RCCOLA

Shkolla fillore “Abdullah Tahiri” shënon ditën e saj

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në shkollën fillore “Abdullah Tahiri” në Malishevë të Komunës së Gjilanit, shkollë kjo e cila mban emrin e dëshmorit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandantit të parë të Zonës Operative të Karadakut, me aktivitete të shumta është shënuar dita e shkollës.

Drejtori i Arsimit në Gjilan, Bujar Nevzati, para të pranishmëve në këtë eveniment tha se për çdo ditë po reformojmë sistemin arsimor dhe përditë të rinjtë tonë po i orientojmë drejt shkollimit modern dhe dijes konkurruese.

“Sigurisht, nuk e kemi iluzionin se rruga është e lehtë. Ne ende kemi shumë punë drejt finishit. Na duhen ende përpjekje e ende shumë mund që të arrijmë të dëshiruarën. Prandaj ju ftoj që emrin e shkollës tuaj Abdullah Tahiri ta ngrisni në piedestalin më të lartë të dijes” tha drejtori Nevzati.

Ndërsa deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Hydajet Hyseni, shënimin e kësaj ngjarjeje e vlerësoi jashtëzakonisht lart, duke thënë se kjo shkollë dhe ky personel i saj së bashku me nxënësit dhe me banorët e kësaj ane, kanë rastin që për çdo ditë të nderojnë veprën e dëshmorit Tahiri, me suksese dhe me përkushtim të vazhdueshëm për punë.

Mobi Casa

“Këtë edhe dëshmori Abdullah Tahiri e dëshironte gjithnjë, ndaj rruga të cilën ai e deshi duhet ta vazhdojmë ne të cilët jemi në këtë botë. E nderojmë Abdullah Tahirin nëse e vazhdojmë deri në fund zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura. Ne duhet të krijojmë cilësi të jetës e të qeverisjes sepse këtë e donin dëshmorët”ka shtuar Hyseni.

Në anën tjetër Izmi Zeka Kryesues i KK-së dhe njëherit zëvendës ministër i Punëve të Brendshme, për shënimin e ditës së shkollës në Malishevë tha se kjo ka koinciduar me unifikimin e abetares në Shqipëri e Kosovë e kudo tjetër në hapësirën shqiptare të cilën e cilësoi si ditë të përbashkët të dy ngjarjeve të rëndësishme.

Zeka, tha se nuk është aspak e lehtë që kjo shkollë të bart emrin e figurës së dëshmorit Abdullah Tahiri ngase për të bartur këtë emër, shkolla dhe gjithë personeli i saj duhet të angazhohen gjithnjë e më shumë. “Abdullah Tahiri do të ishte i lumtur sikur qëllimi i tij të ishte realitet. Ai jetën ia kushtoi çështjes kombëtare, arsimit dhe proceseve përparimtare krahas vendeve të botës së përparuar demokratike”ka thënë Zeka.

Drejtori i shkollës Përparim Poroshtica, shpalosi me këtë rast historikun e sukseseve, por edhe të sfidave që shkolla përballet. Ndërsa në emër të familjes të pranishmit i falënderoi profesori Sabri Tahiri, i cili me modesti tha se shkollës i kemi të gjithë borxh, ndaj duhet të bëjmë shumë më shumë që ajo të ndryshoj për çdo ditë në suksese dhe në kualitet.
Në fund për më të suksesshmit në procesin edukativo – arsimor u ndanë mirënjohje./rajonipress/