Shoqata “Velekinca e Vjetër” e mbanë gjallë, dhe të pastër fshatin Velekincë

Gjilan – Njëri nga fshatrat e Gjilanit që krenohet me punët e kryera dhe me organizmin e shkëlqyer është edhe Shoqata “Velekinca e vjetër” e cila është themeluar në vitin 2015 dhe financohet kryesisht nga diaspora. Jeton Halimi që është përgjegjës për fshatin thotë se fal kësaj shoqate janë kryer shumë punë të dobishme për komunitetin.
Fshati Velekincë ka shumë arsye të krenohet krahas Zhegrës, Dobërqanit e Pograxhës që shquhen për aktivitete dhe organizime të ndryshme në dobi të fshatit.
Është shoqata “Velekinca e vjetër”, ajo që e mbanë gjallë jetën në fshat dhe që kujdeset edhe për pastërtinë e fshatit.
Jeton Halimi është përgjegjës i shoqatës për Kosovë konkretisht për fshatin Velekincë kurse Sokol Nuhiu është kryetar i shoqatës në Gjenevë të Zvicrës.
Sipas Jeton Halimit shoqata numëron rreth 100 anëtar kryesisht nga diaspora dhe është themeluar më 6 gusht 2015 nga vet banorët e fshatit. Shoqata ka dy kryesi një për diasporë dhe një në fshat. Në diasporë më saktësisht në Gjenevë të Zvicrës kryetar është Sokol Nuhiu ndërsa në Velekincë kryetar është Jeton Halimi.
“Prej fillimit të aktivitetit të shoqatës kemi angazhuar një punëtor i cili merret me punët rreth pastërtisë së fshatit dhe mirëmbajtjen e drunjve dekorativ të cilët janë mbi 300 copa e që janë mbjellur me mjete vetanake nga shoqata. Kemi ndihmuar një familje me nevojë dhe gjithashtu edhe në ndërtimin e dy shtëpive në fshat. Kemi ndërtuar sallën e pritjeve e cila i shërben banorëve të lagjes për nevoja të tyre” tha Jeton Halimi./rajonipress/