Shkollat në Bujanoc nga “Harlem Shake” në “Gangam Style”!

Nga Ramadan Bektashi – Para se ta iniconte pushteti, nismën për ndërrimin e drejtorit të Shkollës së Mesme “Sezai Surroi”, në Bujanoi, nga nxënësit e një klase, gjatë orarit të mësimit u këndua kënga e popullarizuar: “Harlem Shake”, për ta vazhduar në hitin tjetër, po ashtu të afirmuar: “Gangnam Style””, kësaj radhe jo nga nxënësit, por nga profesorët e lidhjeve familjare.
Shkolla e Mesme “Sezai Surroi”, në qytetin e Bujanocit, është i vetmi gjimnaz në gjuhën shqipe në këtë komunë. Edhe pse duhet të funksionoj në kuadër të të gjitha parimeve edukativo-arsimore, kjo vatër arsimore është politizuar skajshmërisht.
Çdo parti politike, që vjen në pushtet e ndërron drejtorin, madje edhe profesorët e padëgjueshëm politikisht, ose ata, të cilët nuk i takojnë të parit të komunës.
Shkolla e mesme, me mësim në gjuhën shqipe, në Bujanoc numëron rreth 1300 nxënës e me një numër të madh profesorësh, të cilët janë të ndarë nëpër parti politike e grupe të tjera interesi.
Kjo shkollë, kohëve të fundit, është ballafaquar me përjashtime të nxënësve për shkak mungesave dhe sjelljes së pahijshme, të cilët më pas me vendime të inspektorëve komunalë, janë kthyer bankave të kësaj shkolle.
Pak ditë para se të merrej, nga pushteti, iniciativa për ta ndërruar drejtorin e shkollës nga nxënësit e një klase të katërt, gjatë orarit të mësimit e kënduan këngën: “Harlem Shake”.
Nxënësit, ndonëse u deklaruan para mediumeve se këtë gjest e kanë bërë për ta thyer monotoninë, thjesht për argëtim, ata nga drejtoria e shkollës u qortuan me masa ndëshkuese.
Ardhja e drejtorit të ri, në këtë shkollë, filloi me klasën e IV-2, nga më problematiket, nxënësit e së cilët i premtuan ushtruesit të detyrës së drejtorit se nuk do të bëjnë probleme si më parë!
Pushteti lokal përmes inspektorit komunal i dha urdhër “drejtorit” ta prish konkursin e pranimit të punëtorëve në këtë shkollë, kinse për mangësi dhe parregullsi, për të pranuar kuadro “partiake”, ashtu siç ka vepruar, ai, i mëparshmi dhe shumë të tjerë para atij.
Po sikur t’i bëhej një anketim kësaj vatre shkollore, del se shumica e profesorëve janë në lidhje familjare mes vete: babë e bir, burrë e grua, dajë e nip, kushëri e akraba e tralala e tralala.
Nepotizmi në këtë vatër arsimore ka marrë apelin e alarmit, por s’ka kush ta luftoj. Nëse kështu vazhdon kënga e dytë pas asaj të popullarizuar “Harlem Shake” e cila ka prekur këtë shkollë nga nxënësit e saj, së shpejti do të zëvendësohet nga hiti tjetër, po ashtu mjaft i afirmuar: Op Op “Gangnam Style””, kësaj radhe jo nga nxënësit, por nga profesorët e lidhjeve familjare e miqësore.
Për të mos u përsëritur hitet e këngëve botërore në Shkollën e Mesme “Sezai Surroi”, në Buajnoc, kjo vatër arsimore duhet të ndahet në Gjimnaz dhe shkollë teknike, si në Preshevë dhe vetëm në këtë mënyrë do ta shpëtojmë arsimin e mesëm nga cirku i vërtetë.
(Autori është publicist nga Lugina e Preshevës)