Shpëton mrekullisht familja kosovare të Liqeni i Kukësit

Një aksident automobilistik ka vënë në rrezik jetët e një familje kosovare, e cila ishte duke udhëtuar në autostradën Kalimash-Kukës.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në vendin e quajtur “Kepi i Tafës”, në segmentin rrugor Ura e Drinit të Zi-Morin. Sipas të dhënave paraprake, bëhet e ditur se mjeti me targa kosovare, ku udhëtonin tre persona të një familje, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në breg të liqenit.
Agjencia Ina, njofton se pjesa e pasme e veturës është zhytur në ujë. Personat, të cilët udhëtonin me të kanë pësuar dëmtime, por janë jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal të Kukësit.
Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe policia, e cila po punon për zbardhjen e rrethanave që kanë çuar në këtë aksident. Sipas hetimeve paraprake del se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit të automjetit./Indeksonline/