Shkrimtari duhet të vuajë

/ 7 minuta lexim
RCCOLA

Për të, letërsia, pos çështje e mendjes, është një proces trupor. Pak a shumë si një sëmundje që përshkon trupin dhe e bën atë të vajtojë. Dikur vijnë edhe momentet e mira, e ato duhet shfrytëzuar, si nga i sëmuri, njësoj edhe nga autori që shkruan letërsi. Të mbushësh të 20-at e të thuash se do të bëhesh shkrimtar duke mos prekur kurrë atë fletën e bardhë tabullarasë mbi të cilën duhet vajtuar mirë e mirë, për Verena Notle duket më shumë se qesharake. Notle është emër i njohur në Gjermani, dhe një mbështetëse e madhe e shkëmbimeve kulturore letrare, ose më sakt, ndër ndërmjetësueset më të mëdha të letërsisë së kësaj ane të Evropës në qarqet gjermane, përfshirë letërsinë shqipe.

Me Kadarenë ishte takuar në vitin 1992. Njohja me shkrimtarin e madh shqiptar, do të ndryshonte rrjedhën e punës së saj, në kuptimin e një tjetër njohjeje me letërsinë shqipe. Azili politik i Kadaresë dhe rrëfimet e tij për diktaturën, e bindën Notlen që misionin ta niste me promovimin dhe njohje më të mirë të kësaj letërsie. Kjo e solli edhe në Prishtinë, gjatë festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”. Në një intervistë për “Zëri”, Notle tregon për ndërkomunikimet kulturore, për Ali Podrimen e Martin Camajn, dhe të krijuarit e konturës prej shkrimtari.

Zonja Nolte, fillimisht, na tregoni se ku e shihni të pocizionuar letërsinë shqipe në tregun letrar gjerman, sa është e pranishme ajo?

Ekziston një traditë, dhe kjo është e mira. Pas luftërave të mëdha që përgjakën Ballkanin, kësisoji edhe letërsinë e këtyre shteteve, Gjermania filloi të interesohej më shumë për arsyet, për atë çka ndodhi realisht. Këtë më së miri do ta bënte letërsia. Ne donim të dëgjonim më shumë, të lexonim, të shihnim më shumë. Kjo qe edhe koha kur filloi një interesim më intensiv për letërsinë shqipe. Sot, që nga ajo kohë gjërat kanë ndryshuar. Ismail Kadare, Beqë Cufaj, Ali Podrimja – këta mund të them se janë treshja që e nisën letërsinë shqipe në Gjermani.

Pak nga takimi yt me Kadarenë…

Po, ishte një festival i madh i letërsisë në Mynih, në vitin 1992. Festivali kishte mbledhur emrat më të mëdhenj të letërsisë evropiane. E takova rastësisht, filluam të flisnim në frëngjisht. Ajo ditë dhe ajo bisedë me këtë person ma ka ndryshuar jetën. Gjërat që i tha për kohën e Enver Hoxhës, kur e kishin paragjykuar se bënte letërsi “mbrojtëse”, letërsi të porositur. Edhe ai dikur kishte qenë autor në mërgim, kjo është ajo që e bën edhe sot. Kjo pak a shumë më lidhet me historinë e shumë autorëve të kohës së Hitlerit në Gjermani, kur pas kohërave luftimesh nuk kthehen në shtetin e tyre, ose e kanë vështirë të vërehen. Kadareja kishte një histori të vërtetë me Enver Hoxhën, duan apo s’duan njerëzit ta pranojnë. Por, për këdo që e ka lexuar, Kadare do të mbetet emri I madh i historinë së letërsisë shqipe. Kjo është e paevitueshme.

Si është puna e këtyre autorëve të mëdhenj në kohëra të luftërave?

Fundamenti

Eh, Kadareja është njëri nga ta. Thomas Mann, një nga novelistët dhe shkrimtarët më të mëdhenj gjermanë, pas luftës nuk ishte kthyer më kurrë në Gjermani. Mann dhe Kadare e kanë këtë pikë të përbashkët, derisa pas regjimeve i lanë vend gjeneratës së re të shkrimtarëve që të tregohen. Gjermania sidomos, është një shtet që ka prodhuar pa masë shkrimtarë të dalë nga azili. Në epoka të tilla shumica e shkrimtarëve mërgojnë, dhe është e vështirë të mbijetojnë. Historitë e tyre më mirë se unë i thonë ata vetë në libra. Beqë Cufaj është shkrimtar i madh nga Kosova. Nëse e lexoni, e shihni se ai e vuan vargun, prandaj gjithcka e tij të jep kureshtje ta lexosh nga një libër në tjetrin. Megjithatë, nuk është proces i lehtë, pak anglezë futen në letërsinë tonë, derisa tregu ynë është kërkues i madh i potencialeve…

Si është për një shkrimtar të vuajë?
Vuajtja nis kur je para një flete të bardhë dhe duhet ta mbushësh me diçka. Duhet të ulesh para tavolinës çdo ditë e kudo që je, ta vuash ndjenjën për një inspirim i cili vjen dikur mes ditëve. Ky moment duhet shfrytëzuar për t’iu dorëzuar ndjenjës, inspirimit. Kjo ka të bëjë me trupin dhe dorën, nuk është mendje. Të shkruarit nuk është proces I lehtë, jo për një shkrimtar të mirëfilltë. Shembull, Andrzej Stasiuk, është një autor i famshëm polak tanimë i njohur edhe në Gjermani, e kam pasur në programin e rezidencave. Ai udhëton shumë, e bile shpesh edhe në Shqipëri prej nga sjell edhe eseja letrare. Shpirti i tij është vajtues, por vajtim i vërtetë ama.

A ka një strategji për shkrimtarët tanë, që të depërtojnë në tregun letrar gjerman?

Strategjia është gjë e gabuar në letërsi, dhe lexuesi e sheh sa e mërzitshme është ajo, aplikimi i saj. Një autor duhet ta ketë autenticitetin, fuqinë. Këtë e kanë autorët nga Kosova, personalisht mendoj se ata e dijnë cka shkruajnë dhe nuk mund ta ndihmojnë këtë fakt. Derisa gjenerata edhe këtu ka përjetuar luftë, shkrimtarët duhet të reflektojnë, të shndërrohen në njerëz letrarë, të shkruajnë për cka duan dhe kanë brenda. Mund të jetë edhe letërsi lufte, sepse është ajo në të cilën kjo gjeneratë ka gjetur një fragjilitet, por gjithcka e shkruar është edhe kujtim i kujtimeve të humbura. Kjo na ka ndihmuar neve, letërsive tjera evropiane që kemi qenë pak më mendjemadhe, ti kthejmë sytë në Ballkan. Kujtojeni Martin Camajn, ai ka vdekur në Mynih të Gjermanisë dhe është një ndër autorët më të respektuar në Gjermani. Ne ende mbajmë evente ku e përkujtojmë krijimtarinë e tij.

Na trego pak për “Kulturallmende”, projektin në të cilin po punon tash e disa vite …

“Kulturallmende” është një shtëpi e cila përkrah autorët dhe festivalet e letërsisë. Në njëfarë mënyre, mua më duhej një instrument me anë të të cilit do të prezantoja letërsinë dhe artin në kontekste të ndryshme para publikut. “Kulturallmende” vepron që nga viti 2011 dhe ndihmon letërsitë ballkanase po ashtu, ndërsa kemi organizuar edhe shkëmbime dhe rezidenca për autorët nga Polonia e Kroacia. Vitin tjetër po planifikojmë mbajtjen e një festivali të letërsisë ku për katër javë do të jenë të ftuar shkrimtarë të ndryshëm nga shumë shtete, përfshirë Kosovën.(zeri)