Shkurt, pajtohen

Në përballjen e parë për këtë vit, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic janë marrë vesh për mbledhjen e pagesës së doganave dhe TVSH’së në të gjitha pikëkalimet kufitare. Por, sipas BE’së, kjo është një marrëveshje e përkohshme. Në takimin pesë orësh në Bruksel u fol edhe për strukturat paralele serbe në Veri.
As në takimin e katërt mes Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Dacic, nuk është gjetur një zgjidhje për problemin e Veriut.
Por, dy kryeministrat janë marrë vesh përkohësisht që doganat dhe TVSH’ja të mblidhen në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë sipas ligjeve kosovare.
Pas takimit pesë orësh, Zyra e ndërmjetëses Baroneshës Catherine Ashton ka lëshuar një komunikatë me tre paragrafë, në të cilën jepen shumë pak detaje të përballjes së katërt mes Thaçit e Dacicit.
Aty përmendet vetëm pajtimi i përkohshëm për mbledhjen e tatimeve në kufirin Kosovë-Serbi.
“Duke punuar mbi marrëveshjet e IBM’it, të arritura më 4 dhjetor 2012 dhe me implementimin e tyre në katër pikëkalime, dy kryeministrat sot kanë ardhur deri te mirëkuptimi i përkohshëm për mbledhjen e doganave dhe të TVSH’së në dogana”, thuhet në komunikatën e BE’së
Në takim e parë për këtë vit mes udhëheqësve kosovarë dhe serbë është paralajmëruar se do të ketë marrëveshje për Veriun e Kosovës.
Por, kjo temë, sipas komunikatës së BE’së, është shtyrë për në takimin e radhës, që pritet të mbahet në mes të muajit shkurt, para kremtimit të pesëvjetrorit të pavarësisë.
“Kishte një takim të gjatë dhe konstruktiv. Jemi pajtuar që të takohemi përsëri në dialogun intensiv në muajin e ardhshëm, në të cilin pritet që të bëhet një përparim i dukshëm në çështjet të cilat janë identifikuar edhe me konkluzat e BE’së në dhjetor të vitit 2012”, thuhet më tej në njoftimin e Ashtonit.
Sidoqoftë, dy Kryeministrat dhe Baronesha Ashton janë parë duke qeshur në fotografitë e përbashkëta të publikuara pas takimit.
Ndryshe prej deklaratës së BE’së, Kryeministri Hashim Thaçi ka dhënë detaje edhe për atë se çfarë është biseduar për Veriun.
Sipas tij, me Dacicin ka folur edhe për heqjen e strukturave paralele serbe në territorin e Kosovës.
“Prej sot doganat do të paguhen sipas ligjeve të Kosovës. Është folur edhe për shpërbërjen e strukturave paralele të Serbisë në Veri. Pala serbe për herë të parë ka marrë përgjegjësi se do nisë të punojë në shpërbërjen e këtyre strukturave”, ka thënë Thaçi pas takimit.
Ai ka dhënë edhe detaje për ofertën e Prishtinës për pjesën më problematike të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës ka dhënë ofertën për qytetarët e pjesës veriore që ata të kenë mundësi të zgjedhin liderët e tyre dhe të organizohen zgjedhjet sipas ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.
Në takimin pesë orësh, Thaçi ka thënë të mos jetë biseduar për dokumentet serbe, të cilat parashohin krijimin e një shteti të ri brenda Kosovës.
Ai ka thënë se platforma dhe rezoluta e Beogradit janë të pavlera dhe se të njëjtat nuk mund të vendosen në diskutim kur prezentë janë udhëheqësit e Kosovës.
“Rezoluta e Serbisë për Kosovën është e pavlerë dhe ajo nuk mund të paraqitet në asnjë tryezë ku marrin pjesë përfaqësuesit e shtetit të Kosovës”, ka shtuar ai.
Megjithëkëtë, sikurse Ashton, edhe Thaçi e ka cilësuar takimin me Dacicin si konstruktiv dhe që i ndihmon Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt BE’së.
Baronesha Ashton fillimisht kishte takuar ndaras dy Kryeministrat dhe më pas ata i ka bërë bashkë në një darkë, e cila ka nisur në orën 20 të ditës së enjte dhe ka përfunduar pas orës 1 të ditës së premte.
Por, gjatë ditës së enjte, Thaçin dhe Dacicin ndaras i ka takuar edhe Ndihmës Sekretarin amerikan i Shtetit, Philip Reeker, i cili ka kërkuar përparim në dialogun mes dy vendeve si dhe ka kundërshtuar cfardo autonomie për serbët e Veriut.
Madje, Reeker i ka bërë thirrje Serbisë të heqë dorë nga Veriun i Kosovës, duke i larguar strukturat paralele.
Kosova dhe Serbia kanë nisur bisedimet politike në fund të tetorit të vitit të kaluar, pas një rezolute të miratuar në Kuvend, e cila i jep mbështetje qeverisë kosovare t’i normalizojë raportet me shtetin serb.
Në tri takimet e para në Bruksel, Thaçi dhe Dacic janë marrë vesh vetëm për zbatimin e IBM’it, i cili është interpretuar ndryshe prej të tri palëve.
VV proteston edhe në Bruksel
Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, në orët e mesditës, kanë zhvilluar një protestë në Bruksel, përpara ndërtesë ku gjendet zyra e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
Protesta është organizuar në shenjë kundërshtimi ndaj bisedimeve që po zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një njoftim për media, Lëvizja Vetëvendosje ka bë