RCCOLA

Shkolla shqipe prezantuese e denjë e kulturës shqiptare!

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjatë dy javëve të fundit patëm rastin të shohim dy manifestime, në të cilat u prezantua në mënyrë të denjë kultura dhe kuzhina shqiptare. Në të dy manifestimet ishin prezentë mësuesit, prindërit dhe nxënësit e shkollave shqipe, të cilat edhe kësaj radhe dëshmuan se janë ambasadorë të vërtetë të kulturës shqiptare.

Manifestimet u organizuan: i pari nga Këshilli komunal i Komunës Walenstadt, të kantonit të St. Gallenit dhe i dyti, nga Këshilli komunal i Glarusit, nga kantonit i Glarusit. Qëllimi i të dy takimeve ishte prezantimi i kulturave dhe kuzhinave të të gjitha nacionaliteteve që jetojnë në këto rrethe. Kulturën shqiptare e prezantuan shkolla shqipe e Sarganserlandit të kantonit të St. Gallenit dhe në Glarus- shkolla shqipe e kantonit të Glarusit.

Manifestimi i parë u organizua me datë 16. 06.2012 në Walenstadt të St. Gallenit, në organizimin e të cilit përveç përfaqësuesve të Këshillit komunal morën pjesë edhe mësues zviceranë dhe shqiptarë. Organizimi i cili ka për qëllim pikë-takimin e kulturave të të gjitha nacionaliteteve që jetojnë në rrethinën e Walenstadit organizohet rregullisht në çdo dy vjet. Edhe sivjet organizatorët e kishin organizuar jashtëzakonisht mirë, me një sipërfaqe të madhe ku të gjitha nacionalitetet patën rastin të prezantojnë kuzhinën e tyre si dhe në skenën e improvizuar u paraqitën me program kulturor.

Shkolla shqipe e Sarganserlandit kësaj radhe u paraqit me këngë dhe valle. Paraqitja dhe prezantimi i nxënësve të veshur me veshje kombëtare, tenda ku ofroheshin specialitete shqiptare ishte e stolisur me flamuj kombëtar. Mbishkrimi Shqipëria dhe Kosova, nga larg identifikonte fëmijët dhe prindërit e tyre që kishin dalë për të shijuar kuzhinën shqiptare si dhe për të ndjekur programin e nxënësve të shkollës shqipe. Vlen të përmendet se grupi i valleve dhe nxënësja Hysnije Rexhepi lanë një mbresë të veantë, ku publiku zviceran me duartrokitje të forta i ktheu edhe njëherë në skenë.

Mobi Casa

Manifestimi i dytë u mbajt me datën 23 Qershor 2012 në Glarus në qendrën e kantonit ku edhe në këtë rast L.A.P.SH. “Naim Frashëri” – Glarus dhe nxënësit e shkollës shqipe shkëlqyen me prezantimin e tyre. Ky manifestim i cili është Kantonal dhe organizohet çdo vjet është i titulluar me titull “Dita e refugjatëve” dhe mbahet me të vetmin qëllim që të huajt që jetojnë në këtë kanton të prezantojnë kuzhinën dhe kulturën e tyre. Manifestimi filloi nga ora 11.00 dhe përfundoi aty nga mbrëmja dhe patën rastin që të gjitha kombësitë të paraqiten në këtë program. Anëtarët e Lidhjes së Arsimtarëve dhe prindërve shqiptarë “Naim Farshëri” të kantonit të Glarusit ishin përkujdesur jashtëzakonisht të mirë për prezantimin e kuzhinës shqiptare.

Aty te tenda ku valonte flamuri shqiptar dhe ai i Kosovës shërbenin prindërit Elfete dhe Bedri Halabaku, Bukurije dhe Agim Hoxhaj si dhe nxënësit (Enkela Sadiku, Mimoza Idrizi, Albin Halabaku, Leonora Ibishi, Xhevahire Ferati) të veshur me veshje kombëtare ndihmonin prindërit, iu shpjegonin mysafirëve zviceran specialitet, përmbajtjen dhe përgatitjen e tyre. Po ashtu edhe tenda e gjërave dekorative ishte mbresëlënëse; figura e Skënderbeut, fotografitë e qyteteve shqiptare, mbishkrimi i nënë Terezës “Edhe unë jam shqiptare” etj. dëshmonin një pamje të këndshme të kulturës sonë.

Por, ajo që entuziazmoi dhe kënaqi të pranishmit ishte një program i përgatitur për këtë ditë, nga nxënësit e shkollave shqipe te kantonit të Glarusit (Glarus, Niederurnen, Mitlödi dhe Netstal) nën udhëheqjen e mësuesve të shkollës shqipe Qefsere dhe Vaxhid Sejdiu. Dy valle dhe dy këngë që lanë një përshtypje jashtëzakonisht të mirë para një publiku të përzier nga të gjitha nacionalitete. Në fillim u paraqit Mimoza Idrizi me këngën “Jo nuk ndahet Mitrovica”, pastaj nxënëset Farije Fazliu, Leonora dhe Lindita Ibishi dhe Enkela Sadiku shkëlqyen me këngën “Kuq e zi”, dhe në fund grupi i vajzave të shkollës shqipe me vallet popullore, me një prezantim artistik bënë publikun për vete./albinfo.ch/