RCCOLA

Shkolla “Nazmi Hoxha” shënon ditën e saj të themelimit, drejtoresha krenohet me rezultatet e arritura të kolektivit

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Drejtoresha e kësaj shkolle para shumë mysafirëve ka folur me admirim për kontributin që po japin kolektivi i kësaj shkolle dhe të gjithë ata që janë të kyçur në procesin mësimor. Vizioni ynë është që shkolla jonë të jetë një shkollë cilësore me standarde europiane bashkëkohore, motivuese dhe gjithëpërfshirëse në shërbim të çdo nxënësi. Do mundohemi që të gjithë së bashku të forcojmë bashkëpunimin në të mirë të ngritjes së cilësisë në arsim ashtu siç kemi nisur që në fillim të vitit shkollor ka thënë Dashurije Shaqiri.

SHFU”Nazmi Hoxha” të hënën ka shënuar ditën e saj të shkollës, para shumë të pranishmëve ku edhe është dhënë një program i pasur.

Drejtoresh e kësaj shkolle Dashurije Shaqiri ka folur me shumë kompetencë për rezultatet që ka arritur kjo shkollë dhe për synimet që ajo ka dhe kolektivi i saj në të ardhmen.

Fjalimi i plotë i drejtoreshës së shkollës:

Përshëndetje për të gjithë të pranishmit!

Të nderuar familjarë të atdhetarit Nazmi Hoxha, të nderuar zyrtarë të DKA-së, përfaqësues të forcave të rendit dhe sigurisë, përfaqësues të Shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, të nderuar profesorë universitar z. Bahtijar Kryeziu dhe z. Sabri Tahiri, të nderuar veteran të arsimit, ish drejtor të shkollës sonë z.Adem Mehmeti dhe z.Fahredin Rexhepi dhe të gjithë ju kolegë, drejtorë e zv drejtorë të shkollave edukatore e mësimdhënës.

E nderuar kryetare e Këshillit të prindërve, KD, gjithë ju prindër të nxënësve të shkollës sonë dhe ju të dashur e të çmuar nxënës, mirë se keni ardhur në Ditën e shkollës sonë! Prezenca juaj na nderon dhe madhështon festën tonë.

Shkolla jonë është themeluar në vitin 2010 si pjesë e ndarë nga shkolla “Thimi Mitko”, e quajtur përkohësisht Lagja e 8 –të, më 3 qershor 2015 me vendim të MASHt-it është emëruar me emrin e atdhetarit e veprimtarit të shquar Nazmi Hoxha.

Pikërisht më 5 dhjetor të vitit 1951 në fshatin Cernicë nga e ëma Feride dhe babai Hasim u lind Nazmi Hoxha, i cili me sjelljen dhe veprën e tij e bëri krenar gjithë familjen Hoxha dhe mbarë kombin shqiptar. Shkollën fillore e kreu në Cernicë, shkollën e mesme në Gjimnazin Zenel Hajdini në Gjilan dhe Shkolllën e lartë Pedagogjike drejtimin Histori në Gjakovë.

Punoi si mësimdhënës i historisë në fshatin e tij të lindjes deri më 15 nëntor të vitit 1981, kur u arrestua nga UDB-ja , më 13 korrik 1982 dënohet me 15 vite burg të rëndë. Dënimin e vuajti në burgjet famëkeqe jugosllave.

Më 29 nëntor të vitit 1990 u lirua , por me shëndet të rënduar nga torturat dhe kushtet e burgut. Gjitha ato tortura dhe vuajtje iu bën vetëm pse ishte atdhedashës, ku së bashku me bashkëveprimtarë të shumtë të lëvizjes ishte aktivist i patrembur si brenda Kosovës ashtu edhe jashtë saj.

Ai me tërë qenien e tij fizike e shpirtërore luftoi që populli ynë të lirohet njëherë e përgjithmonë nga zgjedha shekullore e okupatorit serb. Pas lirimit nga burgu aktivitetin atdhetar nuk e ndërpreu, por falë aftësisë që kishte arriti që t’i shpëtoj burgosjes së dytë duke kaluar në Shqipëri.

Mobi Casa

Ai kthehet në Kosovë pas luftës edhe pse me një shëndet të dobët, por arrin ta gëzojë lirinë për të cilën dha shumë. Nazmi Hoxha vdiq më 3 gusht 2001 ende pa i mbushur 50 vite. Pas vetes la gruan dhe 5 fëmijë. Prandaj shkolla jonë me krenari mban emrin e tij dhe neve nuk na mbetet tjetër përveç se të çojmë në vend amanetin e tij dhe të qindra e mijëra atdhedashësve tanë të cilët me të gjitha format e mundshme me pendë , pushkë e gjak sensibilizuan botën, krijuan aleat të cilët na ndihmuan që ne sot ta gëzojmë lirinë e merituar dhe të punojmë shumë për të ngritur arsimin dhe shtetin tonë.

Falënderoj drejtorët e shkollës z Ademin dhe z. Fahredinin, të gjithë mësimdhënësit aktual dhe ata pensionist, të cilët kanë kontribuar në këtë shkollë në arritje të cilësisë së mësimdhënies dhe nxënies, kështu që dhe ne do vazhdojmë së punuari së bashku në interes të kombit tonë.

Vizioni ynë është që shkolla jonë të jetë një shkollë cilësore me standarde europiane bashkëkohore, motivuese dhe gjithëpërfshirëse në shërbim të çdo nxënësi. Do mundohemi që të gjithë së bashku të forcojmë bashkëpunimin në të mirë të ngritjes së cilësisë në arsim ashtu siç kemi nisur që në fillim të vitit shkollor.

Falënderoj shumë të gjithë ju zyrtarë të DKA-së, drejtoreshën e DKA-së, zyrën e kryetarit, menaxherin e shërbimeve publike si dhe kompanitë e kontraktuara, UKZ-në,shkollën Musa Zajmi etj, që patëm një bashkëpunim të shkëlqyer për të sanuar problemet që kemi pasur me kulmin e shkollës, problemet me rrjetin e instalimit të ujit, që tashmë janë rregulluar plotësisht dhe është evituar rrezikshmëria e lartë e cila vinte si pasojë e rrjedhës së ujit nëpër instalimin e rrymës.

Kemi riparuar pjesë të ndryshme të shkollës me pllaka, gëlqerosje të vendeve të dëmtuara, pajisjen e 2 klasave parafillore me tepison, ndërrimin e dy kazanëve dhe ventillave të kalldajës, jemi në proces të ndërrimit të xhamave të thyer. Jemi pajisur me inventar donacion nga UKZ-ja dhe shkolla Musa Zajmi si dhe me banerin “Mirë se vini nxënës të dashur”, donacion nga Pika 5 A.

Poashtu kemi shtuar edhe numrin e punëtorëve teknik për 1më shumë e që jemi në pritje edhe të një tjetri,të cilët janë të domosdoshëm në shkollën tonë pasi që shkolla posedon afërsisht 5000 metra katrore. Falënderoj stafin teknik të shkollës, të cilët janë duke bërë punën e tyre me përkushtim gjë që ndikon në një mjedis të pastër e të sigurtë për nxënësit, falënderoj edhe gjithë mësimdhënësit, të cilët me punën e tyre ofrojnë mësimdhënie cilësore te nxënësit, dhe gjithë ata akterë që kontribuojnë që shkolla jonë të jetë shkollë miqësore.

Shkolla jonë ka nxënës të mirë, ka nxënës të talentuar e të zellshëm, të cilët me shumë dëshirë përveç në arritjen e rezultateve të të nxënit përfshihen në aktivitete të ndryshme jashtë kurrikulare, të cilat jemi duke realizuar në kuadër të fushave të kurrikulës. Nxënësit e shkollës sonë ishin fitues të çmimeve të ndryshme.

Gjatë këtij tremujori nxënësit tanë ishin pjesëmarrës në javën e kodimit organizuar nga Qendra Procoders, ku treguan rezultate të larta, grupi i nxënësve të udhëhequr nga mësimdhënësi Betim Ferizi janë pjesë e garës së Robotikës, Grupi i nxënësve sportist të udhëhequr nga mësimdhënësi Besim Syla i sollën shkollës tri çmime, kemi mbajtur garat shkollore në lëndën e matematikës, ku nxënësi fitues i udhëhequr nga mësimdhënësi Skender Halimi ka marrë pjesë në garat komunale, një grup tjetër nxënësish të udhëhequr nga mësimdhënësja Festa Shabani ishin pjesëmarrës në Javën ndërkombëtare të ndërmarrësisë në barkampin e organizuar nga IPKO fondacion, për të promovuar ushqimin e shëndetshëm u përkujdesën mësimdhënëset Shpresa Beqiri, Yllka Musmurati dhe Emine Ejupi përmes aktivitetit me moton Pak për ne, shumë për të tjerët, Për të kultivuar vlerat artistike një numër i madh nxënësish të shoqëruar nga mësimdhënësit e arteve Festim Ismajli dhe Lulzim Ramushi ishin pjesëmarrës në koncertin klasik në shkollën e muzikës.

Edhe nxënësit e klasëve të nivelit të ulët së bashku më mësimdhënësit e tyre Refikun, Hasiben, Eminen, Sanijen, Qefseren e Abiden vizituan vende të ndryshme me rëndësi historike.

Të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve u uroj suksese e në veçanti nxënësve të klasës së parë, të cilët kanë filluar rrugën e diturisë dhe nxënësve të klasës së 9-të të cilët do të fillojnë rrugën e orientimit në karrierë ka shkruar drejtoresha Dashurije Shaqiri./rajonipress/