FITORJA

Shpëtimi në Shqipëri, bujë në SHBA

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Naim Zoto – Dokumentari: Historia e jashtëzakonshme e shpëtimit të ekipit mjekësor amerikan në Shqipëri, në vjeshtë të vitit 1943. Për ngjarjen informohej përditë presidenti Rusvelt.

Katër libra janë shkruar për këtë ngjarje të jashtëzakonshme në SHBA, katër libra plot nderim për shqiptarët që ndihmuan në këtë operacion shpëtimi në rrethanat e rrezikut ekstrem të luftës.

Por në Shqipëri kjo ngjarje për më shumë se 50 vjet mbeti “sekret”. Enigma zbardhet vetëm këto ditë përmes një dokumentari të titulluar “Mbrojtur në Shqipëri: nëntor 1943-shkurt 1944”, realizuar nga gazetarja dhe kërkuesja shkencore Monika Stafa (MA) dhe mbështetur nga ambasada amerikane në Tiranë. Dokumentari u prit me interes gjatë prezantimit në kinema “Imperial”, në Sheraton Hotel, Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan, z. Aleksander Arvizu.

Në fakt, deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore ngjarja u mbajt sekret edhe në SHBA. Asnjë fjalë, asnjë lajm, asnjë njoftim qoftë dhe i shkurtër. Arsyeja e kësaj heshtjeje publike është e thjeshtë. Aleatët evropianë të përfshirë në luftë kishin nevojë për spitale ushtarake dhe për ndihmë e shërbim ndaj të plagosurve. Kjo detyrë u kishte rënë si një peshë e rëndë amerikanëve. Ata duhej të siguronin jo vetëm ilaçet, por sidomos, personelin e shërbimit human të asistencës ndaj të lënduarve në luftë. Por në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shërbimi infermier ka qenë dhe është vullnetar. Publikimi atëkohë i një lajmi për rrëzimin diku në malet e Ballkanit i një avioni me infermiere, vajza të reja vullnetare që kishin pranuar të shërbenin përmes këtij misioni sa të rrezikshëm aq edhe human, mund të ishte me pasoja të rënda në opinion.

Shtatë dekada më parë, në nëntor të vitit 1943, në prag të dimrit dhe të shpërthimit të operacionit nazist kundër luftëtarëve antifashistë, në afërsi të Belshit avioni C-53 amerikan i shërbimeve humanitare u detyrua të bënte një ulje të paparashikuar. Gjatë katër muajve me radhë, skuadra nr. 807, që kishte në përbërje infermiere, mjekë dhe ekuipazhin e avionit, përshkoi gati gjysmën e Shqipërisë së jugut, përmes shumë rreziqesh, derisa, në muajin mars, arriti të evakuohej drejt Italisë.

Kjo ngjarje, në kohën kur ndodhi, la gjurmë në kujtesën e shkruar. Misionet ushtarake amerikane të pranishme në Shqipëri ndiqnin me shumë vëmendje aventurën e skuadrës nr. 807; vetë presidenti Rusvelt njoftohej thuajse ditë për ditë.

Fundamenti

Por dokumentari i ri shqiptar për fatin e infermiereve, mjekëve dhe pilotëve amerikanë zbulon përmes fakteve dhe intervistave rolin dhe kontributin e shqiptarëve, veprimtarë antifashistë dhe miq të Shteteve të Bashkuara, si Hasan Gina e Kostaq Stefa. Ky i fundit, pas luftës, e pagoi rëndë këtë shërbim humanitar, duke u dënuar me pushkatim.

Por, gjatë viteve të fundit, pas rënies së diktaturës komuniste, kujtesa e shkruar e të mbijetuarve u ringjall. Librat e Agnes Jens Mangerich “Escape from Albania”, të Lawrence Abbot “Out of Albania”; libri “And if I Perish” dhe, së fundmi, libri i gazetares Cate Lineberry, bënë të ditura shumë fakte që ndërlidhin kujtesën shqiptare dhe atë amerikane, gjë që gjejnë pasqyrim në dokumentar. Së paku tre autorë amerikanë: Agnes Jens Mangerich, Peter Lucas dhe Cate Lineberry, kanë ardhur në Shqipëri për të zbuluar se kush qenë shqiptarët e parë që u kujdesën për të shpëtuar jetë njerëzish amerikanë. Një odise e tërë lidhet me zbulimin dhe gjetjen e heroit shqiptar të quajtur Hasan Gina apo Hasan Verçanit. Dokumentari synon të zgjojë kujtesën e shkruar dhe atë gojore të shqiptarëve, duke e pasuruar më tej bankën e të dhënave për këtë ngjarje, duke përcjellë mesazhin e nderimit për të gjithë ata që bënë flijime në një luftë të drejtë që i kishte bashkuar si aleatë.

“Por një prej dëshmive më të rëndësishme, krejtësisht të panjohura deri më sot, që ndriçon këtë ngjarje, u gjend pasi kishte përfunduar postprodukcioni dhe ishte caktuar data e promovimit të dokumentarit”, thotë gazetarja Monika Stafa.

Ato i takojnë arkivit të trashëgimtarëve të Hasan Ginës, një prej njerëzve të parë që ra në kontakt me skuadrën amerikane nr. 807, para se mbrojtja e saj të bëhej çështje e aleancës antifashiste. Hasan Ginën e kërkoi Agnes Jens Mangerich në udhëtimin e saj në Shqipëri në vitin 1993; e kërkoi më vonë Peter Lucas, e kërkoi vitin e kaluar edhe kolegia e New York Times Cate Lineberry. Fati e deshi që arkivat e tij të na ofroheshin për dokumentarin shqiptar. Hasan Gina, ashtu si Kostaq Stefa, kishte mbaruar një shkollë amerikane, shkollën teknike-bujqësore të Kavajës; dinte anglisht, kishte simpati për vendin simbol të lirisë, u vu në shërbim të misionarëve të rrezikuar. Hasan Gina pati një rrugë tjetër: antifashist si dhe Kostaq Stefa, pas luftës nuk u akuzua për veprimtari në shërbim të imperializmit. Fillimisht u mbajt afër pushtetit, por më vonë u mënjanua: Ishte koha kur Enver Hoxha po përgatiste librin “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”.

Kështu, pas rreth 70 vjetësh, zbardhet ana shqiptare e një prej operacioneve më interesante të shpëtimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, ngjarje që nderon shqiptarët dhe vendin e tyre./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.