Shpresa Kurteshin e mbështesin mbi 350 aktivistë, miq e familjarë
Gjilan – Mbi 350 aktivistë, miq e familjarë, i kanë dhënë sot përkrahje kandidates për këshilltare komunale nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpresa Kurteshit. i pranishëm në këtë tubim ishte edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri.
Në fjalën e rastit, Kurteshi ka falënderuar të pranishmit e shumtë për mbështetjen, duke thënë se do të jetë zë i fuqishëm në asamblenë komunale, për të mbrojtur interesat e qytetarëve.
“Ju falënderoj për mbështetjen kaq madhështore që më keni dhënë. Kjo më bënë shumë të fuqishme. Pres që me 3 nëntor, vota juaj do të ketë rol përfundimtar në qeverisjen e komunës për mandatin e ardhshëm katër vjeçar. Prania juaj sonte është një mbështetje e madhe për LDK-në dhe Lutfi Hazirin. Më 3 nëntor do t’i japim fund kësaj qeverisje të keqe. Ju premtoj se do të jem zë i fuqishëm në asamblenë komunale për të realizuar interesat e qytetarëve”, ka thënë me këtë rast kandidatja për këshilltare komunale, Shpresa Kurteshi.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se Shpresa e ka kryer punën shumë mirë në mandatin që shkoi, prandaj e meriton edhe një mandat katër vjeçar.
“Ka ardhur koha që Gjilani ta konfirmojë përmes votës fitoren pa balotazh. Tubimet masive si sot këtu dhe tubimet kudo që kemi shkuar tregojnë besimin e madh ndaj LDK-së. Gjendjen që na kanë pru këto 6 vjet është se na kanë përjashtuar. Na kanë lënë të fundit në listë sikur në targa të automjeteve 06. Njerëzve iu ka humbë durimi. Punët e para që do t’i bëjmë janë: rregullimi i rrugëve, i kanalizimit, ujësjellësit e ndriçimit publik. E pastaj punët tjera me radhë. Ne do ta ruajmë votën. Duhet të zgjohemi herët, të votojmë si në vitin 2000”, ka thënë Haziri.
“Duhet me ja dhënë edhe një mandat Shpresës sepse ka punuar mirë në mandatin që shkoi. Ka punuar që zëri i gruas të dëgjohet dhe të fuqizohet. Ka qenë kontribuuese e grupit të qytetarëve që LDK të bashkohet, të unifikohet. Është e drejtë, e pa kompromis aty ku duhet dhe e edukuar. Besimi më i madh për një politikan është kur familja ia beson mandatin. Besimin ju e dëshmuat. LDK e ka listën e pastër si loti që kurrë s’kanë qenë në prokurori, kurrë s’kanë pasur problem me ligjin. E tillë është edhe Shpresa. Duhet të jetë shumë krenare që është përfaqësuese”, ka shtuar Haziri thuhet në njoftimin e degës së LDK-së në Gjilan./rajonipress/


