Shmangni Serbinë

Sërish bashkatdhetarët kanë probleme në kufirin me Serbinë. Autoritetet e shtetit serb kanë krijuar radhë të gjata duke mos punuar. Autoritetet kosovare u sugjerojnë mërgimtarëve që të përdorin pikat e tjera kufitare për ardhje ose largim.
Diaspora kosovare nuk kërkon koncerte, por lehtësi të ndryshme të cilat do t’ua bënin ardhjen më të lehtë në Kosovë.
Ata kanë probleme në kufijtë e Kosovës, dhe të shumë shteteve të tjera nëse duan të sjellin diçka në atdhe. Ministria e Diasporës ka organizuar mjaft aktivitete e koncerte për mërgimtarët gjatë qëndrimit të tyre në vendlindje.
Por duket se ata nuk janë shumë të kënaqur.
Një pjesë e tyre, të mllefosur me radhët e gjata që po krijohen nëpër pikat kufitare, thonë se më mirë do të ishte që në vend të manifestimeve t’u krijohen lehtësira nëpër pika kufitare dhe t’u hiqen taksat që ata paguajnë me të hyrë në atdhe.
Me këtë problem u përballën shumë mërgimtarë të dielën.
Radhët e gjata në kufirin Kosovë –Serbi dhe anasjelltas, u kanë shkaktuar shumë probleme.
Policia e Kosovës ka njoftuar Departamenti i Policisë Kufitare, saktësisht zyrtarët policore të pikëkalimit kufitar Merdare, kanë informuar se gjatë 24 orëve të fundit, janë krijuar kolona dhe pritje të gjata si në hyrje për në Republikën e Kosovës ashtu edhe në dalje për në Serbi.
“Pritjet janë duke u bërë me orë të tëra nga të dyja anët, edhe pse nga Kosova për në Serbi, në territorin tonë kolonat janë të gjata diku nga 500-700 metra, mirëpo pritjet janë me orë të tëra, ndërsa në hyrje sipas qytetarëve kolonat janë me kilometra të gjata”, kanë sqaruar autoritetet kosovare.
Sipas tyre, në bazë të informacioneve jozyrtare të pranuara nga qytetarët, e gjithë kjo pritje bëhet nga neglizhenca dhe mospuna e autoriteteve serbe.
“Policia e Kosovës u sugjeron të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë pikëkalimet e tjera kufitare me qëllim të shmangies së pritjeve të gjata në kolona të krijuara në këtë pikëkalim kufitar”, thuhet në njoftimin zyrtar, sipas të cilit, në pikëkalimet e tjera kufitare, qarkullimi është duke u zhvilluar normalisht, pa pritje të gjata.(express)