Shkreta: Të zbardhet çështja ose marr peng 300 fëmijë

Tiranë – “Nëse Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla nuk zbardh çështjen time dhe nuk vendos drejtësi, unë do të marr peng një shkollë me 200-300 fëmijë dhe do t’u vë eksploziv”.

Kjo është deklarata-bombë që vjen nga Emanuel Shkreta, i cili tashmë është përfshirë në një histori hakmarrjeje me familjen Llani, në Mamurras, edhe pse dikur kanë qenë miq fëmijërie. Në një lidhje telefonike për “Gazetën Shqiptare”, Leli, siç e thërrasin shkurt, lëshoi këtë paralajmërim për Prokurorin e Përgjithshëm të vendit, duke i kërkuar atij edhe një takim, ku mund të zbardhet e vërteta e çështjes që ka shënuar deri tani 3 viktima.

I lodhur nga sistemi i drejtësisë shqiptare, djali i familjes Shkreta rrëfen se drejtësia duhet të japë dënimin maksimal për armikun e betuar të tij, Jetmir Llanin, ose në të kundërt ai do ta vrasë me duart e tij.

Gëzuar Krishtlindjet! Çfarë ka ndryshuar që nga hera e fundit që kemi folur bashkë, a jeni më nën mbikëqyrjen e forcave të policisë?
Gëzuar edhe për ju! Unë që prej dy javësh nuk jetoj më nën mbikëqyrjen e forcave të policisë, sepse sipas tyre nuk është më e nevojshme që unë të jetoj nën mbikëqyrje.

Ju, jetoni me frikën se dikush mund të hakmerret ndaj jush dhe familjes suaj?

Jo, unë nuk jetoj me frikë. Tashmë, Jetmir Llani është arrestuar dhe nuk dihet se pse po vonohet ekstradimi i tij. Kjo tregon se sa e korruptuar është drejtësia shqiptare. Por, kush futet në rrethin tim, nuk del më i gjallë, por i vdekur.

Ju jeni shprehur dikur se, nëse drejtësia nuk merr vendimin e duhur, ju do të hakmerreni me gjyqtarët; i qëndroni ende këtij mendimi?

Po, e kam thënë dhe e them sërish: Sistemi i drejtësisë duhet që të marrë vendimin e duhur, ta dënojë me burg të përjetshëm Jetmir Llanin, ose në të kundërt unë do ta vras me duart e mia. Kam takuar prokurorin e Laçit dhe i kam kërkuar që të pranojë kërkesën time për të qenë dëshmitar okular në këtë çështje, por ende s’kam marrë një përgjigje. E vetmja gjë që më ka ngelur është që t’i drejtohem kryeprokurorit të ri.

Çfarë mesazhi keni për kryeprokurorin e ri?

Unë e ftoj z.Llalla që, nëse ka burrëri, të vijë të ulet me mua, edhe si burri-burrit, edhe para ligjit, dhe të zbardhim të vërtetën e çështjes sime dhe të familjes Llani, pasi mua më ka vdekur vëllai, babai, jam plagosur vetë, një vëlla e kam në burg dhe kryeprokurori duhet të vendosë drejtësi. Madje, unë përmes gazetës suaj dua ta paralajmëroj kryeprokurorin se, nëse ai nuk e zbardh çështjen time, nëse drejtësia nuk vihet në vend, unë i vdekur që i vdekur jam, nuk më ngelet zgjidhje tjetër veç kësaj që do them. Nuk është aspak çudi që një ditë – që mund të mos jetë shumë larg – unë të marr peng një shkollë në kryeqytet, me 200-300 fëmijë, dhe t’i hedh në erë me eksploziv. Nuk është fare e vështirë, mjafton vetëm një shtypje butoni dhe nuk është çudi që kjo shkollë të jetë edhe një prej atyre ku studiojnë fëmijët e këtyre prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kërkoj vetëm drejtësi.(BalkanWeb)

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS