Shkollës së mesme ”Mehmet Isai” urgjentisht i duhet ta ndërrojë sistemin e ngrohjes

Gjilan – Komisioni i arsimit i Degës së LDK-së në Gjilan, i bënë thirrje DKA-së që t’ua paguajë të ardhurat personale disa mësimdhënësve që u ka borxh nga dy e më shumë paga mujore, që nga shtatori i viteve të kaluara e gjithashtu edhe nga shtatori i këtij viti, edhe pse janë pranuar me konkurs në fillim të vitit mësimor ka thënë Nazmi Musa.
Në një reagim rreth gjendjes në shkollën e mesme “Mehmet Isai”, Nazmi Musa nga komisioni për arsim i LDK-së thotë se jo rrallëherë iu kemi referuar Drejtorisë Komunal të Arsimit për problemet e arsimit ne komunën e Gjilanit e në veçanti për kushtet e punës në disa shkolla dhe infrastrukturën e saj.
Meqenëse problemet janë jo të vogla, jemi të vetëdijshëm për mungesën e mjeteve për përmbushjen e kërkesave të nevojshme në infrastrukturën shkollore, por nuk e kuptojmë se për çfarë arsye nuk vihen në studim prioritetet e nevojave dhe përcaktimin e buxhetit në mënyrë më të arsyeshme për shpenzime më racionale thotë Nazmi Musa nga komisioni për arsim i LDK-së.
Musa tha se Shkolla e Mesme Teknike Profesionale ”Mehmet Isai” në Gjilan, ka kohë që ka nevojë të domosdoshme për ndërrimin komplet të sistemit të ngrohjes, bashkë me tymtarin, për arsye të vjetërsisë. Ky sistem i vjetër, së pari, e dëmton buxhetin e arsimit në masë përtej arsyes në blerjen e druve brenda një viti. Vetëm në këtë vit për ngrohje, edhe ashtu tepër të dobët, Drejtoria e Arsimit ka qenë e detyruar të paguajë rreth 360 metra dru, që krahasuar me shkolla tjera, shpenzimet janë përgjysmë më të mëdha ka sqaruar Musa.
Ai thotë se gjatë këtij dimri, nxënësit dhe mësimdhënësit, kanë qenë me fat, krahasuar me dimrin e kaluar, për faktin e klimës që ka mbretëruar gjatë kohës. “Me gjithë këtë, nuk mund të themi se nuk kemi pasur ankesa në ngrohjen e tërësishme të ambientit. Andaj, i sugjerojmë DKA-së që të merr masa dhe gjatë kësaj sezone verore të financojë projektin e ri të ngrohjes në këtë shkollë. Më këtë investim, jo vetëm që do të krijojë kushte më të mira për punë, po edhe do ta ruajë shëndetin e nxënësve dhe punëtorëve. Në aspektin ekonomik, ky investim do të jetë i leverdishëm dhe më interes sepse, do të kursejë buxhetin në blerjen e druve dhe do të evitojë ketë problem për shumë vite” tha Musa.
Komisioni i arsimit i Degës së LDK-së në Gjilan, i bënë thirrje DKA-së që t’ua paguajë të ardhurat personale disa mësimdhënësve që u ka borxh nga dy e më shumë paga mujore, që nga shtatori i viteve të kaluara e gjithashtu edhe nga shtatori i këtij viti, edhe pse janë pranuar me konkurs në fillim të vitit mësimor.
DKA-ja ka edhe obligime të tjera ndaj disa mësimdhënësve të Shkollës Teknike ”Mehmet Isai” andaj presim që t’i kryejë në afatin sa më të shkurtë ka thënë Musa./rajonipress/