Shoqëria kosovare duhet t’i kuptojë financat në kuptimin bashkëkohorë
Nga Burim Haliti- Në përgjithësi funksionimi i shteteve në kuptimin bashkëkohor të fjalës varet nga ajo se çfarë sistemi financiar kanë dhe si i trajton financat në kuadër të sistemit të përgjithshëm të qeverisjes, sepse financat janë boshti kurrizor i çdo segmenti të jetës në botën bashkëkohore.
Së pari duhet kuptuar se njerëzimi ka kaluar nëpër periudha të ndryshme të njerëzimit dhe gjithmonë atëherë kur nuk janë respektuar parimet e zbatimit të financave kemi pasur kriza të mëdha botërore, si në aspektin e zhvillimit ekonomik po ashtu edhe në atë shoqëror, sepse çdo zhvillim tjetër është i varur nga ajo se si një shoqëri i kupton se çka janë financat dhe si i aplikon parimet e shpenzimit të parasë publike.
Termi financë rrjedh nga fjala finis që nënkupton: kufi, fund, mbarim dhe me vonë në kohën e mesjetës kjo fjalë shndërrohet apo transformohet apo thënë më mirë përdoret me termin finatio, financias, financia pecuniaria dhe kanë nënkuptuar veprimi e pagesës në para. Më vonë kjo fjalë është përdorur në Francë si Les finances që ka nënkuptuar të hyrat dhe të dalat shtetërore dhe sot kjo fjalë nënkupton tërë afarizmin përmes parasë. (Shih Prof.Dr. Sabahudin Komoni, Libri: Financa).
Kuptimi fjalës financë ndryshon nëpër kohë për shkak se ndryshon edhe zhvillimi ekonomiko-shoqëror i një shteti, andaj kjo nënkupton se në çdo kohë duhet të merremi më studimin e financave edhe në aspektin teorik-shkencor por edhe në atë praktik apo të aplikimit të parimeve bashkëkohore të shpenzimit dhe mbledhjes së parasë publike.
Sot kuptimi i kësaj fjalë ka rëndësi të madhe sepse financat në tërë botën janë duke u keqpërdorur në forma dhe materie të ndryshme vetëm e vetëm që dikush dinë ti luaj lojërat e përfitimit personal nga paratë publike. Por kuptim pozitiv kësaj fjale i japin disa shtete të cilat janë në zenit të zhvillimit të demokracisë dhe kanë treguar efekte pozitive gjatë shpenzimit të parasë publike: Gjermania, Finlanda, Suedia, Danimarka, USA, Franca etj.
Por çfarë nënkupton kjo fjalë Financë në Kosovës, tani për tani asgjë më shumë se çka ka nënkuptuar edhe në shtetet tjera të cilat kanë kaluar nëpër tranzicion (Bullgaria, Rumani, Serbia, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia etj), ku është keqpërdor shumë keq financa nga shtresat udhëheqëse politike dhe partiake dhe njëherësh qytetarët e kanë pësuar më së keqi në këto raste ashtu siç po ndodh edhe tek ne.
Gjithçka sillet dhe nënkupton financën sot: shteti, shoqëria, kultura, politika, profesionalizmi, puna, familja dhe jeta në përgjithësi, sepse financa është ajo që mban gjallë gjithçka. Tek ne janë duke u lozur lojëra të ndyta lidhur me aplikimin e këtij termi dhe arsyet janë të qarta nuk kanë kulturë pune, mosdije, jo profesionalizmi në kryerjen e punëve, jo zhvillimi ekonomik, niveli i ulët i diturisë tek shoqëria etj.
Ne duhet së pari të kemi disa gjëra të qarta dhe së pari ta definojmë qartë se çka është sistemi financiar dhe çka kuptojmë me atë, ku mua më ka lënë përshtypje ky përkufizim të cilin e kanë dhënë disa autorë dhe njohës financiar të mirë të sistemit financiar të Shqipërisë”Sistemi financiar është tërësia e tregjeve financiare, tërësia e ndërmjetësve financiarë, tërësia e shërbimeve dhe e institucioneve financiare që bëjnë të mundur komunikimin e përhershëm dhe të njëhershëm, pa kufizim kohe, vëllimi dhe hapësire, të financave të familjeve me financat e bizneseve dhe me financat publike” (autorë: Sherif Bundo, Edlira Luçi, Gentiana Cane).
Gjeneratat e reja të cilat janë duke e kuptuar në thelb këtë nocion ia kanë borxh kësaj shoqërie që të merren me trajtimin e këtij nocioni dhe aplikimin e parimeve financiare në shtet e të mos keqpërdoren dhe infektohen nga të tjerët.
Rëndësia e financave publike në botën bashkëkohore
Financat dhe sistemi financiar në përgjithësi në botën bashkëkohore janë katalizator të çmueshëm për shkak se vejnë në funksion tërë zhvillimin ekonomik të një vendi pa marrë parasysh resurset humane dhe natyrore të atij vendi. Pra një kujdes të madh në funksionimin e shteteve në aspektin ekonomik-financiar i kushtohet edhe në këtë drejtim se sa të perfeksionuar e ka sistemin financiar dhe fiskal ai vend.
Sistemi financiar i një vendi nuk duhet të krahasohet me zhvillimin ekonomik të atij vendi, por duhet të ndodh e kundërta sa më modern dhe praktik të jetë sistemi financiar në vend aq më shumë do të kemi zhvillim ekonomik dhe jetësor, në atë vend, dhe ky është një parametër i mirë se si vendet të cilat janë në tranzicion (Kosova) të përfitojnë nga kjo teori dhe njëherit të fokusohen në reformimin dhe modernizimin e sistemit fiskal-financiar në mënyrë që të kemi zhvillim ekonomik të vendit sikurse kanë vepruar shtetet perëndimore.
Duhet ecur më tutje nëpër analiza dhe shikuar se sa është i aftë sistemi ynë financiar dhe fiskal të përafrohet apo funksionojë në pajtim me sistemet financiare të shteteve të botës moderne (botës perëndimore). Secili shtet duhet ti bëjë analizat ekonomike dhe ti hartojë politikat fiskale duke u bazuar në kapacitetet ekonomike të cilat i posedon, në mënyrë që të kemi një sistem financiar dhe fiskal sipas parametrave bashkëkohore.
Secili shtet duhet ti ketë parasysh aftësitë ekonomike si: zhvillimin ekonomik të tij, resurset natyrore, planin e shpenzimeve publike, planin e të hyrave publike, analizë për resurset njerëzore, marrëveshjet ndërkombëtare tregtare dhe aftësitë tregtuese të atij vendi me shtetet tjera.
Sistemi fiskal duhet të reformohet dhe të kihet parasysh se politikat fiskale janë parametrat kryesorë kombëtarë në zhvillimin ekonomik, sepse nga këtu shihet se cilat janë të hyrat dhe shpenzimet e qeverisë së një vendi, andaj sistemi fiskal në çdo vend është mjaft i ndjeshëm sepse përmes këtij sistemi qeveria parasheh: shpenzimet, të hyrat, taksat, tatimet, të ardhurat, punësimin, nivelin e pagave dhe procedurat për të bërë biznes etj.
Gjeneratat e reja duhet të jenë afër të gjitha veprimeve dhe aktiviteteve të cilat zhvillohen nga ana e institucioneve të vendit kur kemi të bëjnë me financat dhe atëherë kur të keqpërdoren ato të ketë një reagim qytetar, të unifikuar të shoqërisë civile dhe organeve kompetente në mënyrë që mundi dhe djersa e këtij populli të ndritur të mos shkelet nga disa të cilët janë të interesuar vetëm ta keqpërdorin shoqërinë tonë.
Atëherë kur kuptohet pozitivisht termi financë dhe kur aplikohen parimet e mirëfillta të financave mund të kemi një zhvillim të hovshëm ekonomik që këto institucione ia kanë borxh këtij populli që ta ngjallin ekonomikisht sepse shumë gjak, djersë dhe mundi është dhënë për këto institucione nga populli i Kosovës.
(Autori ka titullin shkencor master i shkencave Juridike – Financiare)