ARKATANA

Shkofshi e mos ardhshi!

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Milaim Shefkiu – Një nomenklaturë deputetësh, të cilët nuk arritën të pastrohen kurrë nga “linçimi” i hajnave të votave, e përmbyllën mandatin duke lënë pas pluhur e tym të zi. Për tri vjet e gjysmë sa kanë qenë në Kuvend, gjysma prej këtyre ish-deputetëve, e kanë konsideruar Kuvendin si vend pune, për të marrë pagën e majme dhe mëditjet shpesh të kamufluara.

Pra nuk e kanë konsideruar Kuvendin si përgjegjësi morale e politike, por si organizatë e socializmit, ku secili e ka pritë fundin e orarit.

Në këtë nomenklaturë që ia këndoi “tallkenin” vetvetes, kanë qenë disa deputetë që kurrë s’e kanë çelë gojën në asnjë seancë, madje edhe për privatizimin, marrëveshjen me Serbinë, EULEX-in e as për Gjykatën Speciale.

Shikuar në tërësi, kjo ka qenë përbërja më e shkapërderdhur e Kuvendit, ku nuk ka funksionuar as shumica as opozita. Në të dy taborët ka pasur plasaritje, ndërsa skandalozja ka qenë opozita e cila asnjëherë nuk ka arritur të funksionojë si duhet. Realisht kanë qenë tri parti politike, që kanë përfaqësuar tri opozita të ndryshme në Kuvend.

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si rëndomtë kanë përfaqësuar një opozitë e butë dhe si e tillë nuk ka qenë në gjendje që të merr iniciativë për rrëzimin e qeverisë.

Që nga dita e parë që ka mbetur në opozitë, LDK-ja ka ecë me një tempo, ndërsa lideri i kësaj partie Isa Mustafa më shumë është marrë me partinë e vet sesa me rivalin polik, Hashim Thaçin.

Kjo politikë ka vazhduar deri në zgjedhjet lokale, kur LDK-ja fitoi shumicën e komunave më të mëdha të Kosovë. Zgjedhjet ia krijuan një momentum të ri LDK-së dhe e mbushen me shpresë se fitorja nuk është larg edhe për faktin se nga PDK-ja u larguan dy figurat eminente, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj. Në këtë periudhë LDK-ja në kuvend mori zemër që të shkohet edhe në zgjedhje të përgjithshme, por kurrë nuk arriti të krijojë një bllok opozitar si parti më e madhe opozitare.

Fundamenti

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës një kohë të gjatë, ka qenë opozitë lojale ndaj PDK-së, ndërsa disa herë e kanë cilësuar me epitetin “paterica e qeverisë”.

Ajo ka marrë pjesë edhe në bisedimet me Serbinë duke u bërë pjesë e një procesi që është sfiduar nga partia tjetër e opozitës, “Vetëvendosje”. Ideja e AAK-së për të ngritur mocion mosbesimi ndaj qeverisë ishte tepër e vonë, pas “lutjeve të mëngjesit” në SHBA.

Ndërsa Lëvizja “Vetëvendosje” edhe pse ishte grup më i vogël politik parlamentar, gjithmonë e luante rolin e “bosit” opozitar. Ajo më shumë harxhonte energji duke i akuzuar dy partitë tjera, AAK-në dhe LDK-në, që nuk po i mbështesin protestat, mocionet, dhe bllokimin e Kuvendit, sesa kundër koalicionit qeverisës.

Tri partitë e opozitës ishin aq të ndara, saqë kryeministri Hashim Thaçi dhe koalicioni i tij qeverisës, edhe pse e kishte humbur ekuilibrin e të qëndruarit me dy këmbë, me njërën këmbë do të rrinte në qeveri edhe dy vjet.

Ndërsa për deputetët e koalicionit, ata janë të njëtrajtshëm, të gjithë heshtin vetëm shefi i grupit “Fol” (përjashto Buzhalën).

Pasqyra ose rezymeja e tri vjetëve të kaluar u pa edhe në seancën lamtumirëse të Kuvendit. Deputetët e të gjitha partive, pa e përjashtuar këtu edhe Petar Miletiqin e SLS-së, nxjerrën nga brendia gjithë “sekretin” duke akuzuar herë qeverinë e herë opozitën për dështim. Ndërsa Miletiqi, duke u ndjerë me faj, që bllokoi transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura, tha se ne nuk ishim kundër, kësaj, ndërsa zemra i qante të vendet e rezervuara.

Me të mirat e të këqijat që i kishte ky Kuvend e mbylli edhe një mandat, ndërsa pas vetës e bart hijen e dështimit, të paktën për dy gjëra, që nuk e miratoi reformën zgjedhore dhe Forcën e Armatosur të Kosovës. Përgjegjësia nuk bie këtu vetëm tek serbët kosovarë, por më shumë tek partitë politike shqiptare që funksionuan me logjikën “për inat të resë me vdektë djali”. Prandaj shumëkush po lutet që disa nga këta ligjvënës, shkofshin e mos ardhshin më!