UBT

‘Shqipëria do t’ia bie ngushtë punën Serbisë’

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Kombëtarja e Shqipërisë ka pak gjasa për tu kualifikuar në Evropianin e ardhshëm që mbahet në Francë. Kështu mendojnë disa nga ekspertët e futbollit të Kosovës. Dje në Nice të Francës është bërë tërheqja e shortit për EURO 2016.
Kuqezinjtë e Gianni De Biasit, duke se kishin pak fat, pasi që gjenden në Grupin I bashkë me Portugalinë, Danimarkën, Serbinë e Armeninë.

Arbnor Morina, një nga trajnerët e njohur të futbollit tonë, i ka thënë KosovaPress-it se Kombëtarja shqiptar do ta ketë mision të vështirë kualifikimin në EURO 2016. Sipas Morinës, Shqipëria përbëhet nga lojtarët që kanë pak minutazh në lojë nëpër klubet ku ata militojnë.

“Realisht nëse e analizojmë situatën në futbollin shqiptar, atëherë them se është një grup i cili është mjaft i vështirë për shumë arsye. Arsyeja kryesore është se kombëtarja është e përberë prej futbollistëve që 99 përqind luajnë jashtë kampionatit kombëtar, dhe nëpër klubet evropiane, ku nuk kanë kuintitet në lojë. Janë futbollistë të cilat luajnë disa ndeshje, e disa jo ose më shumë nuk luajnë sesa luajnë. Kjo është mangësia kryesor, sepse përballë do ta kemi një Portugali më futbollistët që janë në klubet më të mira evropiane ose klubet më të mira portugeze. Statistikat tregojnë se Cristiano Ronaldo brenda një stinori luan 99 për qind ndeshjeve. Gjasat e Shqipërisë nuk janë të mëdha, por shikuar anën tjetër Shqipëria më në fund duhet të bëjë diçka që të paktën të jetë e treta në grup”, ka thënë Morina.

Ish trajneri i disa skuadrave elitare, duke folur për sfidën mes Shqipërisë dhe Serbisë, mendon se kjo ndeshje do të jetë tensionuese, por sipas tij, favorit në këtë duel nuk ka. Morina beson se Shqipëria mund ta mposhtë Serbinë në ndeshjen që do të luhet në Shqipëri.

“Mund të flasim nga një konstoracion kohorë dhe konstoracion politik që ne e kemi përjetuar këtu. Sigurisht se do të jetë ndeshje me tensione të mëdha. Merrni me mend sikur të ndodhet që Kosova të takohet me Serbinë, atëherë tensionet dhe ndjenjat do të ishin edhe më të vrullshme, për arsye se dihet se në çfarë formë jemi ndarë ne nga ta. Është shumë sportive dhe njerëzore që të shpresojmë që te kemi rezultat pozitiv dhe duhet të shpresojmë se do të mundim një kundërshtar. Favorit në këtë takim nuk ka. Serbia është duke dështuar në katër vitet e fundit në kualifikime. Unë mendoj se në takimin që do të luhet në Shqipëri, ekipi shqiptar ka gjasa të bëjë një hap të madh dhe ta mund Serbinë”, ka theksuar Morina.

Bellopoja: Do të ishte diçka e madh nëse e mposhtim Serbinë

Mobi Casa

Edhe ish futbollisti i gjeneratës së artë të Prishtinës, Abdyl Bellopoja, e vlerëson të vështirë kualifikimin e Shqipërisë në EURO 2016. Sipas Bellopojës, Grupi I, ku bën pjesë edhe Shqipëria do të jetë shumë i vështirë dhe i komplikuar.

“Grupi në të cilin bënë pjesë Shqipëria është shumë i vështirë. Mendoj se ekipi shqiptar do ta ketë shumë vështirë të sigurojë një vend që dërgon në Evropianin e ardhshëm”, ka thënë Bellopoja.

Ai ka folur edhe për përballjen mes Shqipërisë dhe Serbisë. Sipas Bellopojës, Serbia është favorit në letër, por ai mendon se Shqipëria do t’ia ngushtojë punën serbëve.

“Në kontekstin politik është një ndeshje ndryshe, por asgjë nuk ka ndodhur në ndeshjet e zhvilluar kohë më parë mes Serbisë dhe Kroacisë apo ndeshja Serbi Bosnjë. Sa i përket ndeshjes me Serbinë, mendoj se ekipi serbe është favorit në letër, por unë jam i bindur se Shqipëria do t’ia bie ngushtë punën Serbisë”, ka theksuar Bellopoja.

“Sigurisht se do të jetë një ndeshje me presion të madh, por duhet ta kemi parasysh se ajo sfidë luhet për kualifikimi të Evropianit dhe se gjithçka duhet të zgjidhet brenda vijave të fushës. Ne të gjithë dëshirojmë që të fitojmë ndaj Serbisë dhe për ne fitorja kundër Serbisë do të ishte diçka e madh për shkak të raporteve që ekzistojnë mes shqiptarëve dhe Serbisë”, ka pohuar Bellopoja. /KosovaPress/