Uji Dea

Shoqata “Kosova-Shkup” ambasadore e shqiptarëve në Turqi

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Rexhep- Gunduz me prejardhje nga Gjilani dhe kryetar i shoqatës “Kosova –Shkup” thotë se traditat dhe adetet e shqiptarëve asnjëherë nuk do të shuhen nga shqiptarët në Turqi. Ne vazhdimisht po punojmë që t`i kultivojmë dhe pasurojmë traditat e kosovarëve thotë ai.

Shqiptarët në Turqi tashmë janë bërë një komunitet shumë i fuqishëm dhe i organizuar ,por edhe i integruar në të gjitha institucionet shtetërore. Bursa llogaritet se ka më së shumti shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare. Nëse kërkon ndonjë shënim që i`a vlen për këtë komunitet në Bursa, atëherë adresa e saktë është tek shoqata “Kosova-Shkup” e cila drejtohet nga Rexhep Gunduz kryetar dhe ndodhet në Zafer Mahall. Gunduz i cili ka një prejardhje nga Tuchevci dhe Livoqi i Gjilanit thotë se shqiptarët në Bursa tashmë janë të organizuar dhe me fanatizëm po mundohen t`i ruajnë,kultivojnë dhe pasurojnë të gjitha adetet dhe traditat e kosovarëve.

Gunduz thotë se shoqata që ai drejton ekskluzivisht u ndihmon shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, por edhe të Shqipërisë. “Ne e kemi treguar vetën në kohën e luftës ku kemi ndihmuar me të gjitha mundësitë tona. Edhe populli turk ka dhënë gjak për ushtarët e UÇK-së dhe ky gjest i tyre e ka bërë edhe më të fort dhe më të organizuar pjesën shqiptare”. Sipas, Gunduzit tashmë Jelldërëmi që funksionon brenda Bursës është vllaznuar me komunën e Gjilanit .Shoqata që ai drejton, por edhe komuniteti shqiptarë në Bursa sipas Gunduzit është i interesuar që sërish ta ndihmojë popullin e Kosovës. “Ne kemi një binjakëzim me tri shkolla të mesme të Gjilanit dhe kjo ka ndikuar që tani të ndihmojmë studentët dhe kuadrot kosovare. Ndihma jonë ka të bëjë më shumë me ofrimin e përvojës dhe të eksperiencave të kuadrove kosovare në shkollat më të avancuara të Turqisë”.

Mobi Casa

Gunduz tha se ai dhe komuniteti i atjeshëm kanë shprehur gatishmërinë që ta ndërtojnë një shkollë të mesme në Kosovë.”Përmes kësaj shkolle ne do të kemi mundësi që t`i ndihmojmë kuadrot e reja dhe të afta dhe kjo shkollë do të menaxhohet nga ekonomia dhe bizneset private”. Gunduz shprehet se shoqata “Kosova-Shkup” prioritet kryesor e ka kultivimin e traditave dhe odave shqiptare.”Asnjëherë nuk do të harrohen traditat e të parëve tanë. Familja ime flet shqip dhe kështu po ndodhë edhe nëpër dasma e gazmende. Ne e kemi ansamblin ku mbajmë koncerte dhe të gjitha vallet shqip interpretohen në mënyrë të shkëlqyeshme”thotë Gunduz.

Kreu i kësaj shoqate thotë se ditëve të fundit po flitet mjaft rreth ndryshimit të historisë.”Edhe unë jam për ta përmirësuar këtë pjesë të historisë. Por, historia duhet të shkruhet nga akademikët e shkolluar dhe të aftë. Ata nuk duhet të jenë të ngarkuar politikisht dhe duhet të bazohen në arkivat e historisë” thotë Gunduz./rajonipress.com/