Shqetësues deficiti i lartë tregtar

Kosova vazhdon të ketë deficit të lartë tregtar, pasi që në masë të madhe importon produkte nga jashtë dhe se dallimi në mes të shkallës së importit dhe eksportit, vazhdon të jetë i thellë. Të dhënat e fundit të Agjencionit të Statistikave tregojnë për një situatë alarmante.
Kemi rënie të investimeve të huaja direkte, kemi rritje të shkallës së papunësisë dhe ajo çka është më shqetësuese. shumë më shumë flitet se sa që bëhet, gjë që ka bërë që edhe gjashtë mujori i këtij viti, të karakterizohet me trende negative, thonë ndër të tjera analistët për KosovaPress.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë, tregojnë për një deficit tregtar, më të lartë për muajin Maj 2014 prej 204,9 milion euro, krahasuar me deficitin prej 186,4 milion euro me periudhën e njëjtët te vitit 2013. Eksporti mbulon importin vetëm 10.4 për qind. Nga të dhënat e Agjencisë së statistikave të Kosovës eksporti i mallrave në muajin maj të këtij viti, kishte vlerën 23,6 milion euro.
Ndërsa importi 228,6 milion euro, e që është një rënie prej -12.9 për qind për eksport si dhe një rritje prej 7.0 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2013.
Një situatë e tillë, ku eksporti mbulohet me import me vetëm 10 për qind, mbetet shqetësues për vendin. Kështu thonë njohës së çështjeve ekonomike, sipas të cilëve këto shifra mbeten shqetësuese dhe me trende përkeqësimi. Ibrahim Rexhepi, thotë për KosovaPress se të dhënat për një disbalanc kaq të madh tregtar, tregojnë për një situatë alarmante.
“Bilanci tregtar, përkatësisht raporti në mes të importit dhe eksportit, janë treguesit me real të situatës aktuale, që kemi në ekonominë e vendit. Të dhënat e fundit të Agjencionit të statistikave tregojnë për një situatë alarmante. Një situatë e cila është shumë shqetësuese dhe me trende të përkeqësimit, për shkak të rritjes së deficitit tregtar, përkatësisht rënies shumë të madhe të eksportit dhe rritjes së importit. Dhe kjo tregon se ku jemi në aspektin ekonomik, ku jemi në rrafshin e arritjes së një norme të zhvillimit, e cila së paku, do të ndihmonte në konsolidimin e brendshëm dhe me vonë dhe në rregullimin e bilancit tregtar. Kjo është përgjegjësia kryesore e institucioneve, jo në aspektin pse nuk kanë investuar, apo nuk kanë ndërtuar qoftë fabrika, por nuk kanë ndërtuar ambient të favorshëm dhe të pranueshëm për investime”, thekson Rexhepi.
E gjithë kjo situatë e krijuar sipas tij, reflekton tek hezitimi i sektorit privat për investime. Një situatë e tillë me këta indikator negativ, siç thotë Rexhepi pritet që të vazhdojë dhe më tutje, duke pasur parasysh dhe mungesën reale të institucioneve të dala nga zgjedhjet e qershorit. Ai madje pohoi se parashikimet janë shqetësuese, e të cilat mund të qojnë dhe përkeqësim dhe të mëtutjeshëm të kësaj situate.
“Nëse kemi parasysh bilancin tregtar. Ai në maj është diku 200 milion euro më i madh se ka qenë në maj të vitit të kaluar. Kur kemi parasysh investimet e huaja, problemet që janë të ndërlidhura dhe me punësimin, me të hyrat në buxhet, në situatën në të cilën është sektori privat, atëherë gjithçka është në përkeqësim dhe nuk vërehet se si mund të ndalet ky trend, përkatësisht ku do të jetë fundi”, pohon Rexhepi.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu pohon për KosovaPress se në vendin tonë, për gjendjen ekonomike, shumë më shumë flitet se sa që bëhet, gjë që ka bërë që edhe gjashtë mujori i këtij viti, të karakterizohet me trende negative. Ndërsa thekson se situatën e bënë dhe më shqetësuese varësia e vendit tonë nga importi, i cili muajve të fundit është në rritje.
“Kemi rënie të investimeve të huaja direkte, kemi rritje të shkallës së papunësisë dhe ajo çka është më shqetësuese, kemi filluar në një masë bukur të madhe ta bartim kapitalin nga Kosova në vendet tjera të rajonit, ku do të thotë që sektori privat është duke hulumtuar investime, atje ku ka mundësi më të mirë për përfitime. Kur kësaj i shtohet fakti që Kosova edhe më tutje është e varur nga importi, sepse kemi rritje të importeve dhe një ulje të eksporteve nga Kosova, është një situatë, që në aspektin ekonomik , vërtetë është mjaftë shqetësuese”, thotë ai.
Ndërsa thotë se një vend i varfër çfarë është Kosova, është duke eksportuar para të gatshme, të cilat më tepër janë në funksion të vendeve të rajonit.
“Këto para të gatshme, më tepër janë në funksion të vendeve të rajonit, që ta ruajnë stabilitetin ekonomiko social, se sa ato para të mbeten në Kosovë. Vërtetë është shqetësues fakti që për sektorin privat shumë më tepër flitet për ta stimuluar dhe subvencionuar . Mirëpo duhet të kuptohet që sektori privat, ka nevojë të mbrohet më tepër , se sa të stimulohet. Dhe nga vet fakti që në Kosovë depërtohet shumë lehtë me produkte të natyrave të ndryshme dhe nga vet fakti që Kosova është e hapur karshi produkteve të tjera çoftë nga rajoni apo Evropa, është shumë më e mundur që të kemi prodhim. Në qoftëse nuk kemi prodhim, por prodhim që i përmbush kriteret dhe kualitete, standardet e kërkuara ndërkombëtarisht, atëherë ndër indikatorët kyç të zhvillimit ekonomik siç është bilanci i pagesave do të vazhdoj dhe më tutje të jetë negativ, i cili do të reflektohet në dëm të ardhmërisë së Kosovës”, thotë ai. /Telegrafi/