit Xhakën nga Baseli gjatë kësaj vere. Mesfushori kosovar u bë transferi më i shtrenjtë në histori të këtij klubi.

Eco Higjiena

Monchengladbach dhe Xhaka kanë synime të mëdha në sezonin e ri, ku synojnë të përfundojnë në mesin e katër klubeve më të mira në Bundesliga. Ky nuk është synimi i vetëm i Xhakës. Ai synon që me skuadrën e re të kualifikohet për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve dhe të shkojë sa më larg që mundet.

Adrian Nikçi

Rrugën e Shaqirit dhe Xhakës gjatë kësaj vere e ka përcjellë edhe Ardian Nikçi. Ky i fundit nga skuadra zvicerane Zurich u transferua te klubi gjerman Hannover. Futbollisti prishtinas ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin nga Bundesliga, e cila u ka paguar rreth 700 mijë euro dëmshpërblim udhëheqësve të skuadrës zvicerane. Nikçi pritet të jetë pjesë e rëndësishme e Hannoverit në fazën e sulmit në sezonin e ri.

Mërgim Mavraj – Ilir Azemi

Për dallim nga klubet e tjera, skuadra e Greuther Furthit në radhët e veta ka dy futbollistë kosovarë. Bëhet fjalë për mbrojtësin Mërgim Mavraj dhe sulmuesin e ri Ilir Azemi. I pari ishte ndër më meritorët që Greuther Furth siguroi inkuadrimin në Bundesliga dhe si shpërblim për këtë drejtuesit e klubit ia kanë dhënë shiritin e kapitenit. Ndërsa i dyti u ftua në ekipin e parë pas paraqitjeve të mira me skuadrën gjatë fazës përgatitore. Mavraj synon që me Greuther Furthin t’i ndalë ekipet e mëdha dhe ta sigurojë mbijetesën sa më herët që është e mundur.

Ferhan Hasani

I transferuar te Wolfsburgu nga Shkëndija e Tetovës gjatë dimrit të kaluar, Ferhan Hasani ende nuk e ka shijuar debutimin në elitën e futbollit gjerman. Sulmuesi tetovar, përkundër ofertave nga disa klube të Bundesligës 2, ka vendosur të mbetet në Wolfsurg dhe të luftojë për një vend në ekip.

Beg Ferati

Beg Ferati synon ta lë prapa sezonin e kaluar. Mbrojtësi kosovar në sezonin e parë në Bundesliga nuk arriti të lë gjurmë te skuadra e Freiburgut, ku ishte transferuar nga Baseli. Ai fillimisht u lëndua, derisa më pas u la në bankën rezervë thuajse gjatë gjithë kohës. Tani kosovari me pasaportë zvicerane synon të zë vend në formacionin bazë të ekipit dhe të tregojë se është i vlefshëm.