Shokët e dikurshëm të idealeve politikanët dhe dëshmorët

/ 4 minuta lexim

Nga Sinan Sadiku – Në vend se ta qojnë në vend amanetin e dëshmorëve; në vend se t`i sendërtojnë idealet e tyre, duke e zhvilluar Kosovën, duke krijuar vende të punës, arsim, shëndetësi, judikaturë… cilësore; pra duke e bërë Kosovën një shtet të mirëqenies sociale në të cilin të rinjtë do të punonin, do të jetonin, do të krijonin familje, do të lindnin fëmijë; politikanët tanë, ata që e qeverisin vendin, apo thënë më saktësisht ata që na sundojnë; dëshmorët i përmendin, i vizitojnë varrezat, lapidarët e tyre krejtësisht për interesa të veta politike; pra për përfitime politike.

Dihet tek ne përfitimet politike sjellin edhe përfitime të tjera të shumta: materiale, sociale, seksuale, kriminale… Qëllimi kryesor, ideali për të cilin kanë rënë dëshmorët ka qenë Kosova e lirë, e zhvilluar në të gjitha aspektet, në të cilën do ta gjenin dhe sendërtonin veten të gjithë dhe jo vetëm një pjesë e cila i ka përvetësuar në mënyrën më joetike, më joatdhetare pasuritë e saja, duke i vrarë madje edhe shpresat e shumicës se një ditë do të bëhet mirë dhe duke e bërë ideal të vetëm të të rinjve ikjen nga Kosova. Kur njeriu i sheh politikanët, të cilët e kanë sjellë Kosovën në këtë derexhe, të shkojnë te varrezat, te lapidarët, te shtatoret e dëshmorëve të vendosin lule e të mbajnë fjalime të cilat janë e kundërta e asaj që veprojnë, nuk ka si të mos gërditet.

Këta njerëz, të cilët e kanë pru Kosovën në këtë derexhe, nëse ju ka mbetur vetëm pak atdhetari, pak etikë, pak njerzillëk, më e mira që do të mund ta bënin do të ishte që të shkojnë te varrezat e dëshmorëve të përkulen dhe t`u kërkojnë falje atyre për të gjitha ato vepra që i kanë bërë të cilat bien ndesh me idealet për të cilat kanë rënë dëshmorët. Politikani i cili ndodhet në krye të hierarkisë shtetërore si: deputet, ministër, kryeministër, kryeparlamentar… ai politikan që ka qenë bashkëveprimtar me dëshmorin, ka vepruar gjatë me të, e ka njohur shpirtin e tij atdhetar, ka biseduar me të për atë se si do të duket liria, është betuar bashkë me të për sendërtimin e sajë; ky politikan, përkundër meritave të shumta që mund t`i ketë pasur në të kaluarën, do të duhej ta prekte kokën, t`i hapte sytë dhe ta shihte veten se deri ku ka arritur, ta shihte veprën e vet, po e përsëris, një Kosovë në të cilën i vetmi ideal i rinisë është ikja nga atdheu i cili atdhe për pakicën në pushtet është bërë nënë e për shumicën as njerkë.

Eco Higjiena

Këta politikanë, veprimtarë të dikurshëm, njerëz që dikur kanë kryer vepra atdhetare, bashkëveprimtarë të dëshmorëve do të duhej ta ndienin veten më së keqi. Këta nuk do të duhej të shkonin atje ku pushojnë dëshmorët për të mbajtur fjalime patetike patriotike, sepse nuk ka mëkat më të madh se sa ta gënjesh shokun e idealeve, atë që është flijuar për ato ideale, vetëm pse nuk është në jetë dhe nuk ka mundësi të të thotë ndalu mos gënje ose edhe të ta jap ndonjë shpullë, apo të të pështyjë në fytyrë… Tradhtia që u është bërë shokëve të dikurshëm të idealeve, nga ish shokët e tyre, tani politikanë, është më e keqe, shumëfish më e keqe se tradhtia që ka mundur t`u bëhej në kohën kur ata kanë marrë frymë, kanë folur, kanë vepruar…

Andaj për këtë tradhti bashkëveprimtarët e tyre, tani politikanë përgjegjës për gjendjen në të cilën gjendet Kosova, do të duhej ta ndienin veten keq, shumë keq. Këta do të duhej të shkonin atje ku pushojnë dëshmorët, shokët e tyre të idealeve, të rrëfehen para tyre, t`u kërkojnë falje dhe të betohen se do t`i kthehen realizimit të idealeve të dikurshme, të betohen se nuk do të shkojnë më në atë vend pa e kryer një pjesë të madhe të punës për të cilën kanë folur, kanë shkruar dhe kanë vepruar dikur./rajonipress/