RCCOLA

Shpresë për jetë

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Imer Mushkolaj – Një tregim për të gjithë ata që nuk do të dinim si të jetonin po të mos ekzistonte shpresa. Një tregim për gjërat e vogla që i japin kuptim jetës. Një tregim për ne.

Si fëmijë gënjenim shumë, shpesh pa vetëdije. Por, kur afrohej Viti i Ri, gënjeshtrat bëheshin më të ëmbla, më të bukura.

Dikush thoshte se bredhi i familjes së tij ishte më i madhi në mahallë, dikush tjetër se nëna e tij e kishte gatuar tortën më të bukur në qytet, e një i tretë se balonat babai i tij i kishte fryrë më së shumti në botë. Babai, në fakt, as që i kishte blerë balonat, e nëna s’kishte pasur mundësi të përgatiste tortën.

Atëbotë nuk e dinim çfarë janë politikanët dhe ç’gënjenin ata. Dinim vetëm të gëzoheshim fort kur mbaronin lajmet. Punë e madhe çfarë ndodhte me Palestinën e Izraelin. E rëndësishme ishte t’i mbanim mend fjalët “socialist” e ”komunist”.

Në televizorët bardh e zi, që na dukej se i shfaqnin të gjitha ngjyrat e botës, prisnim të shihnim mrekulli. Të shihnim se si po e festonin Vitin e Ri “ata të televizorit”, krahasuar me ne. Të shihnim Babadimrin.

Dhe, zakonisht, nuk ia dilnim të shijonim “magjinë” deri në fund. Sepse, na zinte gjumi para orës 12, e mëngjesi i parë të vitit të ri na çelte me vaj në buzë, duke iu ankuar prindërve pse nuk na kishin zgjuar kur motet ishin ndërruar. Disa nga ne ngushëlloheshim pak, sepse daja ose tezja kishte dërguar kartolinë nga Gjermania, ku kishin udhëtuar pa pasur nevojë për vizë.

Shpresonim të ndodhte ndryshe pas një viti, edhe pse nuk e dinim mirë kuptimin e fjalës “shpresë”.

* * *

Si tinejxherë jeta na ishte bërë më me ngjyra. Gënjeshtrat thuheshin më me stil dhe bëheshin me qëllim. Por, jo se ishin me shumë zarar.

I pari thoshte se e kishte ndarë mendjen që të dashurën ta puthte së pari herë për Virin e Ri, i dyti se ndërrimin e moteve do ta festonte “diku”, duke ua lënë peng të tjerëve vendin sekret, kurse i treti se me rastin e festës, vëllai i madh do t’ia sillte nga Gjermania albumin më të ri të Michael Jacksonit. Baballarët ishin optimistë se Vitin tjetër të Ri nuk do ta pritnim nën okupim, por në Kosovën Republikë. Nënat, edhe pse dyshonin, nuk guxonin të tregoheshin pesimiste.

Politikanët bëheshin dita-ditës më të rëndësishëm për ne. Lajmet na dukeshin më interesante, por nuk është se na interesonte shumë se ç’ndodhte në Gjirin Persik e në Bosnjë. Nuk donim të besonim se lufta do të na prishte gjithçka. Donim që ajo të mbetej vetëm fjalë.

Në televizorët me ngjyra Babadimri fliste serbisht, e rafalë automatikësh të policisë na sillnin ndërmend se viti i ri kishte nisur.

Pas dy ditësh lexonim në gazetë se kaq e aq njerëz ishin arrestuar, burgosur, madje edhe vrarë gjatë ditëve “festive”. Mijëra vetë çdo ditë udhëtonin – shumica pa viza – drejt Europës Perëndimore.

Shpresa na mbante gjallë.

* * *

Mobi Casa

Edhe tash, kur jemi bërë burra e gra, vazhdojmë të gënjejmë. Më bindshëm, më rrast.

Ndonjëri thotë se Vitin e Ri planifikon ta presë në Dubai, por si çdo vjet feston në ”gjirin familjar”. Tjetri “fryhet” se ka pirë aq shumë birra për festë, sa që dehja nuk e ka lëshuar tri ditë, e ndonjë e tretë iu lëvdohet shoqeve për dhuratën “e mrekullueshme” që ia ka blerë i shoqi.

Politikanët nuk iu shkoqen ekraneve duka na uruar e përgëzuar, ndërkohë që presim mos ndonjë ishull i humbur diku në Oqeani do të na bëjë festën edhe më të rëndësishme, duke na njohur si shtet. Fjalën “korrupsion” të gjithë e dimë përmendësh.

Në televizor babadimrat miltietnikë flasin disa gjuhë, e tonelata fishekësh e fishekzjarresh ndriçojnë qiellin. Nuk brengosemi shumë po që se humbim ndonjë program festiv në televizor, por xhelozojmë nëse dikush tjetër e ka statusin në Facebook më interesant se ne, ndërkohë që nuk na ka bërë “like” nën fotografinë që e kemi vënë “para pak sekondash”.

Shpresojmë në liberalizimin e vizave.

* * *

Nesër kur të jemi plakur do të mallëngjehemi për rrenat e fëmijërisë, televizorët bardh e zi, Michael Jacksonin, kartolinat nga Gjermania e shpresën për Kosovën Republikë. Do të na duket e largët koha kur për gjithçka informoheshim nga lajmet në gazeta, ndërkaq kutitë e quajtura televizor do ta humbin magjinë.

Politikanët do të na shesin të tjera premtime, e bota do ta presë ndonjë datë tjetër interesante për kiametin e radhës.

Nipave e mbesave do të përpiqemi t’ua mbushim mendjen se Babadimri ekziston vërtet dhe natën festive ai do të hyjë nëpër oxhak, për t’ua sjellë dhuratat. Ndonjëri nga ne mbase do të vazhdojë të besojë një gjë të tillë.

Do të kemi qejf të ëndërrojmë që viti tjetër të mos jetë i fundit për ne në këtë jetë.

Sepse ëndrrat janë të bukura, e njerëzit kanë nevojë të besojnë në gjëra të bukura.

Sepse të gjithë shpresojmë që ëndrrat të realizohen shpejt.

Sepse shpresa vdes e fundit, e fundin s’e di askush.

Gëzuar!