Shpërthen kosovari, ndërpret për të dytën herë seancën gjyqësore
36-vjeçari po qëndronte para trupit gjykues të Gjykatës së Qarkut në Lenzburg me akuzën e tentativës për dhunë dhe kërcënime ndaj autoriteteve
E enjte, 29 Shkurt 2024 – 20:20albinfo.ch
Një 36-vjeçar po gjykohej në Gjykatën e Qarkut në Lenzburg për tentativë për dhunë dhe kërcënime ndaj autoriteteve dhe zyrtarëve. Por edhe kësaj here, gjatë gjykimit ai nuk mundi t`i kontrollojë emocionet e tij. Gjatë arsyetimit gojor të aktgjykimit, ai vazhdimisht e ndërpret kryetaren e gjykatës dhe me zë të lartë shpreh zemërimin dhe zhgënjimin e tij.
Ai thotë se nuk ka pasur kurrë të njëjtat mundësi si gjithë të tjerët, është ndëshkuar gjithmonë në jetën e tij dhe nuk ka pasur kurrë të drejtë, transmeton albinfo.ch. 36-vjeçari me konstrukt të fuqishëm fizik po qëndronte para trupit gjykues të Gjykatës së Qarkut në Lenzburg me akuzën e tentativës për dhunë dhe kërcënime ndaj autoriteteve dhe zyrtarëve.
Skena të ngjashme me këto të sotmet kishin ndodhur tashmë të hënën pasdite në janar 2020, përpara Gjykatës së Qarkut në Baden, shkruan gazeta Limmattaler Zeitung. Edhe atëherë, Mergimi nuk kishte mundur të kontrollonte veten dhe e kishte penguar në vazhdimësi vendimin gjyqësor që do ta shqiptonte gjyqtarja. Ai qe akuzuar për keqpërdorim të letërnjoftimeve dhe tabelave të makinave. Mergimi i është drejtuar kryetares së trupit gjykues – të cilën ai e përshkroi si një “person shumë të korruptuar” – dhe nëpunësve të gjykatës se “i urrente pafundësisht”.
Ai më me dëshirë do të hidhej diku në humnerë se sa ta lejonte këtë padrejtësi. Ai ka ngritur tavolinën disa herë dhe e ka përplasur atë në dysheme. Me mbylljen e seancës ai refuzoi të largohej nga salla e gjyqit, përcjell albinfo.ch. Më në fund kryetarja e gjykatës thirri policinë.
Në gjykimin aktual i akuzuari pranon se ai ishte plotësisht “jashtë vetes” dhe gjithashtu se kishte pasur sjellje të pahijshme kur qe marrë në pyetje nga kryetari i trupit gjykues, Daniel Aeschbach.
Por, siç e thotë ai, asgjë nuk kishte ndodhur. Ai nuk përbënte fare rrezik dhe askush nuk duhej të kishte frikë prej tij. “Unë nuk kam ndërmend të dëmtoj askënd”. Me fjalë të tjera ai pretendon se fjalët e tij janë shtrembëruar dhe interpretuar si kërcënim, thotë Mergimi.
I akuzuari është me origjinë nga Kosova, beqar dhe jeton me prindërit e tij në një komunë në Kantonin Aargau. Shkollën e ka ndjekur deri në klasën e nëntë, por nuk ka bërë fare formim profesional. Për shkak të një sëmundjeje mendore, Mergimi ka qenë në terapi dhe merr mjekime që në fëmijëri. Sipas tij, atij i duhet të jetojë me një pension prej rreth 700 frangash në muaj, transmeton albinfo.ch. Ai shpjegon se po përpiqet të ngrejë një shkollë të arteve marciale dhe shpreson që një ditë të arrijë të gjenerojë të ardhura me të.
Gjatë gjithë procesit, Mergimi përplas me nervozizëm këmbën e majtë. Bëhet e qartë se ai ka pasur punë me policinë dhe gjykatat disa herë në të kaluarën. Këto incidente ishin të panevojshme dhe kishin të bënin me psikikën e tij, pohon Mergimi dhe thekson: “Unë nuk jam person kriminal”.
Avokati i tij mbrojtës thekson se i akuzuari vuan nga një çrregullim personaliteti emocionalisht i paqëndrueshëm me përmasa të konsiderueshme. Ai tregon emocione të forta dhe vepron në mënyrë impulsive. Seanca gjyqësore në Baden në fillim të vitit 2020 ishte stresuese, por jo e pamundur. Sipas avokatit, ai ndihej i injoruar dhe nuk mund të kontrollonte më sjelljen e tij. “Ai qe mposhtur nga sëmundja e tij”. Nuk ka vepruar me dashje. Vepra penale nuk është përmbushur dhe i akuzuari duhet të lirohet nga fajësia dhe dënimi, sipas avokatit.
Gjykata e sheh ndryshe gjithë këtë dhe e dënon me gjobë të pakushtëzuar prej 30 tarifash ditore nga 30 franga në ditë. Për ta bërë këtë, ai duhet të paguajë shpenzimet procedurale dhe tarifën e ndjekjes në total mbi 5000 franga. Sipas gjykatës, deficitet psikologjike nuk janë aq të rënda sa të justifikojnë paaftësinë.
“Pse po ma bëni këtë? Si mund ta bëni këtë? “A nuk e shihni padrejtësinë?”, ndërhyn Mergimi gjatë vendimit gojor, transmeton albinfo.ch. Ai nuk respekton kërkesën për të heshtur dhe dëgjuar, me ç’rast kryetari i gjykatës shpall seancën të mbyllur. I dënuari më pas i thotë vetes i zemëruar se do të vazhdojë ta shtyjë vendimin përpara se të largohet nga dhoma. “Unë nuk do të lejoj të akuzohem për diçka të tillë”.