Shpella po shkatërrohet

Shpella e Gadimes po shkatërrohet. Mbi të është ndërtuar një rezervuar për ujësjellës. Betoni i hedhur ka bllokuar rrugët e ujit që i ushqen kristalet e shpellës. Për pasojë disa aragonite dhe stalaktite janë tharë e po myken. Komuna e Lipjanit duket se ka gisht në këtë krim.
Romeo e Zhulijeta duket se kurrë nuk do të bashkohen.
Madje jo që nuk do të bashkohen, por edhe kanë nisur e po thahen.
E bashkë me ta pikat e ujit që dukeshin sikur loti në një Odë të madhe kanë ndaluar.
Për t’i rënë shkurt.
Shpella e Gadimes po shkatërrohet. Këtë nuk po e bën natyra, por njerëzit.
Komuna e Lipjanit ka lejuar që mbi këtë shpellë të ndërtohet një rezervuar uji.
Betonizimi i rezervuarit lart dhe dheu që është grumbulluar përreth tij ka bllokuar hyrjen e ujit që binte pikë- pikë në shpellë.
Kjo gjendje e krijuar ka dy muaj që ka nisur të dëmtojë keq kristalet e shpellës.
Mungesa e këtij uji ka filluar të shkaktojë mykun tek aragonitet, që tashmë nga ngjyra e bardhë kanë filluar e po nxihen.
Ai që po mërzitet më së shumti tek po e sheh shpellën që po dëmtohet është Nazif Tasholli, drejtori i saj.(express)