Fundamenti

Shpresat te Delli

/ 5 minuta lexim

Dy partitë nënshkruese të marrëveshjes për tejkalimin e krizës presidenciale, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re shpresat e fundit i kanë tek ambasadori amerikan Christofer Dell, i cili sipas tyre, do të duhej të insistonte për respektimin e marrëveshjes pikë për pikë.

Ata konsiderojnë se presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është produkt i marrëveshjes politike mes tre liderëve politikë dhe se sipas tyre, ai produkt nuk është palë por është rezultat. Përderisa, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërcënuar partinë në pushtet PDK-në, se në rast se presidentes i zgjatet mandati dhe shkelet marrëveshja, LDK nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhore, si dhe do të kërkojë llogari nga ambasadori Amerikan, Christofer Dell.

Ndërkaq, vetë kreu i AKR-së, Behxhet Pacolli, ka thënë se si person nuk është destruktiv, mirëpo ai shtoi se njerëzit pavarësisht veprimit ekonomik apo politik, duhet të jenë principiel.

“Kur e them këtë e kam parasysh faktin se ata duhet ta mbajnë fjalën. Ekziston një marrëveshje, ajo është e shkruar dhe ka një dëshmitar që hiq më pak se ambasadorin amerikan, ajo marrëveshje është miratuar në Kuvendin e Kosovës, dhe nëse ajo nuk respektohet, unë nuk di se në çfarë mënyre qytetarët e Kosovës do të kenë besim te spektri politik”, ka thënë Pacolli.

Ndërkaq, rreth asaj që ambasadori Dell është në fund të mandatit të tij dhe mund të ikë pa u implementuar marrëveshja, Pacolli është shprehur shkurt se Delli ka ardhur si ambasador dhe do të shkojë si ambasador.

“Unë besoj që vetë Delli do të përkujdeset që secili që e ka nënshkruar atë marrëveshje t’i përmbahet. Kur ka ardhur presidentja aktuale unë kam qenë aty dhe asaj i është thënë decidivisht se ajo do ta ketë mandatin 1 vit ose 1 vit e gjysmë më së shumti, deri në ndryshimet kushtetuese”, ka thënë Pacolli.

Kujtim Shala i LDK-së, ndërkaq ka thënë se nëse marrëveshja e treshes nuk përmbushet, atëherë partia më e madhe opozitare nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese dhe ato zgjedhore.

Shala ka thënë se qëndrimi i LDK-së është i prerë dhe këto çështje, siç tha ai, janë të ndërlidhura dhe nuk do të formuloheshin si një marrëveshje e përbashkët e as nuk do të shndërroheshin në një rezolutë të Kuvendit të Kosovës.

“Prandaj, pas kësaj LDK do veprojë me atë fuqi brenda institucioneve. Ne do të kërkojmë nga ambasada e SHBA-së në Prishtinë, konkretisht ambasadori Christofer Dell që të ndikojnë që të përmbushet marrëveshja, sepse ai është garantuesi”, është shprehur Shala.

Eco Higjiena

“Ai ka qenë ideatori dhe i ka udhëhequr ato bisedime, e ka përcaktuar formatin dhe në fund e ka nënshkruar marrëveshjen si garantues, plus ai është edhe palë në këtë mes”, ka thënë Shala.

Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu ka thënë se nuk do të flasë për këtë temë, derisa nuk e përfundon punën e saj Gjykata Kushtetuese.

Analistët politikë vlerësojnë se Isa Mustafa u përdor si shtyse për të tejkaluar një moment që ishte gati i patejkalueshëm dhe partitë në pushtet janë duke e rrahur Mustafën me shkopin që e ka gdhendur vetë.

Avni Zogiani konsideron se kemi të bëjmë me një përdorim të liderit të partisë më të madhe në opozitë si një shtysë për të tejkaluar një moment që ishte gati i patejkalueshëm për koalicionin qeverisës.

“Duke qenë se ky moment është tejkaluar mendoj se partitë në pushtet janë duke e rrahur Isa Mustafën me shkopin që e ka gdhendur vetë. Në anën tjetër edhe përfshirja e Dellit, por edhe kërkesa për llogari rreth kësaj marrëveshjeje është nonsens, sepse ai nuk do duhej të kishte asnjë rol fillimisht, por në tekefundit ai është duke e përmbyllur mandatin dhe thjesht mund t’i thotë Isa Mustafes se marrëveshjen e kemi shkruar në akull dhe e kemi kthyer nga dielli”, ka thënë Zogiani.

Liderët kosovarë me sindrom të vetëkënaqësisë

Alban Bokshi nga Klubi për Politikë të Jashtme vlerëson nëse Gjykata Kushtetuese ka kërkuar nga presidentja t’i drejtohet asaj, atëherë letra e Presidentes është në rregull, mirëpo, nëse jo, atëherë ka thënë ai, presidentja nuk ka pasur të drejtë ta dërgojë letrën në Gjykatën Kushtetuese.

Se a po vepron njëjtë edhe Presidentja sikurse liderët tjerë politikë në vend, Bokshi ka thënë se ky është sindrom i politikes kosovare, mbase i çdo politike provinciale, është vetëkënaqësia.

“Politikanët e kuptojnë që më shumë pak këtu arrin shumë, d.m.th., me shumë pak punë merr shumë vëmendje. Kjo më duket se politikanëve ua shkakton ndjenjën e vetëkënaqësisë duke u akomoduar në pozitat e tyre dhe kështu fillojnë të mendojnë se ata janë më të mëdhenj sesa kanë besuar. Për shkak të kësaj megalomanie ata nuk po janë të gatshëm ta lëshojnë pushtetin”, ka thënë Bokshi.